Meta: Gati për koalicion me PS
por duhet një "qeveri e besimit"Dokument / Deklarata e plotë e kryetarit të LSI-së

Meta: Gati për koalicion me PS<br />por duhet një
Lëvizja Socialiste për Integrim është gati të rinovojë koalicionin me Partinë Socialiste në prag të zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, por nuk pranon zgjedhje pa opozitën.

Kjo ishte deklarata e kryetarit të LSI, Ilir Meta, gjatë një deklarate për mediat, pas mbledhjes së kryesisë, i cili kërkoi kështu një "qeveri besimi", për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.  

Meta tha se kushti i LSI për të vijuar bashkëjetesën politike me PS, janë përmbushja e detyrimeve nga kryeministri Rama për zgjedhje me standarde dhe respektimi i të drejtave të opozitës. "Retorika politike, agresive, provokative dhe konfliktuale po dominon zhvillimet dhe sjelljen politike. Në këto kushte, është imperative dialogu urgjent dhe zgjidhja politike. Çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura, të pa kontrolluara dhe me pasoja të paparashikueshme. Vlerësojmë se Kryeministri Rama dhe Kryetari i Opozitës z. Basha, duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe konfliktuale''.


"Lidhur me çështjen e koalicionit, m.q.s ka kaluar afati i 1 prillit, LSI është e hapur të afirmoj për zgjedhjet e ardhshme koalicionin me PS, bazuar në arritjet e deritanishme të koalicionit aktual dhe të reflektimit serioz të mënyrës së funksionimit dhe analizës së objektivave të parealizuara ende. 

Por, nëse lideri i PS nuk do të tregojë përgjegjshmëri maksimale për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën, që të jetë e procesit zgjedhor, LSI jo vetëm nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë por as edhe një farse elektorale. 

LSI është e qartë dhe ka qenë e qartë që midis të majtës dhe të djathtës, zgjedh të majtën. Mes zgjedhjeve demokratike dhe farsës, zgjedh demokratiken. Mes demokracisë dhe diktaturës, zgjedh demokracinë. Midis kaosit dhe stabilitetit, zgjedh stabilitetin e vendit. Çdo vazhdim i këtij konflikti, jo vetëm që bllokon Reformën në Drejtësi dhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, por krijon edhe boshllëqe institucionale, pasi shumë prej institucioneve të drejtësisë, po u vjen mbarimi i mandatit të tyre. Kjo krijon edhe rrezikun e delegjitimit të të gjithë institucioneve në vend",
 u shpreh Meta. 

I pyetur për termin "qeveri e besimit", të cilën e përmendi Meta, kreu i LSI-së tha se "edhe qeveria aktuale është e tillë nëse garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme në 18 qershor"

"LSI mendon se vendi ka nevojë për një qeveri besimi për zgjedhjet, që të mos ketë ndërhyrje të punonjësve të administratës, punonjësve të policisë dhe për të penguar çdo ndërhyrje të parave të krimit dhe të drogës.  

Edhe kjo qeveri kështu siç është, është qeveri e besimit nëse merr garancitë e duhura për të realizuar ato objektiva që përmenda më parë, që administrata të mos jetë në presion për të mbledhur vota, në mënyrë jo demokratike dhe të parregullt, policia e shtetit të jetë asnjëanëse, të luftojë fenomenin e drogës, krimit të organizuar dhe rrezikut të financimit kriminal të zgjedhjeve, të blerjes së votave dhe të gjitha garancitë e tjera që duhen në një vend demokratik", tha Meta. 

pyetjes së gazetarëv ne se Qeveria e Besimit në zgjedhje e parashikon z. Rama si Kryeministër apo e përjashton atë? Meta  iu përgjigj se ''Padyshim që e presupozon z. Rama por për këtë ai duhet të punojë që t’i japë besim opozitës për zgjedhje''

Meta: Rama e Basha të ulen për të gjetur zgjidhje
Kreu i LSI kërkoi dialog mes Ramë dhe Bashës për të kapërcyer ngërçin politik. 

"Ndaj, shpresojmë në angazhimin e aktorëve të tjerë, të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD, Lulzim Basha, për të gjetur zgjidhje që vendi të shkojë në mënyrë të denjë drejt zgjedhjeve demokratike dhe të hedhë një hap përpara drejt besimit të institucioneve", tha ai. 

LSI deklaron se vendi në këto momente ka nevojë në mënyrë të veçantë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithë-pranuara nga të gjithë, e cila do të garantojë mos-përfshirjen e administratës publike në zgjedhje dhe në veçanti të Policisë së Shtetit.
 
Garantimin e një lufte të ashpër dhe pa asnjë kompromis ndaj fenomenit të drogës.
 
Dhe çdo përpjekje për financime kriminale dhe të paligjshme të zgjedhjeve.
 
Si edhe garantimin dhe realizimin e plotë, të thellë dhe transparent të procesit të dekriminalizimit.
 
Realizimi i reformës zgjedhore është po kështu një kusht i domosdoshëm dhe një detyrim ende i pa përmbushur dhe i pakapërcyeshëm si një garanci e pa tjetërsueshme për realizimin e zgjedhjeve me standarde më të larta, për realizimin e një gare zgjedhore me kushte të barabarta për të gjitha partitë.



"Gati t'i japim PD-së ministrat dhe kreun e Kuvendit"
Kryetari i LSI deklaroi gjithashtu se në këmbim të rikthimit të opozitës në Kuvend dhe rritjes së besimit politik, LSI është gati të vendosë në dispozicion mandatet e saj në qeveri dhe postin e kryetarit të Kuvendit.  

''Duke vlerësuar sa më lart, LSI, për këtë qëllim, vendos të vër në dispozicion të zgjidhjes politike në vend të gjitha mandatet e saj politike që nga mandati i Kryetarit të Kuvendit, mandatet e ministrave të saj, si edhe të gjithë postet politike të përfaqësimit të saj.", deklaroi Meta. 

Ai theksoi gjithashtu se njësoj si LSI edhe të tjerët duhet të lëshojnë për t'i dhënë zgjidhje krizës politike. 

"Ne i vëmë këto mandate në dispozicion për të dhënë mesazhin që secili duhet të hedhë diçka për këtë zgjidhje politike, në mënyrë që shqiptarët të fitojnë qytetësin dhe normalitetin", deklaroi Meta.

Një qëndrim pothuajse identik me atë që pati verën e kaluar gjatë krizës për Reformën në Drejtësi, kur kërcënoi krijimin e një qeverie teknike për të arritur një votim konsensual në Kuvend. Edhe në atë rast Meta deklaroi publikisht se mandati i ministrave dhe i tiji personal ishin në dispozicion.


Mbledhja e kryesisë së LSI erdhi një ditë pas darkës së kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama në një restorant në zonën e Pazarit të Ri, në Tiranë. Burime pranë këtij takimi pohuan se palët janë pranë arritjes së marrëveshjes për rinovimin e koalicionit. 

I pyetur nga gazetaret nese per kete qendrim Meta dhe LSI eshte konsultuar me nderkombetaret, Meta u shpreh se ky ishte qendrimi eksluziv i kryesise se LSI. "Nderkombetaret vijne ketu kur te dale tymi, - tha Meta, - por qe te dale tymi, do te thote qe ka rene zjarri poshte", duke lene te kuptoje se kriza politika duhet te zgjidhet pikesepari nga shqiptaret.



Luan Rama: Ofrojmë postet ministrore dhe kreun e Kuvendit
Sqarim për këtë deklaratë të Metës bëri edhe kryetari i grupit parlamentar të LSI, Luan Rama.  
 
Ai tha se LSI është gati të dorëzojë mandatet e saj, nëse kjo ofertë rikthen opozitën në Kuvend dhe zgjidh ngërçin politik.
 
""Ne jemi gati të vëmë në dispozicion mandatet tona ekzekutive, si postet e ministrave, kryetarit të Kuvendit dhe çdo posti tjetër në administratën publike. Nëse përfaqësuesit e opozitës mendojnë se me këtë ofertë tonën kanë mundësi për rikthimin e institucioneve për të kontribuar, ne jemi të gatshëm për të kontribuar për vendin, për të zgjidhur këtë situatë politike absurde", tha Luan Rama

VIDEO/Konferenca për shtyp e kreut të LSI-së Meta


  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarja në Pogradec, jeni dakord me akuzën si vrasje nga pakujdesia?



×

Lajmi i fundit

Ura e Ibrit, Kurti: Si vend normal që jemi, ura duhet hapur! S’është kundër askujt, aq më pak partnerëve

Ura e Ibrit, Kurti: Si vend normal që jemi, ura duhet hapur! S’është kundër askujt, aq më pak partnerëve