Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish për emigrimin e shqiptarëve. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Meta shkruan se përgjegjësi kryesor për largimin e shqiptarëve është Edi Rama.

Teksa ka publikuar shifrat e kompania Ep & Partners Consultancy (EPPC), Meta shkruan se 53% e fuqisë punëtore është në kërkim të një mundësie më të mirë jashtë Shqipërisë, ndërsa 25% janë gati të ikin brenda vitit.

Sipas Metës, keqqeverisja e Ramës i detyron shqiptarët të marrin gomonen duke u larguar përmes kanalit të La Mansh drejt Britanisë së Madhe.

"Një tjetër raport i besueshëm konfirmon të vërtetën e vetme, që shqiptarët po ikin sepse Edi Rama është autori dhe përgjegjësi kryesor i vrasjes së shpresës së tyre, armiku i lirive, i demokracisë dhe shtetit ligjor. Të dhënat e publikuara së fundmi nga kompania Ep & Partners Consultancy (EPPC) pohojnë se 53% e fuqisë punëtore në vend është në kërkim për jetë më të mirë jashtë Shqipërisë dhe se 25% e tyre janë gati të ikin brenda vitit.

Shkak kryesor sipas vetë të anketuarve është keqqeverisja dhe vrasja e shpresës nga “Rilindja”. Është kjo arsyeja, konfliktet dhe përjashtimet e thella sociale, që po i detyrojnë shqiptarët të rrezikojnë edhe jetën e tyre duke kaluar La Manshin me gomone dhe aspak propaganda e gënjeshtërt e Edi Ramës se shqiptarët po ikin sepse sipas tij kjo ju pëlqen. Ndaj nesër zëri i zemërimit mbarëpopullor do të buçasë në sheshet e Tiranës që Edi Rama ta dëgjojë qartë se ora e llogaridhënies për të po afron", shkruan Meta.