Meta me të rinjtë e Vlorës: LRI në
2017 grup parlamentar brenda LSI

Meta me të rinjtë e Vlorës: LRI në<br />2017 grup parlamentar brenda LSI
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me të rinjtë e LRI-së në Vlorës ku ka thënë se në vitin 2017 të rinjtë do të kenë grupin e tyre parlamentar brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Unë besoj shumë tek aftësitë tuaja për të përfaqësuar gjithë gjeneratën e re, jo vetëm të Vlorës, por të gjithë Shqipërisë. Siç kemi besuar me Kejdin, me Silvën, që janë deputete në Kuvendin e Shqipërisë dhe unë besoj se kjo rritje e LSI-së, kjo rritje sidomos e LRI-së do ta bëjë plotësisht të mundur që në vitin 2017 LRI të ketë grupin e saj parlamentar brenda grupit parlamentar të LSI-së. Në mënyrë që të mos ketë një apo dy zëra që flasin për të drejtat e të rinjve, maturantëve, të studentëve në Kuvendin e Shqipërisë dhe përballë qeverisë, cilado qoftë ajo, por të kemi shumë të rinj dhe të reja, të cilët mbrojnë pa kompromis të drejtat e të rinjve, luftojnë për të drejtat e tyre. Në këtë mënyrë rrisim besimin e të rinjve te politika, te një politikë e përgjegjshme, që kujdeset për ta, që i mbështet ata dhe që nuk i keqpërdor e nuk i shfrytëzon thjesht për interesa elektorale”, - tha Kryetari i LSI-së.

Gjithashtu,Meta shprehur edhe një herë besimin e tij te LRI-ja dhe tek energjitë pozitive të saj, pasi beson te të rinjtë. Kryetari i LSI-së solli shembullin e Këshillit Bashkiak të Tiranës ku nga 13 këshilltarë të LSI-së, 9 vijnë të LRI-së.

Është një grup model, është një grup aktiv, është një grup mjaft i përgjegjshëm, që vazhdimisht është në kontakt me qytetarët, jo vetëm me të rinjtë, me komunitetet. I ngre problemet e tyre, i mbron të drejtat e tyre dhe tregon se të rinjtë mund ta bëjnë politikën shumë më mirë se të vjetrit me më shumë pasion me shumë ndershmëri dhe njëkohësisht edhe me kualitetin e duhur”, - tha Meta.

Në lidhje me formimin e të rinjve, Kryetari i LSI-së u shpreh se globalizimin mund ta përballojmë vetëm përmes rritjes së cilësisë së edukimit dhe të arsimimit. Sipas z. Meta, vetëm një rini e ditur dhe e kualifikuar mund të përballojë këtë konkurrencë dhe këtë presion që vjen nga globalizimi, nga vende shumë më të mëdha dhe nga tregje shumë më të mëdha.

Ashtu sikurse vendet e reja të punës, që paguhen më mirë dhe ata investitorë të cilët dëshirojnë të investojnë në Shqipëri në sektorë, që janë të teknologjisë së fundit kërkojnë edhe një fuqi punëtore të mirëarsimuar, të shkolluar të kualifikuar, në të cilën ne kemi nevojë të investojmë. Në mënyrë që të rinjtë tanë të mos mendojnë për të ikur nga Shqipëria që të gjejnë një punë më të mirë, por këtë punë ta gjejnë këtu dhe ne duhet të krijojmë këtë perspektivë. Por me këtë konfliktualitet politik që ne kemi, nga i cili duhet të ndahemi një herë e përgjithmonë dhe zgjedhjet e 2017-s janë një mundësi e shkëlqyer për t’i dhënë një mesazh të gjithë politikës se konflikti është një vetshkatërrim për të ardhmen e vendit dhe sidomos për të ardhmen e të rinjve në këtë vend, duhet t’i përgjigjemi me një përfshirje të jashtëzakonshme të rinisë”, - tha  Meta, duke theksuar se me këtë solidaritet të jashtëzakonshëm nga të rinjtë me njëri-tjetrin duhet t’i thuhet “jo” një herë e mirë kësaj politike konfliktuale.

Nuk kemi nevojë për një Shqipëri, e cila humbet kohë, por kemi nevojë për një Shqipëri pozitive që do të fitojë kohën e humbur. Dhe këtë mund ta bëjmë në radhë të parë me të rinjtë dhe këtë duhet ta bëjmë për të ardhmen e të rinjve në Vlorë dhe në Shqipëri. Vlora është një mundësi e shkëlqyer, është një vend i jashtëzakonshëm, i cili ka nevojë për një perspektivë më të mirë se sa sot dhe mbi të gjitha ka nevojë që të rinjtë të kenë më shumë besim në vetvete këtu për të ardhmen e Vlorës dhe për të ardhmen e tyre në Vlorë. Sepse Vlora ka resurse jo vetëm për të garantuar rritjen e mirëqenies së gjithë banorëve, qytetarëve, të rinjve të Vlorës, por ka mundësi shumë të mëdha për të kontribuar disa herë më tepër edhe për zhvillimin dhe për rritjen e ekonomisë sonë kombëtare”, - theksoi Kryetari i LSI-së.

Ndër të tjera gjatë fjalës së tij, Meta shprehur vendosmërinë e tij për të ushtroj ndikimin tim për të rritur në mënyrë të ndjeshme cilësinë e përfaqësimit të LSI-së në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore, të qeverisjes rajonale e vendore dhe të përfaqësimit të LSI-së si forcë politike.

Të respektojmë atë proces të dekriminalizimit, sepse populli shqiptar, populli shqiptar, populli i Vlorës, të rinjtë shqiptarë, të rinjtë e Vlorës, meritojnë një përfaqësim shumë dinjitoz me intelektualë me të rinj me të reja, të cilët angazhohen jo thjesht për të zgjidhur problemet e tyre, por për të zgjidhur problemet e shtresave të gjera të shoqërisë. Mbi të gjitha për t’i dhënë besim dhe perspektivë rinisë së Vlorës dhe gjithë Shqipërisë se ketë vend kaq të bukur ne nuk mund ta braktisim kurrsesi përkundrazi e kemi për të detyrë të kujdesemi me dashur me profesionalizëm, me patriotizëm, sepse vështirë të gjesh një vend më të mirë më të bukur se Shqipëria por padyshim që një vend e bën akoma dhe më të bukur rinia e tij dhe unë mendoj që kjo rini që është sot këtu, kjo rini e Vlorës, kjo rini që vjen nga një qytet me tradita të shkëlqyera patriotike si rrallë ndonjë qytet tjetër, padyshim që do të jetë shembull i motivimit për një ndryshim të madh për një Vlorë pozitive, për një Shqipëri pozitive”, - deklaroi Kryetari i LSI-së,  Ilir Meta.

Duke folur para të rinjve vlonjatë,  Meta tha se beson shumë te një Shqipëri pozitive e bashkëpunuese, ndërsa theksoi se kjo Shqipëri që kemi sot është fryt i sakrificave të jashtëzakonshme të bëra nga të gjithë bashkëpatriotët tanë, të cilët me kurajon e tyre kërkuan që Shqipëria të bëhet si e gjithë Europa.

Kjo Shqipëri që kemi sot është fryt i sakrificave të jashtëzakonshme të bëra nga të gjithë bashkëpatriotët tanë, nga rilindësit tanë, nga Ismail Qemali që ngriti flamurin këtu, nga gjithë ata të rinj dhe të reja që dhanë jetën për të çliruar Shqipërinë dhe për të rikthyer pavarësinë e Shqipërisë, nga gjithë ata të rinj dhe të reja të cilët ishin të parët që me kurajon e tyre kërkuan që Shqipëria të bëhet si e gjithë Europa. Dhe sot unë përsëri besoj fort se ne jemi në gjendje të kuptojmë se kjo Shqipëri që sot ndeshet me sfida të shumta, të cilat imponohen jo vetë nga procesi i zhvillimit, nga procesi i integrimit evropian, por sidomos dhe nga një proces tjetër madhor me të cilin ne duhet të ndeshemi dhe duhet të përballemi çdo ditë, siç është ai i globalizimit. Nuk ka nevojë një vend kaq modest saç jemi ne për të qenë kaq i ndarë, kaq konfliktual, kaq shpërdorues i energjive të veta të pafundme”, - tha Ilir Meta, duke u ndalur më pas te tranzicioni 26-vjeçar dhe ndryshimet që kanë ndodhur në një vend tashmë anëtar të NATO-s dhe kandidat për t’u anëtarësuar në BE.

U bënë 26 vjet në pluralizëm, 26 vjet në tranzicion, në demokraci, u bënë mjaft vite që jemi një vend anëtar i NATO-s. Pas shumë sakrificash jemi një vend kandidat për në Bashkimin Europian. Dhe ende për fat të keq ditën e enjte kur ata që kanë kohë dhe nerva të ndjekin Parlamentin, u duket sikur nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh, ndërkohë që në fakt ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm në Shqipëri. Ndryshimi më i madh që ka ndodhur është që ka një diferencë të ndjeshme midis kulturës demokratike që kanë qytetarët dhe sidomos të rinjtë, midis tolerancës që kanë qytetarët me njëri-tjetrin këtu në Vlorë dhe kudo në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht nga bindjet e ndryshme politike, dhe dozës së lartë të konfliktualitetit politik që ende vazhdon në Parlament dhe në përgjithësi në nivelet më të larta të politikës në mënyrën më të pakuptueshme, më të papërgjegjshme e më vetëshkatërruese. Më vetëshkatërruese për vetë imazhin e vendit sepse realisht nuk përfaqëson atë të vërtetë që ne e prekim çdo ditë në gjithë vendin, që është një nivel shumë më i lartë i emancipimit të qytetarëve tanë kudo”, - shtoi Kryetari i LSI-së.

Meta nënvizoi se nëse në vitet 1992-‘96 ky lloj konfliktualiteti ishte edhe poshtë në terren midis qytetarëve, tani kjo është tërësisht një situatë e papranueshme, sepse ky është një konflikt artificial. Kryetari i LSI-së u shpreh se ky është një konflikt që shteron energjitë e popullit tonë dhe sidomos shpërdoron energjitë e rinisë sonë sepse sipas tij politika duhet të përqendrohet tek zgjidhja e problemeve dhe jo tek mbajtja gjallë e konflikteve që nuk zgjidhin asnjë gjë.

Politika duhet të përqendrohet më mirë te reformat që përmirësojnë dhe japin impakt në jetën e të gjithë qytetarëve dhe mbi të gjitha jemi një vend modest që nuk e ka luksin që përmes këtij konflikti, të vazhdojë t’u provokojë të rinjve tanë ëndrrën e largimit për fat të keq nga vendi. Për arsye sepse këtu mjedisi politik social dhe ekonomik, por edhe edukativ nuk krijon ato kushte dhe ato premisa ku të rinjtë të ndihen të motivuar dhe të sigurt për të ardhmen e tyre. Ndaj është një detyrë në radhë të parë e të rinjve që ta refuzojnë këtë politikë konfliktuale, artificiale. Këtë politikë që energjitë e pafundme që shqiptarët kanë edhe si një popull mesdhetar, por edhe si një popull ballkanik, të shkojnë gjithnjë në kundërvënie të njëri-tjetrit. Ne këto energji duhet t’i çojmë në një drejtim të përbashkët”, - tha Lideri i LSI-së, ndërsa u ndal edhe te politikat e kësaj force politike: - “Kjo është edhe politika e LSI-së, edhe për reformën në drejtësi kjo ishte politika e LSI-së. Sepse ne besojmë se vendi ka nevojë për një drejtësi të pavarur, efikase, që krijon besimin tek qytetarët të funksionimit të ligjit dhe të shtetit ligjor, që u jep atyre të drejtat që u takojnë, që lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sepse kjo është shumë e rëndësishme për të krijuar një mjedis më pozitiv dhe më optimist për zhvillimin e ekonomisë, për nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja dhe për të krijuar vende të reja të punës. Vende të reja të punës sa më të mira, me kushte dhe paga sa më të mira sepse është shumë e rëndësishme që ne jo vetëm të hapim vende pune, por edhe të hapim vende pune sa më cilësore”, - vijoi Kryetari i LSI-s-ë.

Meta deklaro se kjo kërkon edhe një angazhim më të madh në drejtim të investimit për formimin profesional, në drejtim të krijimit të mundësive të të rinjve për t’u integruar në tregun e punës dhe njëkohësisht të zhvillimit të arsimit edhe në funksion të strategjisë për zhvillimin qëndrueshëm ekonomik të vendit.

Besoj se LRI-ja është shembulli më pozitiv se si të rinjtë marrin përgjegjësi, se si të rinjtë punojnë bashkë, se si të rinjtë zhvillojnë një frymë solidariteti krejt të ndryshme nga fryma e egoizmit dhe e individualizmit që karakterizon politikën në përgjithësi. Dhe prandaj unë gjithmonë e kam thënë që edhe LSI-ja duhet të bëhet si LRI-ja. Duhet të rrezatojë këtë frymë bashkëpunimi, këtë frymë solidariteti, këtë frymë përkushtimi, mbështetje për njëri –tjetrin, mbështetje për të rinjtë dhe jo vetëm për të rinjtë që janë anëtarë të LRI-së apo të LSI-së, por për të gjithë të rinjtë e Vlorës, për të gjithë të rinjtë e Shqipërisë sepse ne ata i shohim si aleatë më të sigurt , më të vendosur dhe më afatgjatë për të realizuar një Shqipëri pozitive, një Shqipëri që jep shpresë, një Shqipëri që jep besim. Një Shqipëri që garanton një arsim më cilësor, një Shqipëri që garanton reforma gjithëpërfshirëse dhe në interes të atyre që kanë më shumë nevojë për mbështetje nga shteti, nga qeveria, nga shoqëria. Dhe sidomos një Shqipëri që u jep dorën të rinjve për të ecur përpara dhe jo që u kthen kurrizin atyre për shkak të një politike egoiste duke i lënë të dëshpëruar, të vetmuar dhe për të rënë viktimë e atyre fenomeneve dhe e atyre veseve që e degradojnë të ardhmen e të rinjve dhe jo vetëm kaq, por e të gjithë shoqërisë”, - nënvizoi Meta.

Ndërsa, Kryetarja e LRI-së, znj. Floida Kërpaçi, tha se ky forum do të vazhdojë të qëndrojë pranë kauzave dhe problematikave që kanë të rinjtë.

Ne si LRI në gjithë këto vite kemi qenë pranë kauzave dhe problematikave të të rinjve. Kemi bërë, por kemi edhe më shumë punë. Puna jonë duhet të shtohet me ritme më të shpejta, të kontaktojmë me çdo të ri. Të rinjtë kanë sfida të cilat ne si LRI kemi misionin tonë për të gjetur, për të punuar dhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tyre. LRI në përditshmërinë e saj ka një qëllim dhe frymën e mirë të bashkëpunimit, të solidaritetit, të punës në grup”, - tha Kërpaçi.

Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj u shpreh se Shqipëria duhet të jetë ai vend i lumtur ku do të krijojmë familjet tona në të ardhmen dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është vullneti maksimal për të dhënë kontribut tonë.

Në vizionin tonë, në vizionin e të rinjve të LSI, Shqipëria nuk është të jetë mirë vetëm për tani, por Shqipëria duhet të jetë ai vend i lumtur ku ne do të krijojmë familjet tona në të ardhmen. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është nëse ne përkushtohemi dhe nëqoftëse vullneti ynë është maksimal për të dhënë kontribut ashtu gradualisht pak nga pak për një qëllim të mirë.Ajo që ne kemi vlerësuar gjithmonë në LS, është tek fakti që të rinjtë kanë qenë të vlerësuar sepse ne jemi të gjithë njësoj, vijmë nga të njëjtat familje, nga të njëjta probleme, me të njëjtat shqetësime. Duke i ditur këto shqetësime, dita jonë nuk është thjesht 22 orë, por bëhet 344 sepse dëshira jonë për ta përmirësuar këtë situatë është jashtëzakonisht e madhe”, - theksoi  Mehmetaj.

Anëtari i Kryesisë së LSI-së, Sokol Dervishaj, tha në fjalën e tij se LRI është zemra e për LSI-së dhe se energjitë që të rinjtë përcjellin duhet të jetë një shembull për të gjithë ne.

LRI për LSI është si zemra për njeriun. Energjitë që ju përcillni, mobilizimi që ju përcillni, solidariteti që ju keni, duhet të jetë një shembull për të gjithë ne. Kjo na kujton se sa gjëra të mira ne mund të bëjmë nëse ne funksionojmë si ju. LRI është një mesazh i madh për të gjithë LSI në të gjithë Shqipërinë, por duhet të jetë një mesazh i madhe dhe për LSI-në e Vlorës , në shembullin duhur duhet të organizojmë partinë për të ecur përpara, për të arritur gjithë ato objektiva. Kemi shumë punë përpara”, - deklaroi Dervishaj.

Kandidati për kryetar i LSI-së, Shezai Rrokaj, tha se arsyeja kryesore pse iu bashkua LSI-në është se kjo forcë politike ka rininë në fokusin e saj kryesor.

Unë vij nga shoqëria civile. Arsyeja themelore që unë u bashkova me LSI-në është pikërisht se Lëvizja Socialiste për Integrim e ka politikë të rendit të parë politikën me rininë, kujdesin për rininë sepse beson plotësisht në ëndrrën e saj që është ëndërr për një Shqipëri më të mirë, për një Vlorë më të mirë, për një Shqipëri të sipërmarrjes, për një Shqipëri që nuk braktiset nga rinia, por gjen shpresë tek vendi i vet. Dhe sinqerisht duke qenë se në profesionin tim unë merrem me të rinjtë, këtë frymë të shoqërisë civile, të mendjes së hapur, të solidaritetit, të humanizmit, të sipërmarrjes, dua dhe dëshiroj si shumë kolegë të mi ta gjejmë pikërisht tek rinia e LSI-së”, - deklaroi Rrokaj.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, anëtari i Kryesisë së LSI-së, Sokol Dervishaj, kandidati për kryetar i LSI-së, Shezai Rrokaj dhe Kryetarja e LRI-së,  Floida Kërpaçi.

[gallery]18996[/gallery]

ilir meta lri
ilir meta lri
ilir meta lri
ilir meta lri

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit