Presidenti Ilir Meta i ka dërguar një letër kreut të burgjeve, Agim Ismailit ku i kërkon informacione mbi sigurinë në burgjet shqiptare. Presidenti Meta ka deklaruar se ka marrë informacione, se persona me rrezikshmëri të lartë, mund të përfitojnë nga situata e krijuar dhe të dalin nga burgjet. Për këtë arsye, në letrën e tij, kreu i shtetit ka kërkuar marrjen e masave për të parandaluar çdo situatë të rrezikshme.

"Kërkoj marrjen e masave për parandalimin e çdo situate. Të parandalohet çdo situatë që rrezikon sigurinë e vendit", shkruhen në letrën e Metës.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku theksojnë se është në normalitet të plotë

"Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaron se situata është në normalitet të plotë dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme sipas protokolleve të sigurisë të sistemit penitenciar, kjo edhe në përputhje me zbatimin e procedurave për 41 bis. Garantojmë për normalitet të plotë në sistemin penitenciar dhe për shërbimin ndaj personave të paraburgosur dhe të dënuar, në përputhje me legjislacionin për të drejtat dhe trajtimin e tyre", shkruhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve.

Argumenti se "ka marrë informacione" është përdorur nga numri një i shtetit edhe për të shtyrë datën e zgjedhjeve. Ky vendim ka çuar palët në qëndrime krejtësisht ekstreme, duke tensionuar situatën në disa qytete të vendit. Nga njëra anë mazhoranca shprehet se zgjedhjet nuk do të shtyhen, pasi zhdekretimi nuk njihet si term ligjor dhe është antikushtetues, nga ana tjetër opozita ka penguar përgatitjen e procesit të votimit në të gjitha KZAZ-të e vendosura në bashkitë të drejtuara nga të djathtat.