Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër të dytë KQZ-së ku i kërkon informacion mbi praktikën që është ndjekur nga ky institucion për zëvendësimin e deputetëve të PD-së dhe LSI-së, që u larguan nga Kuvendi duke djegur mandatet në shkurt. E ndërsa në letrën e parë kërkonte të dinte sa është numri i deputetëve në Kuvend, tashmë kreu i shtetit kërkon të dijë me saktësi procedurën që është ndjekur.

"Presidenti kërkon nga KQZ-ja informacion mbi praktikën shkresore të administruar për njoftimin e krijimit të vakancës në Kuvend. Për shkak të përfundimit të parakohshëm të mandatit për cdo deputet, ku përfshihet kopja e njoftimit të kuvendit dhe kopja e dorëheqjes së deputetit.

Kopja e vendimit të KQZ për dhënien e mandatit, kandidatit të radhës në listën shumëemërore, për cdo vakancë të parakohshme të krijuar dhe të zëvendësuar deri tani në Kuvend" thuhet në letrën e siguruar nga Report Tv. Në fund të shkresës, Presidenti kërkon që informacioni të jepet në një kohë sa më të shkurtër dhe kërkesa të shqyrtohet me përgjegjësi të lartë.

Më herët opozita i ka kërkuar kreut të shtetit që të shpërndajë parlamentin me argumentin se është ilegjitim, pasi nuk ka 140 deputetë, tashmë mbetet për t'u parë se cila do të jetë lëvizja e radhës e kreut të shtetit. Kushtetuta e Shqipërisë nuk parashikon asnjë tagër të Presidentit për shpërndarjen e parlamentit, përveç rastit kur nuk arrin të emërohet Kryeministri.

Vendi ndodhet në krizë pas djegies së mandateve nga opozita dhe protestave, teksa Presidenti anuloi edhe zgjedhjet lokale në datën e përcaktuar, pasi PD-LSI bojkotuan, por shumica shprehet e vendosur për zhvillimin e tyre në 30 qershor. 

Letra e Presidentit Meta ndaj kreut të KQZ, Zguri