TIRANË - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka pritur në një takim, Ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri Abdolmajid Mozaffari. Gjatë bisedës mes tyre, Meta, i ka shprehu gatishmërinë për të forcuar shkëmbimet ndër-parlamentare mes dy vendeve, si një platformë bilaterale për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim ekonomik.

Meta mirëpriti deklaratat e Presidentit të ri të Iranit Hassan Rouhani për të bashkëpunuar me Komunitetin Ndërkombëtar, si një rrugë konstruktive për forcimin e paqes dhe stabilitetit.

Ambasadori Mozaffari i shprehu z. Meta urimet më të ngrohta në emër të Kryetarit të Parlamentit të Iranit z. Ali Larijani për marrjen e detyrës së Kryetarit të Kuvendit, si dhe gatishmërinë për rritjen e marrëdhënieve me Shqipërinë.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit, theksoi rëndësinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Republika Islamike e Iranit, si kontribut për marrëdhëniet dypalëshe në funksion të forcimit të stabilitetit në rajon.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)