TIRANË – Kryetari i LSI, Ilir Meta ka deklaruar sot se forca e tij politike është e gatshme të pranojë ish-deputetin socialist Kastriot Islami në grupin e saj parlamentar. Pas një takimi ne Elbasan, Meta ka dënuar çregjistrimin nga PS te deputetit duke lënë te hapur mundësinë e bashkëpunimit me Islamin nëse ky i fundit dëshiron.
“Kastriot Islami ka pasur vlera që nga themelimi i PS dhe njëkohësisht ka mbajtur funksione të ndryshme por është edhe profil i lartë intelektual e shkencor, një vlerë për PS. Aderimet në çdo forcë politike bazohen në dëshirat e vullnetin e çdo individi, por LSI është një forcë politike që pranon gjithkënd në harmoni të plotë me statusin dhe qëndrimet parimore,” tha Meta.
Ai tha gjithashtu se LSI nuk është pjesë e spekulimeve në lidhje me kandidaturat për President.
“Komenti im lidhur me këtë çështje do të jetë në momentin e duhur. LSI nuk preferon të jetë pjesë e spekulimeve për Presidentin, ne jemi pjesë e zgjedhjes”, tha ai.