Meta: Llallës u bë mirë që iu hoq
viza por jo Veting nga ambasadat

Meta: Llallës u bë mirë që iu hoq<br />viza por jo Veting nga ambasadat
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ftuar në emisionin 'Top Story' ka folur për përplasjen mes Kryeprokurorit Llalla dhe Ambasadorit amerikan në Tiranë.
 
Meta ka sqaruar deklaratën e tij të pak ditëve më parë 'Një kokë e çmendur të gjithë i çmend' duke cituar vargjet e Agollit.
 
"Irracionaliteti në politikë dhe në debatin publik është fenomenin që duhet të na tërheqë vëmendjen për të qenë më të qetë, më racionalë edhe për t’u qëndruar larg këtij fenomeni për të cilin ka shkruar i madhi Dritëro Agolli gati 23-24 vite më parë.
 
Ai duke dëgjuar parlamentin e asaj kohe shkroi disa vargje që kanë mbetur për fat të keq aktuale edhe sot
"sqaroi ai.
 
Kryetari i Kuvendit u shpreh se ambasadori amerikan ndonjëherë mund të gabojë, pasi e dezinformojmë dhe mund të jetë keqinformuar.
 
"Nuk e besoj që ambasadori ka për qëllim të cënojë imazhin e një procesi që bëri Kuvendi lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të KED.
 
Kemi një marrëdhënie shumë transparente me ambasadorin e SHBA dhe misionet që na mbështet.
 
Nuk kam pasur asnjë shqetësim të shprehur nga ambasada e SHBA për shortin e hedhur për KED.
 
Është e drejtë e ambasadorit që të shfaqë shqetësimin e tij. Të jeni të sigurt që po të ishte ambasadori i një vendi modest, shumë prej veprimeve dhe sjelljeve do të ishin të papranueshme.
 
Reagimet janë të mirëpritura, por edhe të argumentuara që t'i zhvillim problemet dhe jo krijojmë probleme të paqenë
" tha ai.
 
Por cfarë mendon Meta për heqjen e vizës nga SHBA të Llallës dhe gruas së tij?
 
"Mendoj që SHBA kanë bërë shumë mirë që i kanë hequr vizën Kryeprokurorit dhe gruas së tij, madje shkoj edhe më tej nëse ishte për qëllim që të merrej shtetësia e djalit që lindi në SHBA t'ia heqin shtetësinë.
 
Por kjo nuk ka të bëjë me raportin me prokurorinë e përgjithshme si institucion
" tha Meta.
 
Për sa i përket bllokimit të vizave për gjyqtarët edhe prokurorët nga ambasada e SHBA-së, Meta shprehet se procesi i Vettingut nuk duhet të bëhet në ambasada, por ta bëjnë institucionet shqiptare.
 
"Nuk do të ketë dy procese vettingu. Pra një proces vettignu i konsullatës amerikane, apo një i ambasadës gjermane. Do të ketë vetëm një proces Vettingu që do të bëhet sipas institucioneve shqiptare me monitorimin e institucioneve ndërkombëtare të monitorimit. Ambasada mund të marrë masa" u shpreh Meta.
 
Përsa i përket deklaratave të Lu për serverin e ILDKPKI që tentoi ta sekuestrojë prokuroria, Meta pranoi se ishte në dijeni të cështje dhe kishte pasur disa takime me Llallën dhe Ganajn.
 
"Pasi kreu i ILDKPKI e ka ngritur këtë shqetësim i kam kërkuar edhe Zotit Ganaj që të jetë bashkëpunues me Llallën duke respektuar ligjin. Kanë pasur këndvështrime të ndryshme.
 
Respektoj vendimin e gjykatës. Jam përpjekur për normalizimin e këtij raporti"
tha Meta.
 
 Për Ilir Metën, Ylli Manjani gaboi duke shtruar disa çështje ai ajo e kanabisit dhe të tjera në publik dhe jo në rrugë institucionale duke sjellë më pas edhe shkarkimin e tij.
 
Ndërsa përsa i përket cështjes së Balili dhe mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kryetari i Kuvendit theksoi se ka qenë një shqetësim i SHBA.
 
Në fund të intervistës së tij Meta deklaroi se për koalicionin është ende herët të flitet dhe se për këtë do të vendosin forumet.
 
'Ne jemi në koalicion, jemi në aleancë dhe vazhdojmë punën të qetë. Të mos krijojmë mjegull sa kemi dhe të vazhdojmë me transparencë" përfundoi ai.


Intervista e plotë

U kam dhënë një premtim shikuesve të emisionit dhe të Top Channel, se pyetja e parë do të jetë pikërisht: kush është koka e çmendur që po çmend gjithë vendin?
Unë besoj se irracionaliteti në politikë dhe në debatin publik është fenomeni që duhet të na tërheqë vëmendjen për të qenë më të qetë, më racionalë, edhe për t’i qëndruar larg këtij fenomeni për të cilin ka shkruar shkrimtari i madh, i jashtëzakonshëm dhe i paharruar Dritero Agolli, gati 23 a 24 vjet më parë. Unë kam pasur fatin që kam qenë i ulur pranë tij, në Parlament. Pra, duke dëgjuar parlamentin e asaj kohe, ai shkroi disa vargje, që për fat të keq, kanë mbetur aktuale edhe në kohët e sotme.

Një nga gjërat që ju thatë në fjalën tuaj përcjellëse për Dritëroin, ishte se humbët një person tek i cili shkonit për një këshillë të mirë, pasi, siç e thonë edhe vargjet e tij, ai ishte ndoshta nga ata që i ftohte kokat e nxehta të politikës. Megjithatë, z. Meta, ju kam parë në një javë jo të zakontë për ju, ku sidomos ajo shprehja: “me qetësi dhe dashuri” u duk sikur nuk kishte vend. Çfarë ndodhi javën e kaluar?
Besoj se çdo gjë ka qenë e qetë, por ndoshta tensioni publik ka qenë i nxehtë. Për sa i takon Dritëroit, i kam premtuar bashkëshortes së tij, Sadijes, që do të bëj edhe unë një libër për Dritëroin, që besoj se do të jetë një libër i jashtëzakonshëm për kujtimet e mia me Dritëroin, për meritën e Dritëroit dhe asgjë tjetër.

Pse e cituat atë poezi të Dritëroit në atë konferencë për shtyp, të rëndësishme, do të thosha unë, dhe besoj se ka qenë një nga konferencat... Ju rrallë dilni në konferenca për shtyp, sigurisht kur njoftohet dhe ne e dimë se Ilir Meta do të dalë në një konferencë për shtyp, në bashkëbisedim me gazetarët, pasi ju jeni nga të rrallët, në fakt, që merrni pyetje nga gazetarët, diçka ndodh në skenën politike.
Ishte një mesazh për të qetësuar debatet.

Ndaj kujt?
Ndaj të gjithëve, përfshi edhe mediet, të cilat për fat të keq kanë nganjëherë dëshirë t’i ndezin gjakrat më shumë se ç’duhet, ndonjëherë edhe keqraportojnë, duke nxitur debate të tepërta, sepse mendoj se debati gjithmonë është i nevojshëm dhe i rëndësishëm. Natyrisht, unë e kisha lajmëruar konferencën për shtyp, por qëlloi ky lajm i hidhur, dhe ishte një mesazh për t’i qetësuar gjërat sa më shumë.

Në fakt, ajo konferencë për shtyp ishte në momentin kur ju, bazuar në provat dhe shkresat e grumbulluara nga Prokuroria e Përgjithshme, nga Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, ishte momenti kur ju, në një farë mënyre u bëtë palë në një konflikt të paprecedent midis kryeprokurorit dhe ambasadorit amerikan...
Unë nuk jam bërë dhe nuk jam palë në asnjë konflikt e me askënd. Unë jam palë me transparencën e me të vërtetën, sidomos kur bëhet fjalë për një proces, i cili ka ndodhur në Kuvendin e Shqipërisë: hedhja e shortit për zgjedhjen e Komisionit të Emërimeve në Drejtësi, dhe natyrisht, derisa ngrihet një debat, e thotë në publik, qoftë dhe për shkak të shqetësimeve të ngritura nga një ambasador i nderuar dhe i veçantë, siç është ai i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, z. Lu, e përcjell këtë shqetësim me shumë interes.

Unë e kam ndier për detyrë të bëja transparencë maksimale të procesit që kishte ndodhur, por edhe pas procesit, sepse ky kontestim ka ndodhur pas këtij procesi, duke kërkuar të dhëna shtesë në mënyrë zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat menjëherë janë publikuar në faqen e Kuvendit, të cilat ndoshta nuk janë të sakta.
Unë akoma pres. Nëse ndonjë prokuror ose prokurore e Republikës së Shqipërisë është përjashtuar nga e drejta, apo mundësia që i jep ligji, nuk e ka as bërë zoti Llalla, as Prokuroria e Përgjithshme, sepse janë organe ligjzbatuese dhe joligjbërëse. E ka bërë Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara përmes OPDAT-it dhe Bashkimi Europian përmes EURALIUS-it. Pra, nëse një prokuror ose prokurore është përjashtuar padrejtësisht nga Prokuroria e Përgjithshme, dhe plotëson kriteret e këtij ligji, pa dyshim ju do të shikoni që unë do të kem një qëndrim krejt tjetër edhe ndaj prokurorit të Përgjithshëm, edhe ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Deri tani në të gjithë këtë proces nuk na ka rezultuar, pasi mendoj se procesi ka qenë shumë transparent, listat janë bërë publike përpara shortit, e deri tani...
Kur ju thoni që procesi i transparencës nuk është bërë ende i plotë, e thatë dhe në konferencën për shtyp, po grumbulloni dokumente të reja, keni bërë kërkesën, pse nuk pritët që t’i kishit të gjitha këto për të arritur një përfundim final, por dilni dhe thoni një gjë dhe pastaj thoni këtu që ndoshta edhe mund të ndryshojë kur të më vijnë të tjerat?
Unë pranoj edhe kritika, nuk e kam problem. Unë jam i hapur.

Ju folët për rritjen e tensionit dhe ju siguroj që deklarata juaj...
Deklarata ime nuk ka rritur tensionet, deklarata ime ka sjellë sqarime të deritanishme. Ndoshta mund të mos jenë të sakta, por unë jam në pritje që gjërat të saktësohen edhe më tej. Por vetëm transparenca i saktëson akuzat dhe kundërakuzat, të cilitdo qoftë. Po ju them këtë gjë: nuk ka qenë detyra e Kuvendit, e para, për të kryer këtë proces. Ka qenë një institucion tjetër që normalisht duhet ta niste këtë proces. Në kushtet e krijuara Kuvendi dhe unë morëm iniciativën për të zhbllokuar procesin e reformës në drejtësi. Pra, të krijimit të institucioneve të reja për hedhjen e shortit. Ky proces besoj se mori kohën e duhur.
Unë jam i bindur se bëra shumë mirë që nuk pranova që shorti të hidhej shpejt, për 24 orë, siç sugjeronin shërbimet e Kuvendit, por e shtyva disa ditë vetëm për një qëllim, pra, të bëheshin dhe një herë publike listat e kandidatëve të sjella nga institucionet. Pra, nga Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, KLD-ja dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, që do të përbënin Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Ky ka qenë një proces mjaft transparent. Procesi është bërë publik. Kanë qenë prezentë OPDAT-i, EURALIUS-i, OSBE-ja, Ombudsmani. Ka pasur vetëm një ankesë nga një gjyqtare, e cila, gjithashtu, pranonte që nuk i plotësonte kriteret e ligjit. Nuk ka pasur asnjë ankesë tjetër as nga prokurorë, as nga gjykatës. Pra, nga askush.

Ndërkohë, kemi sqaruar që Kuvendi nuk bën interpretimin nëse janë plotësuar apo jo kriteret sipas institucioneve, sepse ato janë institucione të pavarura dhe e kanë ato përgjegjësinë për të plotësuar kriteret. Në rast se dikush ankohet, pa dyshim që ka të drejtë ta çojë këtë çështje në gjykatë. Kuptohet që një rast i tillë, pra realizimi i një padrejtësie nga një institucion i ngarkonte me përgjegjësi secilin prej tyre. Dhe mbasi në publik kemi parë një akuzë shumë të fortë, shumë serioze të ambasadorit. Pra, që prokurori i Përgjithshëm ka përvetësuar frymën e Kushtetutës dhe ka përvetësuar tri vende në KED, pra në Komisionin e Emërimeve në Drejtësisë, që i takonin prokurorisë, një vend që i takonte Prokurorisë së Përgjithshme dhe dy vende që u takonin prokurorive të Apelit të nivelit të dytë. Unë jam habitur, me thënë të drejtën dhe...

Ju takuat edhe z. Llalla, në mos gaboj...?
Po, patjetër që e takova edhe z. Llalla. Jam habitur, sepse në dijeninë time dhe të sekretares së Përgjithshme, që ka drejtuar këtë proces dhe që është një juriste tepër profesioniste dhe e paanshme, kandidatët e prokurorisë ishin të vetmit që plotësonin kriteret ligjore, që kishte vënë ligji dhe që nuk i kishte vënë prokuroria dhe ishin shumë të qarta.
Por i kemi kërkuar të dhëna shtesë Prokurorisë së Përgjithshme, duke pasur një dyshim, pasi edhe këto deklarata ishin të forta, se mos prokurori i Përgjigjëm kishte kryer lëvizje në Prokurorinë e Përgjithshme apo në Prokurorinë e Apelit për të shmangur, për të transferuar ose prokurorët që i plotësonin kushtet e këtij konkurrimi, por që ky mund ta kishte bërë këtë gjë me qëllim që “të përvetësonte”, të themi, automatikisht këto vende.

Jeni ende në proces grumbullimi, apo? Si ju rezulton kjo?
Jo, rezultoi që Prokuroria e Përgjithshme, sipas shkresës së saj... Unë prandaj po them që, në qoftë se një prokuror ose një prokurore që na ndjek ne, i plotëson kushtet e këtij ligji për Komisionin e Emërimeve në Drejtësi dhe është përjashtuar në mënyrë të padrejtë, ka të drejtë të na drejtohet neve, më pas edhe gjykatës, më pas ne do ta bëjmë çështje edhe më të rëndësishme... Ajo që në rezultoi ishte për të vënë duart në kokë, me thënë të drejtën, sepse na rezultoi që në Prokurorinë e Përgjithshme, në të gjithë historinë e saj, zonja aktualisht, e cila është edhe në KED, është e vetmja magjistrate, përveçse kur ka qenë z. Ina Rama, që ka qenë kryeprokurore, e zgjedhur drejtpërdrejt edhe në Prokurorinë e Apelit dhe na rezultoi që vetëm këta persona që janë zgjedhur, janë aty...
Jo vetëm kaq...
Dhe jo vetëm kaq, por na rezultoi që, për shembull, zoti Vasili, që ka qenë anëtar i Komisionit të Ligjeve, e ka ngritur këtë shqetësim kur është bërë ligji dhe ka thënë që, po të vëmë këto kushte që duhet të kenë mbaruar patjetër për magjistraturë me 10 vjet eksperiencë...Nuk do të ketë kuadro për t’u plotësuar.
...Do ta kemi të vështirë për të gjetur individë apo për të pasur një garë apo një konkurrim, mundësi për të zgjedhur. Sidoqoftë, unë nuk dua të hyj këtu.

Atëherë, çfarë ndodhi? U çmend ambasadori amerikan, që bëri një deklaratë të tillë?
Jo, unë nuk e mendoj kurrë këtë gjë, ose ai duhet të ketë një informacion që unë nuk e kam ende, ose është dezinformuar. Mendoj se kjo është arsyeja dhe nuk ka tjetër, sepse nuk mendoj se ambasadori ka qëllim ta dëmtojë imazhin e një procesi që bën Kuvendi i Shqipërisë, për të cilin ai foli fjalë të mira, pra tha që është një proces i bërë nga Kuvendi, nga Sekretarja e Përgjithshme, në mënyrë transparente. Por neve nuk na duhet një transparencë formale në qoftë se ka gjëra të tjera, të cilat ne nuk i dimë dhe duhet t’i verifikojmë.

Një nga akuzat e tjera që përmendi Ambasadori Lu ishte fakti që, sipas tij, ka pasur përpjekje serioze nga Prokuroria e Përgjithshme për të marrë në kontroll serverin e ILDKPKI-së, pra deklaratat e njerëzve të drejtësisë, dhe jo vetëm, por kryesisht të njerëzve të drejtësisë, me qëllim manipulimin e saj për të sabotuar dhe për të penguar procesin e reformës në drejtësi. Pra, asnjë nga këto shqetësime të Ambasadorit amerikan nuk i ka ndarë me ju, nuk ju rezultojnë të vërteta, nuk ju rezultojnë së paku çështje të diskutuara, që jua kanë rrahur veshin?
Së pari, dua t’ju siguroj se ne kemi një marrëdhënie shumë të qëndrueshme, transparente, të drejtpërdrejtë me ambasadorin, më Ambasadën e Shteteve të Bashkuara apo edhe me misionin e OPDAT-it, që na mbështet për reformën në drejtësi dhe kemi një komunikim të herëpashershëm për ta pjekur këtë proces edhe para miratimit të reformës, më pas edhe të ligjeve kryesore apo qoftë edhe tani për zbatimin e saj. Unë nuk kam pasur asnjë shqetësim lidhur me hedhjen e shortit për KED-në të shprehur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo nga misioni i OPDAT-it në Shqipëri.

Kam pasur një shqetësim, një pretendim apo një sugjerim, si Kryetar i Kuvendit, përpara 2-3 javësh, kur prokurori i Përgjithshëm shpalli procedurat për zgjedhjen e zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, që është një pozicion i ri, i vendosur me ndryshimet e fundit dhe që nuk ka ekzistuar më parë.

Pretendimi ka qenë që me një interpretim më të plotë të të gjithë paketës, ky zëvendësprokuror duhet të zgjidhet nga prokurori i ri i Përgjithshëm, kur i mbaron mandati prokurorit të Përgjithshëm aktual. Pasi morëm këtë shqetësim zyrtar, kemi komunikuar me sekretaren e Përgjithshme dhe mendimi i saj dhe i shërbimeve juridike të Kuvendit, sepse kur them Sekretare e Përgjithshme nuk kam parasysh thjesht personin, por aty është një staf i tërë juridik, ka qenë që ky shqetësim ose ky vlerësim qëndronte.

Atëherë, unë kam kërkuar të komunikojë me Prokurorinë e Përgjithshme, në mënyrë që të mos bëhen veprime të kontestueshme apo të diskutueshme. Prokuroria e Përgjithshme u tregua mjaft korrekte, ndërpreu procedurat dhe dha këtë shpjegim, që ata i nisën këto procedura me idenë që të tregonin vullnetin e tyre për të kontribuar në realizimin e reformës, kështu që ky ka qenë një bashkëpunim mjaft normal.

Për rastin konkret nuk kemi pasur asnjë shqetësim konkret, madje edhe tani që flasim bashkë, unë nuk kam një shqetësim konkret, përveç deklaratës publike.
Për sa i përket akuzës së ambasadorit për serverin, a ka pasur një proces gjyqësor?
Akuza formale ka qenë për shkak se zoti Ganaj nuk kishte bëra aq sa duhej për sa u përket denoncimeve. Kjo ka qenë, të paktën, akuza konkrete në këtë proces, dhe është rrëzuar në fakt në çdo etapë, pra një proces që me sa jam unë i informuar, është ndjekur me shumë vëmendje nga SHBA-ja dhe ambasada.
Po, patjetër.

Dhe ky shqetësim ka qenë. Ajo që mua më befasoi ishte mënyra se si ambasadori Lu e shfaqi këtë shqetësim në publik.
Është e drejta e ambasadorit të shfaqë shqetësimin e tij në mënyrën e vet. Unë për këtë çështje, sepse këto janë të dyja institucione që varen nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi kreu i këtij institucioni, i ILDKPKI-së, z. Ganaj, ka ngritur këtë shqetësim, jam takuar me të...

Domethënë jua ka ngritur këtë shqetësim?
Po, jam takuar disa herë me z. Ganaj, edhe me z. Llalla për këtë çështje, edhe me praninë e sekretares së Përgjithshme të Kuvendit. Unë i kam kërkuar prokurorit të Përgjithshëm, si dhe z. Ganaj, që të jenë bashkëpunues me njëri-tjetrin për çështje që kishin të bënin me hetimin, që donte të bënte prokuroria, duke respektuar ligjin. Kanë pasur këndvështrime të ndryshme lidhur me kompetencat dhe me kërkesat e prokurorisë për të zhvilluar këtë proces hetimor për disa raste konkrete, që prokuroria pretendonte se kishte të dhëna për veprime jo të ligjshme nga ILDKPKI-ja për zyrtarë të caktuar, në mos gaboj. Ajo që unë kam insistuar është që çdo veprim të ishte i ligjshëm dhe të respektohej vendimi i gjykatës, pra të mos bëheshin veprime të cilat mund të krijonin dyshime për ligjshmërinë e tyre, dhe gjykata ka dhënë një vendim, i cili është respektuar. Unë nuk mund të paragjykoj duke thënë që ka qenë ky apo ai qëllim, sepse të hetosh për të vetmin institucion hetimor që ka Republika e Shqipërisë është një përgjegjësi shumë madhe, por unë kam pasur dijeni për këtë situatë dhe jam përpjekur që të ndikoj, si Kryetar i Kuvendit, për normalizimin e këtij raporti, si dhe për respektimin e ligjshmërisë dhe të vendimit të gjykatës.

Pra, asnjë nga shqetësimet e ambasadorit amerikan nuk ju rezulton i bazuar ndopak?
Unë nuk e thashë këtë gjë. Në qoftë se ambasadori apo dikush nga ambasada nesër vjen e më sjell një emër të prokurorit apo të prokurores, të prokurorit për shembull Sokol Balla, që ka plotësuar këto kushte, por është shmangur, është transferuar, është larguar, me qëllim që vetëm për shembull Ilir Meta të vijë në KED, atëherë, natyrisht që është shumë e drejtë, nëse jo kjo është çështje tjetër.
Nuk ju rezulton mbi faktet që ju keni grumbulluar deri tani...
Deri tani jo...
Nuk ju rezulton që Prokurori i Përgjithshëm të ketë qenë pengesë e reformës në drejtësi dhe e zbatimit të saj?
Në qoftë se quajmë pengesë një njeri që respekton ligjin për rastin aktual të KLD-së, kjo është çështje tjetër.

Akuzat e kryeprokurorit i ndoqët, i dëgjuat, u informuat me ambasadorin amerikan?
Nuk dua të prononcohem për to. Unë nuk jam këtu për t’u bërë as avokati i kryeprokurorit, as për t’u bërë prokurori i ambasadorit, se është e tepërt.
Dakord. Ka vetëm një koincidencë...Unë jam këtu për të kërkuar bashkëpunim nga të gjitha institucionet, për të vazhduar me transparencë të plotë reformën në drejtësi, sepse kjo është një përgjegjësi shumë e madhe për ne dhe situata politike sa vjen dhe ndizet në vend, se po afrojnë zgjedhjet dhe nuk është e favorshme.

Ka vetëm një koincidencë, z. Meta, që deklaratat e z. Lu kanë ardhur, në mos gaboj, një ditë pasi ju keni marrë letrën. Pra, ju kishit 24 orë që kishit letrën e z. Llalla për këto akuza?
Letra e z. Llalla duhet të ketë disa ditë më shumë, por unë nuk shoh ndonjë lidhje midis këtyre të dyjave.
Jo, fakti që kur morët atë letër...
Letra e zotit Llalla nuk ka qenë për publikun. Ajo ka qenë një letër..
E shpërndau vetë kryeprokurori pastaj...
E shpërndau, pasi u akuzua publikisht.
Ajo ka qenë letër për Presidentit dhe për Kryetarin e Kuvendit, si dy institucione që e kanë zgjedhur dhe ai ka gjykuar që duhet të japë informacion. Kaq.
Ju bëtë një deklaratë në konferencën e ditës së premte kur thatë që reforma në drejtësi nuk është pronë e askujt përveçse e shqiptarëve.
Është e vërtetë.
Është e vërtetë. Megjithatë është po ashtu e vërtetë që kjo reformë pa dyshim pati një sponsor të fuqishëm, Shtetet e Bashkuara ose së paku ambasadën amerikane dhe shërbimet bashkëngjitur asaj, apo jo?
Patjetër.
Z. Lu, siç e thatë edhe ju në fillim, është një ambasador i posaçëm për shkak të asaj që ai përfaqëson. Pra, ai “e ka një të drejtë” ekstra sovraniteti të institucioneve shqiptare për të thënë diçka më shumë edhe për këtë reformë, apo jo?
Patjetër. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në tërësi dhe natyrisht edhe ambasadori Lu në veçanti në rastin konkret, kanë një vend të veçantë, sepse Amerika ka një vend të veçantë në raportet tona dhe ne e kemi pranuar këtë gjë. Të jeni të sigurt se po të ishte ambasadori i një vendi shumë modest, kam përshtypjen që shumë prej veprimeve dhe sjelljeve do të ishin pak si të papranueshme nga...

Reagimi juaj e linte të kuptohej si të papranueshme këtë.
Derisa ne kemi vendosur me bindje të plotë që Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë kryesor strategjik, janë partneri ynë strategjik dhe ata kanë investuar mjaft, kanë sponsorizuar në radhë të parë Shqipërinë në NATO, shpëtimin e Kosovës nga genocidi, për sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe shumë arsye të tjera, mbështesin integrimin europian të Shqipërisë, ky është një element tepër pozitiv.

Ne pa dyshim që pranojmë edhe kritika, edhe publike, sepse pa dyshim që kemi nevojë edhe të përmirësohemi më tej, por absolutisht asnjë ambasador nuk mund të zëvendësojë institucionet në Shqipëri, sepse nuk e ndihmon Shqipërinë të ecë përpara dhe të ndërtojë institucione të qëndrueshme. Asnjë ambasadë nuk mund ta bëjë këtë gjë, madje do të thosha asnjë shtet nuk mund ta bëjë këtë gjë dhe as nuk e ka vullnetin dhe as nuk ka politikën për ta bërë këtë gjë.

Në këtë drejtim kontributi më i madh që mund të jepet është gjithmonë në partneritet, duke mbështetur, duke ndihmuar, duke i konsoliduar institucionet shqiptare, sepse mandati i ambasadorëve është një mandat i përkohshëm 3 deri në 4 vjet, ndërsa reforma që ne duam të bëjmë, praktikisht e drejtësisë, është një reformë që do të ketë impakt për 20-30 vjetët e ardhshëm të Shqipërisë dhe të raportit të partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara apo me Bashkimin Europian. Kështu që reagimet e tij janë gjithmonë të mirëpritura, absolutisht, por është e rëndësishme që të jenë gjithmonë ( jo vetëm reagimet e ambasadorit po të kujtdo) edhe të mirargumentuara.
Qëllimi ynë është të zgjidhim problemet, nuk është të krijojmë ndonjëherë edhe probleme të paqena dhe kjo kërkon një bashkëpunim më të ngushtë institucional.

A është bashkëpunim z. Meta, pasi është folur shumë jo për raportin tuaj me Amerikën, pasi ju, në mos gaboj, përfshi edhe janarin, në 6-7 muajt e fundit, i keni vizituar 5 herë Shtetet e Bashkuara...
Jini i qetë, raporti im me Amerikën është një raport tepër solid, tepër i vërtetë dhe thelbësor.

Po ju pyesja për raportet me ambasadorin Lu.
Kjo është një pyetje pa vend, sepse...
Ai është përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Shtetit e mbështeti në përballjen e tij me kryeprokurorin...
Patjetër. Nuk kam dëgjuar që Departamenti i Shtetit të ketë thënë ndonjë gjë për Komisionin e Emërimeve në Drejtësi, se, po të ketë thënë ndonjë gjë, unë jam i gatshëm të sqaroj Departamentin e Shtetit, të sqaroj Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara, që është mjaft i interesuar, të sqaroj Departamentin e Sigurisë Kombëtare, Kongresin, Senatin, Shtëpinë e Bardhë.

Pra, ju po thoni që reagimi i Departamentit të Shtetit ishte më tepër simbolik sesa për çështjet konkrete?
Jo, reagimi i Departamentit të Shtetit mendoj që ishte mjaft normal. Pa dyshim të gjithë ne e mbështesim ambasadorin Lu në punën që bën dhe që do të vazhdojë të bëjë, por keqinterpretimi nganjëherë nga mediet mendoj se është i lirë dhe nuk ndihmon askënd.

Në rastin konkret në ç’kuptim keqinterpretim?
Pra, përpjekja për të kthyer një qëndrim shumë normal, mbështetës në një pozicionim për një çështje konkrete.

Pra, ju thoni se reagimi nuk kishte lidhje me KED-në, ishte thjesht një mbështetje në përgjithësi?
Unë nuk dëgjova gjë për KED-në. Po të ketë gjë për KED-në, unë do t’i jap përgjigje Departamentit të Shtetit, sepse unë, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, jam përgjegjës për organizimin e KED-së, kështu që të mos ngatërrojmë një qëndrim mjaft normal të Departamentit të Shtetit, mbështetës për reformën në drejtësi, me politikën e ambasadës ose të ambasadorit për një çështje konkrete. Të mos i ngatërrojmë këto gjëra, se ne i ngatërrojmë më shumë!

Dakord. Ky sqarimi që ju bëtë sot, të paktën mua më shpjegon arsyet. Më shpjegon arsyet pse ju mbajtët atë qëndrim, le të themi, pak rigoroz dhe shumë të rreptë në daljen tuaj.

Nuk ka qenë rigoroz, qëndrimi ka qenë shumë transparent.

Por i rreptë...
Unë tani po pres nga ju dhe nga kushdo qoftë, prokuror ose prokurore, që është përjashtuar padrejtësisht nga gara me qëllim që Adriatik Llalla, më falni që po e përmend me emër, si person, të përvetësojë tri vende në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Pra, po pres që të më thoni, unë jam fjala bie Sokol Balla, unë i kam plotësuar kushtet sipas ligjit, 10 vjet eksperiencë, Magjistraturë, u transferova, u hoqa në mënyrë që aty të dilte fjala bie Ilir Meta.
Kalojmë te një temë që brenda letrës së zotit Llalla përmendej për herë të parë termi, epiteti, “sorosian”. Ky është një term që është bërë shumë popullor, muajt e fundit edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë për shkak të armiqësisë midis presidentit të ri të SHBA, Donald Tramp, dhe miliarderit të famshëm, Xhorxh Soros, i cili është akuzuar ose anatemuar se ka mbështetur një pjesë të mirë të shoqërisë civile dhe politikës, kryesisht Edi Ramën dhe grupin e të rinjve, që ai solli në PS. Këto akuza i fundit i bëri z.

Llalla, por më herët në këtë studio, jo tamam akuzë, por deri diku, e bëri z. Manjani nga partia juaj dhe e bën rregullisht opozita e PD. Ju si jeni në këtë frontin antisorosian? Cili është pozicioni juaj?
Në dijeninë time, Partia Demokratike nuk i ka kaq të vështira raportet me ata që po quan sorosianë, në kuptimin e mirë të fjalës, se nuk dua t’i jap asnjë konotacion negativ, dhe kjo nuk ka asnjë rëndësi, për mua rëndësi kanë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pse? Sepse këto kanë rëndësi për vendin tim. Nuk ka rëndësi fare se kush fiton atje dhe cila është, do të thosha, administrata atje, e kështu me radhë. E rëndësishme është që ky të jetë një raport i fortë dhe që interesat e Shqipërisë, interesat e shqiptarëve në rajon të respektohen dhe të jenë në një linjë me interesat e Shteteve të Bashkuara në rajon. Ky është interesi.

Interesat e Sorosit, a ka ndonjë devijim nga kjo?
Unë nuk dua të komentoj interesat e Sorosit, sepse në fund të fare, siç e thatë edhe ju, ai miliarder është, domethënë nuk është se ka ndonjë përgjegjësi shtetërore. Qëllimi i tij është të fitojë sa më shumë, ku të mundet...
 

E si të mundet...
Nuk do të bëj hetime për Sorosin, dhe nëse ai, se kur flasim për Sorosin, nuk është thjesht problemi i Xhorxh Sorosit si individ, por i një strukture të tërë që dëshirojnë të ndihmojnë Shqipërinë në aspekte të ndryshme,  dhe kjo është mjaft pozitive. Por nëse përpiqen të krijojnë probleme të panevojshme, dhe aq më tepër të identifikohen si përfaqësues të politikës së Shteteve të Bashkuara në mënyrë jo korrekte, kjo pastaj është një çështje tjetër.

Keni ndonjë sinjal për këtë shqetësim të fundit?
Jo, nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Unë e kam të qartë politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edhe ju e keni përdorur termin “sorosian”, por për median kryesisht. “Mediat sorosiane”, në mos gaboj, është një citim juaji.
Nuk ka ndonjë gjë të keqe që disa media financohen dhe janë financuar nga Sorosi.

Nikoll Lesi, në këtë rast...
Dikur po, por tani kam frikë se jo!

Tani po akuzohet se është afër jush. Kishte bërë edhe një citim për sa u përket dylbive të LSI-së. Por le të flasim pak për magjinë e numrit “71”. Megjithatë, t’ju bëj një pyetje, a ka një problem LSI-ja me reformën në drejtësi, z. Meta?
LSI-ja nuk ka asnjë problem me reformën në drejtësi. Ka një problem të madh, sepse, duke qenë forca më transparente, më koherente, më konsistente për çështjen e reformës në drejtësi, ka një pakënaqësi të madhe nga të gjithë aktorët e tjerë, të cilët nuk i kanë dëgjuar me vëmendje kërkesat e drejta dhe tepër transparente të LSI-së, sepse, po t’i kishin dëgjuar, reforma në drejtësi do të kishte filluar të zbatohej prej kohësh.
Dhe i gjithë ky tension, gjithë ky presion dhe gjithë ky konflikt që është bërë lëmsh rreth reformës në drejtësi dhe që na rrezikon dhe mund të na komprometojë edhe kredibilitetin e ndërtimit të të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë që është momenti më i rëndësishëm, pa dyshim që do të ishte evituar.
Pra, ne do ta kishim filluar zbatimin e reformës. Pse e them këtë gjë? Sepse LSI-ja që në fillim ka qenë një mbështetëse e qartë e reformës dhe e ka bërë të qartë se kjo reformë mund të ketë sukses vetëm nëse bazohet në dy kolona: standardet e Venecias, dhe konsensusi, i cili mund të arrihej vetëm mbi bazën e standardeve të Venecias.
Njëkohësisht, gjatë gjithë këtij procesi qëndrimi ynë ka qenë më  i qarti dhe më i qëndrueshmi nga fillimi deri në fund. Nëse do të ishte bërë një takim midis të gjithë aktorëve kryesorë, disa muaj përpara, qëkur erdhi miratimi ose opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias, reforma do të ishte zgjidhur shumë shpejt.

Z. Meta, t’i rikthehemi pak mënyrës me të cilën ju vlerësuat reagimin e ambasadorit amerikan, dhe në përgjithësi “kokat e qeta”, që ju thoni se “duhet të flasin në raste të tilla, përndryshe çmendin të gjithë vendin”. Si i gjykoni masat e marra nga Ambasada e SHBA-ve për heqjen e vizave të 23 gjyqtarëve dhe prokurorëve, përfshirë edhe prokurorin Adriatik Llalla?
Sa i takon çështjes së vizës së kryeprokurorit, me aq sa kam unë informacion, këto janë çështje që Shtetet e Bashkuara nuk i komentojnë, janë çështje individuale...

Deri diku, në këtë rast kanë bërë përjashtim...
Nuk i di se si i kanë rregullat e tyre, por mund t’ju them që unë shkoj edhe më larg. Pra, meqenëse ka ndodhur që bashkëshortja e tij ka lindur në Shtetet e Bashkuara më 31 dhjetor, dhe meqenëse ajo ka pasur një vizë diplomatike 5-vjeçare, e cila nuk është për qëllime të tilla, por që sipas kryeprokurorit, ai duke mos qenë gjinekolog, s’ka pasur mundësi të kontrollojë këtë lloj procesi, mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë bërë shumë mirë që ia kanë hequr vizën bashkëshortes së z. Llalla.
Dhe në rast se rregullat e tyre e kërkojnë që kjo gjë të merret dhe për bashkëshortin, kanë bërë shumë mirë që ia kanë hequr dhe bashkëshortit. Unë shkoj edhe në një hap më tej, në rast se kjo ka qenë një lindje e planifikuar nga bashkëshortja e z. Llalla, me qëllim që fëmija të përfitojë shtetësinë amerikane, që t’i heqin edhe shtetësinë fëmijës së z. Llalla dhe askush në të ardhmen të mos  e përdorë në të ardhmen, në rast se ky ka qenë qëllimi. Z. Llalla pretendon diçka tjetër, që kjo ka ndodhur për arsye shëndetësore, të pamundësisë për të lëvizur (kjo nuk është detyra ime), t’i heqin edhe vizën djalit të zotit Llalla, edhe shtetësinë, edhe çdo gjë. Por, natyrisht kjo nuk ka të bëjë me raportin me Prokurorinë  e Përgjithshme si institucion, jo thjesht me zotin Llalla si një individ.

Z. Meta, si u duk perceptimi pas shpërthimit të konfliktit Donald Lu, Adriatik Llalla dhe qëndrimit që morët ju ditën e premte? U duk sikur nga ambasada po vinte sugjerimi që zoti Llalla ka shkelur ligjin, ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur rregullat...
Mua nuk më ka ardhur asnjë shqetësim i tillë, sepse Kushtetuta ka nen, ka germë, ka presje, ka dhe pikë, po kështu dhe ligji.

Por u duk një sugjerim i ambasadës për një impeachment”, për një shkarkim të Adriatik Llallës, pasi ka shkelur gjithë këto gjëra dhe  u duk sikur ju e mbrojtët atë...
Unë nuk e kam kuptuar kështu, ju  e keni kuptuar gabim, ndoshta, mendoj unë. Unë  e kam kuptuar që ambasadori ose ka të dhëna që prokurorë dhe prokurore të caktuara janë përjashtuar në mënyra të ndryshme nga z. Llalla për këtë gjë, sepse nuk mund të themi që këtë ligj e bëri z. Llalla. Ligjin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, përkundrazi ky është një ligj i bërë nga Parlamenti i Shqipërisë, me mbështetjen e OPDAT-it dhe të EURALIUS-it. Pra, ose ka këtë informacion, ose  ka qenë i dezinformuar nga dikush që ai e beson plotësisht, pa e verifikuar dhe ka mbajtur këtë qëndrim, të dyja janë të mundshme.

Po një mundësi e tretë e mundshme mund të jetë z. Meta, që ai ka këto informacione, por nuk ka besimin t’i ndajë me institucionet shqiptare, përfshirë dhe parlamentin? 
Unë besoj se asnjë ambasador, kushdo qoftë, nuk ka të drejtë të ketë një paragjykim të tillë, përkundrazi, sepse shteti shqiptar ka institucione, në qoftë se nuk beson te parlamenti, ka Presidentin, dhe shqetësimin e tij mund ta ndajë me Presidentin, ka edhe institucione të tjera dhe askush nuk mund të marrë përsipër të bëjë as prokurorin në Shqipëri, as Gjykatën Kushtetuese dhe asnjë lloj institucioni tjetër.

Një nga të ftuarit  e mi në emisionin e kaluar, Lorenc Vangjeli, tha se shumë shpejt mund të ketë një listë politikanësh, listë të zezë, për përjashtim vizash për politikanët. Ju e besoni këtë?
Nuk e di, Lorenci nuk ma ka thënë këtë gjë, edhe pse jemi në komunikim të vazhdueshëm, dhe kjo nuk më intereson fare. Kjo është një kompetencë  e zyrave konsullore të ambasadave.

Po i rikthehem edhe një herë pyetjes së parafundit. Për masat    që po merr Ambasada Amerikane për pezullimin, revokimin apo moslejimin, madje  deri tek aplikimit për vizë nga prokurorë e gjykatës, a keni një koment, një vlerësim për këtë? Pasi këto po interpretohen si masa ndëshkuese ndaj masës së prokurorëve dhe gjykatësve në prag të zbatimit të procesit të vetingut. Znj. Gashi, që ju thatë se është e vetmja, e cila është magjistrate, prokurore dhe anëtare e KED-së, është një nga personat që u anatemua më shumë nga Ambasada e SHBA-ve...
Për çfarë është anatemuar, sepse unë nuk e di? Çfarë ka bërë znj. Gashi?

Znj. Gashi ka bërë dhe një letër publike për këtë, në mos gaboj...
Po ç’rëndësi ka, por çfarë ka bërë që është anatemuar, sepse unë nuk e di që është anatemuar dhe nuk e kuptoj pse duhet të anatemohet? Ndërkohë, mendoj se duhet të përgëzohet, sepse njësia e  dekriminalizimit, që ajo drejton, sipas letrës që më ka dërguar mua, ka filluar të japë rezultate shumë të mira, pavarësisht  nga presionet që ajo mund të ketë pasur nga njerëz me ndikim politik, pra që kjo njësi që të mos bëjë veprimet që duhet të bëjë, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.

Folët siç foli Adriatik Llalla, në letrën që ju ka dërguar juve...
Kam marrë një letër tjetër nga zonja në fjalë  dhe e kam takuar për herë të pare në jetën time zonjën në fjalë, për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Jam habitur nga ajo që kam dëgjuar, por nuk kam ndër mend të bëj komente për këtë çështje.

Jeni habitur nga mënyra se si ajo është trajtuar nga Ambasada Amerikane dhe nuk doni të bëni një koment?!
Jo vetëm ajo, por edhe titullarë të tjerë, sikurse është rasti i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, se kam marrë një letër edhe nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese e kështu me radhë. Megjithatë, dua të mbaj një qëndrim për këtë çështje, sepse nuk dua të merrem me çështje, të cilat ambasada apo SHBA-të e gjykojnë si individuale apo private.
Nuk do të ketë dy procese vetingu dhe as tre procese vetingu. Pra një proces vetingu i bërë nga Seksioni Konsullor i Ambasadës Amerikane, një proces vetingu i bërë nga Seksioni Konsullor i Ambasadës Gjermane, një nga ai i Ambasadës Greke, një nga ai i Ambasadës Italiane apo Franceze. Do të ketë vetëm një proces vetingu, që do të bëhet sipas institucioneve shqiptare, natyrisht me vëzhgimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.
Kështu që ambasada mund t’ua heqë vizat të gjithë prokurorëve, të gjithë gjyqtarëve, por kjo nuk do të thotë se është e mjaftueshme për t’i përjashtuar nga sistemi, në rast se nuk do të paraqiten prova të rëndësishme dhe serioze gjatë procesit të vetingut.
Kështu që të gjithë prokurorët dhe të gjithë gjykatësit që janë të ndershëm, të mos shqetësohen fare as nëse kanë vizë, as nëse iu hiqet viza, të vazhdojnë punën, të vazhdojnë proceset që kanë me kriminelët, që kanë me banditët, që kanë me dosje korrupsioni, që kanë me çështjet e kanabisit e kështu me radhë dhe me të gjitha çështjet tjera, pa asnjë merak. Kush mendon ose kush e ndjen se është i korruptuar, që ka probleme të ikë dhe të mos presë as t’i  heqë vizën Ambasada Amerikane, as Ambasada Greke, as Ambasada Italiane.

Z. Meta, në komisionet e vetingut sot “Top Chanel” raportoi lajmin se ka vetëm 12 kandidatura dhe alarmi ka rënë edhe në Bruksel, pra edhe Bashkimi Europian është e shqetësuar dhe u bënë thirrje juristëve që të aplikojnë. Ndërkohë, ka pasur edhe shqetësime në institucione të tjera, ku duket se njerëzit e drejtësisë aktuale, por edhe juristët që plotësojnë kushtet  po e  shikojnë pak me ngurrim pjesëmarrjen në  këto institucione...
Nuk kam qenë dakord me këtë retorikën demonizuese, përgjithësuese ndaj sistemit të drejtësisë, pasi ne të gjithë e dimë dhe e kemi pranuar se reforma që po bëjmë ne është një revolucion, është shpërbërje e një sistemi dhe krijimi i një gjëje të re nga themelet.
Derisa të gjithë e kanë pranuar këtë gjë, do të thotë se  pranojmë që situata e drejtësisë, e korrupsionit, e mosfunksionimit dhe e kalbëzimit të këtij sistemi është një situatë alarmante apo edhe një situatë edhe ulëritëse patjetër. Por, ndërkohë, që ndërmerret një masë  të tillë nuk ka nevojë që çdo ditë ne politikanët dhe diplomatët të dalim në televizione dhe të themi: “Gjykatësit e korruptuar, prokurorët e korruptuar”, sepse ky përgjithësim është shumë i gabuar.
Të mos harrojmë se kemi shumë kriminelë të rrezikshëm në burgje. Kush ka firmosur për ta, ndërkohë që politika shpesh bën presion që ata të  lirohen? Janë prokurë që nuk kanë as parti nga pas, janë njerëz që kanë  fëmijë, janë gjykatës që kanë dhënë vendime. Dua të them edhe këtë: edhe prokurori më i korruptuar këtë lloj pune ka, ka dënuar një hajdut, një xhepist, një kriminel, një bandit, një të korruptuar e ku di unë, edhe ai më i korruptuari, edhe gjykatësi më i korruptuar e ka bërë, se atë lloj pune ka. Mos kujto ti se edhe njërit që i takonte të dënohej me 20 vjet dhe u  dënua 10 vjet, po ta fal apo po ta di për nder.

Ky nuk është kriter që ai të kalojë vetingun..
Jo, jo, absolutisht, të gjithë të mos ikin nga  ajo. Asnjë të mos e kalojë vetingun. Po t’i kur ke parlamentin aty që ke gjithë ato probleme, nuk mund ta kthesh të gjithë këtë histori në një histori populiste dhe  të shfrytëzosh një ndjeshmëri të drejtë të qytetarëve për këtë reformë dhe për këto probleme, duke   i bërë  të gjithë prokurorët sikur të jenë të gjithë banditë, sikur janë të gjithë kriminelë, duke i bërë të gjithë gjykatësit kështu, e di se çfarë  do të ndodhë?  Që për SPAK-un që themi ne, Prokuroria  Speciale me ato kushte, me ato kritere, me këtë imazh  që  ne po krijojmë  për këto  institucione, do të duhet shumë e shumë kohë për t’u  përmirësuar,  kam frikë se nuk do të pranojë njeri.
Kështu që ky alarm   ka të bëjë me atë  që ne duhet t’i japim fund  populizmit për sa i takon reformës në drejtësi. E vetmja  mënyrë tani për të ecur përpara është vetëm  transparenca, zbatimi i Kushtetutës dhe i ligjit, sepse   edhe normat kushtetuese që ne kemi miratuar dhe ligjet për shkak edhe  të këtij presioni, sepse  e gjithë reforma  u bë në një presion, në një rrëmujë mediatike, armiq, miq të reformës, ajo që them unë është kjo:  fajin e ka korri i reformës.
U  krijua një kor: reforma, reforma, por  asnjë nuk dinte se çfarë ishte reforma nga  këta që flisnin, vetëm: reforma, reforma. Heqim këtu, të heqim këta, reforma, reforma, reforma dhe pastaj do të  vijmë në situata ku shikojmë  se kemi bërë edhe ndonjë gabim, ndërkohë që tani është momenti për të  zbatuar vetëm Kushtetutën, vetëm ligjin dhe për t’u sjellë me transparencë.
Vetingun të mos e kalojë asnjë, por kjo nuk do të thotë të bëjmë dënime  kolektive,  sepse jemi në një moment  kur dekriminalizimi duhet të vazhdojë, sepse është një proces mjaft jetik edhe për zgjedhjet. Jemi në një moment  kur  vendi po shkon në zgjedhje dhe tensioni duam  apo nuk duam ne, do të rritet.
Janë gjithë këto procese. Kush do t’i ndjekë? Do t’i ndjekin këta  prokurorë që janë deri sa të krijohen institucionet e  reja. Janë gjithë këto gjyqe. Kush   do t’i bëjë? Do të fillojnë të japin dorëheqjen të gjithë gjyqtarët. Do të thotë ai: “ E kaloj vetingun, nuk e kaloj vetingun, e marr vizën, nuk e marr vizën. Çfarë po më duhet mua?”. Ke parasysh që një bandit të lirohet edhe bëhet  zhurmë e madhe: u lirua për zgjedhjet, u lirua kështu, ashtu. Mendo  tani  në prag të zgjedhjeve, cilin ndihmon kjo?

Zoti Meta që të sqarojmë shikuesit  pasi jo të gjithë  shikuesit  janë  as simpatizantë me ju, as  simpatizantë me idetë tuaja dhe është gjithmonë ajo vija e kuqe e hollë që dikush mund t’ju interpretojë me të drejtë dhe të thotë: “Z. Meta ka shqetësim, sepse reforma mund të dështojë tani për shkak të kësaj situate të krijuar”, por ama dikush tjetër mund të thotë: “Z. Meta po merr  në mbrojtje sistemin e vjetër të drejtësisë”.
Absolutisht, unë nuk pyes për dëngla morale.
E para,  të gjithë që na dëgjojnë duhet ta dinë. Këtë po e  them pa modesti  që nëse  z. Meta nuk do të kishte  qenë shumë i qartë dhe  aq këmbëngulës për konsensusin dhe nuk do të kishte ndërprerë  në mëngjesin e  21 korrikut seancën plenare, ku komisioni i posaçëm, nuk reflektoi  atë që u arrit me konsensus pas ndërhyrjeve të Ndihmëssekretares Nuland  dhe pas  ndërhyrjeve  së Komisionerit Hahn me kërkesën time nuk u reflektuan, në Shqipëri sot  do të ishte një Shqipëri tjetër edhe kjo që është, pavarësisht nga ankesat që kemi, nuk është ajo që duan   ata që na dëgjojnë.
E para, rekomandim pozitiv  nga Komisioni Europian kurrë nuk do të kishte pasur Shqipëria, po të mos  ishin miratuar me konsensus me opozitën, siç u miratua. Ne pamë  që u zgjidh pa vështirësi ajo, kur u gjet  vullneti  që të uleshin të gjithë bashkë, gjë që unë  e kisha kërkuar prej kohësh.
Pra, z. Meta është këtu për të mbrojtur  stabilitetin e vendit, është këtu për të mbrojtur reformën në drejtësi. Të gjithë ata që mashtrojnë dhe gënjejnë dhe të gjithë këta servilët e ambasadave,  të ambasadorit   se edhe ambasadori ndonjëherë gabon kam përshtypjen, sepse   e  dezinformojnë. I kam thënë.
Duhet  të kemi shumë kujdes, sepse  ngaqë njerëzit këtu e  duan shumë Amerikën,  ambasada i kam thënë, është target për t’u manipuluar. Sepse unë dua të informoj sipas  interesit  tim, tjetri sipas interesit të tij. Unë i kam thënë, nuk kam asnjë interes të tillë. Te  unë hajde sa herë të duash, atë  që ta them një herë, të jesh i bindur se  do ta them deri në fund, në kuptimin më të mirë të fjalës. Shtetet e  Bashkuara  e kanë ditur  prej kohësh qëndrimin tim, ai ka  qenë qëndrim me shkrim  për reformën.
Nëse opozita vërtet  nuk do të vinte të votonte reformën, ne do ta kishim votuar siç e kishim thënë, por ajo do të ishte një ditë e keqe për Shqipërinë dhe për vetë reformën, një reformë e njëanshme. Pavarësisht me qëllimet e mira të saja për drejtësinë, nuk mund të prodhonte dot një drejtësi të besueshme dhe të paanshme.
Ndaj, unë jam për këtë gjë, zotëri; që çdo prokuror, çdo gjykatës, i cili rezulton se ka probleme, i cili rezulton se është i korruptuar, që nuk justifikon pasurinë e tij, që ka bërë gabime të mëdha profesionale e të tjera, të ikë nga sistemi, nga i pari deri tek i fundit.
Por ama, unë jam kundër që të terrorizojmë padrejtësisht edhe shumë njerëz të tjerë thjesht në emër të reformës, thjesht në emër të vetingut, thjesht në emër të vizave e kështu me radhë. Sepse ne rrezikojmë të krijojmë një sistem të arbitraritetit dhe jo të shtetit të së drejtës, prandaj unë kam qenë dhe jam vetëm për transparencë, për asnjë gjë tjetër.
Madje, jua kam thënë të gjithëve më parë: hajdeni, të mblidhemi të pestë! Pse duhet të shkojmë një herë te Berisha, një herë te Basha, një herë te Rama, një herë te Meta, një herë te ky?! Hajdeni një herë të gjithë bashkë, ky është raporti. Për problemet që nuk merremi vesh, të ulemi, t’i zgjidhim bashkë, sepse kështu nuk vazhdohet kjo histori.
Unë kam qenë gjithmonë për transparencë dhe jam për stabilitetin e vendit, se reforma na duhet për stabilitet, sepse, po u bë rrëmujë këtu, çfarë korrupsioni do të luftosh ti nëse del krimi i organizuar të shpërthejë rrugëve?!

Z. Meta, në emër të transparencës, pse ratë dakord për shkarkimin e z. Ylli Manjani?
Për çështjen e raportit të Kryeministrit me ministrat unë kam bindjen time, që duhet të jetë një raport bashkëpunues. Unë jam dakord që qeveria të jetë kolegjiale, që ministrat t’i shprehin mendimet, por jam edhe për funksionimin në ekip dhe gjithmonë i kam inkurajuar dhe i inkurajoj të gjithë për një bashkëpunim sa më të ngushtë.
Në rastin konkret ka pasur disa herë debat ose prej kohësh ka qenë një marrëdhënie pak e vështirë e z. Manjani me Kryeministrin Rama, dhe kjo u duk që mund të mos ndihmonte më tej në funksionimin më të mirë të qeverisë.
Jo se disa çështje që ai i ka ngritur edhe në publik, pavarësisht nga toni dhe mënyra, nuk qëndrojnë, përfshirë edhe atë të luftës kundër fenomenit të kanabisit, por një ministër, para se të ngrejë shqetësime apo të ngrejë çështjen e angazhimit të ushtrisë në publik për një fenomen të tillë, duhet të kërkojë, në radhë të parë, që kjo gjë të ngrihet në qeveri apo në një tryezë politike të koalicionit e kështu me radhë.
Përmenda një rast për të thënë se ai mund të ketë pasur edhe shqetësime të drejta, por rruga institucionale dhe mosbërjes së surprizave të njëri-tjetrit është rruga më e mirë që forcon frymën e bashkëpunimit.

Ju thatë se një pjesë e kritikave të z. Manjani janë të vërteta. Në fakt, z. Manjani, qoftë në konferencën për shtyp të largimit të tij, qoftë edhe, në mos gaboj, edhe dy ditë më parë, vazhdoi me kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe kritika para dy ditëve për projektin e 1 miliardëve, sipas tij janë paratë e drogës që po kërkohen të riciklohen në ekonominë e vendit përmes një projekti të qeverisë “Rama” për mandatin, si ofertë e mandatit të dytë, është shumë kritik serioze. Nuk e di nëse ju e mbështesni apo keni një informacion për këtë?
 Nuk mund të komentoj çdo status në facebook, së pari.
Së dyti, për sa i përket çdo koncesioni, qëndrimi im dhe i LSI-së ka qenë, është dhe do të jetë që çdo koncesion të kalojë në Parlamentin e Shqipërisë. Pra, në mënyrë më transparente, aty ku është edhe opozita, sepse bëhet fjalë për angazhime, të cilat e kalojnë mandatin e një qeverie të vetme dhe në fund fare janë detyrime të vendit, të shtetit. Kjo është përgjigjja ime.
Kush ka të dhëna të tjera, ka institucione të tjera që merren me këto punë.

Z. Meta, në fakt, nuk është vetëm z. Manjani, janë edhe ministri Koka, deputeti Tavo, që kanë qenë të ashpër në kritikat e tyre për zonat politike, elektorale ku ata operojnë, për Durrësin dhe Gjirokastrën, por kanë qenë kritika të forta dhe të ashpra drejtuar policisë. Çfarë po ndodh? Çfarë është kjo situatë? Duket një situatë e re, që njerëzit kanë nevojë ta dinë se çfarë po ndodh realisht edhe brenda maxhorancës, edhe në radhët e policisë, edhe në raportet me ministrin Tahiri, të cilat janë konsideruar, së paku, në qarqe politike dhe mediatike, gjithmonë të vështira midis atij dhe LSI-së apo posaçërisht midis atij dhe jush? Unë e di që ju mund të përsërisni fare thjesht dhe të më thoni: unë nuk kam komente për Saimir Tahirin, por...
Së pari, të mos e ulim nivelin e bisedës, sepse nuk kam asnjë problem jo vetëm me z. Tahiri, por me askënd tjetër.
Së dyti, të mos themi se tha diçka z. Koka për policinë me kanabisi apo qoftë edhe z. Tavo dhe bënë herezi. Ndoshta mënyra e deklaratës...

Edi Rama e quajti gabim dhe e paralajmëroi z. Koka publikisht që mos ta përsëriste këtë herë tjetër.
Mund të jetë më e përmbajtur, por fakt është se ka segmente brenda policisë, të cilat e tolerojnë apo bashkëpunojnë me këtë fenomen. Ju e dini se ka pasur ndalime, ka procese e të tjerë, se nuk mund të themi tani se policia merret me këtë punë.
Ky do të ishte një gabim i madh, ashtu sikurse kemi deputetë në parlament që kanë pasur probleme me dekriminalizimin apo mund të kenë ende, por nuk mund të themi tani që i gjithë parlamenti dhe të gjithë deputetët merren me këtë punë. Kjo është një luftë e vazhdueshme.
Ata që janë në qeveri duhet t’i ngrenë këto shqetësime më fort në qeveri, brenda qeverisë, sepse është e lehtë që secili prej nesh të thotë diçka në publik, por në publik e thotë ose ka të drejtë morale ta thotë më shumë dikush i cili nuk është në qeveri, se nuk ka ku e thotë atje ose nuk është në parlament.

Z. Meta, pse duket sikur, të paktën reflektimi publik është... OK, dakord, ju thatë se e keni sqaruar më shumë se një herë se raportin e Kryeministrit me ministrat ia keni lënë Kryeministrit. Megjithatë, të paktën në perceptimin publik duket sikur LSI-ja ka bërë ndonjëherë edhe lëvizje të sforcuara ministrash, ndërkohë që, nga ana tjetër, juve, si bashkëkryetar i koalicionit, nuk ju kemi parë të jeni kritik ndaj ministrave apo ndonjë ministri të Partisë Socialiste. Të paktën ky është perceptimi publik.
Unë jam kritik, në radhë të parë, ndaj ministrave të LSI-së. Kjo është mënyra më e mirë për të kontribuar për mirëqeverisjen.

Por nuk ju kemi parë që të jeni kritik. Pra, edhe kritika, për shembull, e Z. Tahiri thuhej nën zë, kritikohen segmente të policisë, hidhen tek-tuk shigjeta nga Gjirokastra apo nga Durrësi, por realisht ju shmangeni kritikave ndaj ministrave të partisë tjetër të koalicionit.
Unë mendoj se është një e drejtë që i takon Kryeministrit...

Por nëse do të ishte në dorën tuaj, a do të kishit ndryshuar? Z. Lu, për shembull, të cilin ju vazhdoni ta konsideroni mik, ka thënë se ka ministra që e turpërojnë Shqipërinë. Pra, a mendoni ju se zgjedhjet për ministra mund të kishin qenë më të mira nga këto aktuale?
Jo, nuk dua të hyj në këto çështje. Qeveria ka nevojë gjithnjë për t’u përmirësuar. Ministrat duhet ta dinë se ata nuk janë të pazëvendësueshëm, madje këshilla ime për çdo ministër është: duhet të sillesh sikur nuk do të jesh nesër në këtë detyrë, pra mos u sill sikur do të jesh këtu përgjithmonë, në kuptimin edhe të ligjshmërisë, edhe të raporteve me njerëzit, me detyrën e të tjera, sepse, nisur edhe nga përvoja jonë, se ka raste kur dikush bëhet ministër harron se çfarë ka qenë, e kap euforia dhe mendon se do të jetë gjithmonë.
Kjo e shtyn në gabime dhe nuk e çon drejt vetëpërmirësimit të vazhdueshëm, pasi është një problem i madh kur je ministër, vete në një ministri, atje me drejtorët, me të gjithë ata njerëz, ata fillojnë të përshtaten ty dhe vërtet ty të duket vetja sikur pa ty Shqipëria ditën tjetër do ta ketë të vështirë që të vazhdojë të marrë frymë, ndërkohë që ditën e parë ti ikën dhe të duket sikur ndodhi një hata e madhe në Shqipëri, por pas dy javësh bie me këmbë në tokë dhe...

Kjo mund t’i ndodhë edhe Kryeministrit, apo jo?
Po, po, patjetër, të gjithëve! Edhe kryetarit të parlamentit!

Z. Meta, të flasim pak për debatin lidhur me shifrën 71, se edhe këtë debat e hapët ju...
Nuk e kam hapur unë debatin për shifrën 71. Ky është gabimi juaj.

Jo, jo, në konferencën e parë për shtyp javën e kaluar për shifrën 71 thatë: “Në rast se qoftë z. Rama apo z. Basha, në koalicionet e tyre pas zgjedhjeve të 18 qershorit dalin me 71”...
Do të jemi të vërtetë, apo të njëanshëm?

Jo, jo, të vërtetë. Ne jemi në kërkim të së vërtetës.
Dhe duhet të jemi të vërtetë se asnjëherë nuk e kam hasur unë një debat të tillë, unë kam sqaruar pozicionin e LSI-së pas hapjes së një debate të tillë.
Është e vërtetë se është hapur një debat i tillë dhe vetë z. Rama, në një farë mënyrë që unë nuk e kritikoj aspak, sepse është e drejta e tij, domethënë se ne i bëjmë 71 pa LSI-në vetëm me partitë e tjera, por me LSI-në duam, sepse kemi reformat strategjike dhe kjo është një gjë e mirë e kështu me radhë.
Por nuk e kemi hapur ne ketë lloj debati, sepse nuk e kemi parë pozicionin e PS-së si raport numrash edhe nuk duam ta shohim kështu, por unë e kam bërë të qartë se LSI-ja  nuk do të jetë shtojcë, nuk ka qenë edhe me PD-në, nuk është as sot me PS-në dhe nuk do të jetë as nesër shtojcë e askujt në qeverisjen e vendit. Ajo ka vlerë në qeveri për aq kohë sa është një forcë përcaktuese për maxhorancën.
Në qoftë se krijohet një maxhorancë pa LSI-në, përse LSI-ja duhet të jetë një shtojcë e kësaj maxhorance. LSI-ja ka qëllim kryesor integrimin europian të Shqipërisë. Çdo votë që i duhet kësaj qeverie, që ka 71 vota, për integrimin evropian të Shqipërisë, do të jetë nga ana e LSI-së siç ka qenë edhe kur ka qenë në opozitë LSI-ja, se LSI-ja ka qenë edhe në opozitë…

Për një kohë të gjatë përpara…
Po patjetër, dolëm edhe kur u prishëm me Doktorin në prill, dolëm në opozitë. Nuk i dihej rezultatit.

Afërsisht një ide e kishit. A e keni sot një ide, z. Meta se çfarë do të ndodhë me 18 qershor?
Më 18 qershor? Është shumë larg 18 qershori nga sot. Duket sikur është afër, por është shumë larg. Nuk ka pse të nxitohemi, por ajo që duhej të ndodhi në radhë të parë janë zgjedhjet perfekte…

E ndërkohë opozita ka shqetësime serioze për këtë. Kërkon votimin elektronik. Kërkon numërimin elektronik.
Më thuaj një herë që opozita në këtë vend nuk ka pasur shqetësim serioz për zgjedhjet. A ishim në vitin 2013? Patëm probleme serioze. U zëvendësua anëtari i KQZ-së, KQZ-ja ngeli 4 me 0, apo jo, se u tërhoqën edhe anëtarët e tjerë dhe nuk ishte situatë normale, por ky nuk është një justifikim që të mos merren në konsideratë pretendimet e drejta të PD-së sot dhe të forcave të tjera opozitare, por ajo që është më e rëndësishme është klima politike në vend dhe duhet të jetë një klimë më e përgjegjshme, duhet të jetë një klimë më racionale, sepse çështja e zgjedhjeve është çështje kodi, pa dyshim, është çështje teknologjie, pa dyshim, por mbi të gjitha mendoj se është çështje klime.
Në qoftë se ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve me qëllimin për të shfrytëzuar, le të themi, pushtetin, për të dëmtuar procesin zgjedhor apo për t’ju imponuar njerëzve në mënyrë jokorrekte, njëkohësisht, pala tjetër do të shkojë në zgjedhje me idenë që: ka mundësi t’i humbasim këto zgjedhje, prandaj, o burra, të deligjitimojmë gjithçka, të gjejmë pretekste pafund, në mënyrë që pas zgjedhjeve të themi që ne ju thamë që këta do t’i grabisin, që këta do të bëjnë këtë etj. Prandaj duhet shumë kujdes dhe shumë përgjegjshmëri, sepse janë në pikëpyetje disa gjëra shumë të mëdha për të ardhmen e vendit. Është çështja e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe e hapjes së negociatave. Natyrisht që kjo gjë nuk mund të ndodhë përpara zgjedhjeve të 18 qershorit, por cilësia dhe nota që do të marrim në zgjedhje, do të jenë vendimtare për kohën e hapjes së negociatave.
Së dyti, po flisnim për reformën në drejtësi. Është një shqetësim i madh për mua edhe ecuria e reformës në drejtësi, se ky është një proces i rëndësishëm. Është shumë më e rëndësishme që zgjedhjet dhe klima e tyre të jetë sa më e qetë, sepse çdo vënie në diskutim e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe të institucioneve që krijohen pas zgjedhjeve, pa dyshim që do të krijojë probleme të rëndësishme edhe për ecurinë e reformës në drejtësi, që është shumë më e rëndësishme se këto zgjedhje, se këto zgjedhje janë përsëri për katër vjet, kurse reforma është për 20-30 vjet.

Po ju bëj një pyetje në lidhje me thirrjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nga ana e Presidentit të Republikës, kërkuar posaçërisht nga ju, cila është arsyeja që e bëtë, z. Meta? E bëtë sepse është problem që ju ngrit juve nga Shtetet e Bashkuara, për shkak se është problem i brendshëm i vendit, apo për shkak, le të themi, i “kompleksit” që ju keni ndaj emrit në fjalë?
Së pari, unë nuk kam asnjë kompleks ndaj asnjë emri në fjalë, sepse kam dëgjuar shumë histori dhe shumë përralla. Kam dëgjuar histori sikur ka qenë Meta në inaugurimin e hotelit “Santa Quaranta” në Sarandë.

Aty keni qenë të gjithë...
S’ka problem. Unë nuk po them se kanë qenë të tjerët. Po ua them të gjithëve se Ilir Meta do të shkojë në çdo hotel, ku do të  ftohet, nga çdo qytetar shqiptar për inaugurime të çdo kioske që do të  bëhet, nëse ka mundësi të  shkojë.
Nuk do të shkojë atje vetëm në rast se Policia e Shtetit, SHISH-i apo ndonjë institucion tjetër shtetëror, do t’i  thotë: “Z. Kryetar i Kuvendit, mos shko te fjala bie Sokol Balla, sepse ai merret me këtë lloj trafiku.” Për  histori të tilla unë nuk  kam asnjë merak dhe asnjë lloj kompleksi.
Së dyti,  kam dëgjuar edhe nga Doktori,  i cili është marrë shumë me këtë çështje, por ai harron që personi në fjalë  ka qenë në të  kaluarën një aktivist i PD-së. Ai ka qenë në të drejtën e tij të shkojë apo  të kalojë te një parti tjetër. Kjo është puna e tij.
Po kështu, dua t’ju them  që unë nuk jam për dënime kolektive. Kjo do të thotë q

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?