TIRANË - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka zhvilluar sort një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian Christian Danielsson, i cili ishte i shoqëruar nga ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi.

Kryetari i Kuvendit Meta i shprehu drejtorit të zgjerimit, vlerësimin për progres raportin e fundit të Komisionit Evropian, dhe theksoi se rekomandimet e Komisionit do të jenë prioritete të punës së institucioneve shqiptare.

Në këtë drejtim, Meta u shpreh se, puna e Kuvendit të Shqipërisë do të fokusohet në rritjen e transparencës së aktivitetit dhe forcimit të rolit mbikqyrës të institucionit. “Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rritjes së cilësisë së procesit legjislativ përmes gjithëpërfshirjes, dialogut politik mes partive politike, duke punuar ngushtë njëkohësisht edhe me institucionet e tjera të pavarura, me shoqërinë civile dhe me grupet e ndryshme të interesit” – nënvizoi Meta.

Danielsson nga ana e tij, ka shprehur vlerësimin për progresin e bërë nga Shqipëria në drejtim të përmbushjes së prioriteteve të Komisionit Evropian dhe vuri theksin në vazhdimësinë e punës për implementimin e rekomandimeve, përmes dialogut konstruktiv politik dhe bashkëpunimit me të gjitha institucionet e pavarura, në funksion të marrjes së statusit të vendit kandidat në BE.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)