SHBA - Në kuadër të disa takimeve që po zhvillon në Kongresin dhe Senatin amerikan, kreu I LSI, Ilir Meta u prit në një takim nga Kongresmeni Steven Rothman, anëtar i nën-Komitetit për Cështjet e Mbrojtjes dhe Operacioneve të Huaja.
Meta u shpreh se Shqipëria është një aleate e vendosur e SHBA në luftën kundër terrorizmit dhe një anetare e denjë e NATO-s duke kontribuuar në mënyrë aktive në Afganistan dhe në zona të tjera të botës ku është angazhuar Aleanca.
Gjithashtu, Meta vuri në dukje rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, në sherbim të stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit.
Nga ana e tij Kongresmeni Rothman i vlerësoi si të shkëlqyera marrëdheniet mes SHBA dhe Shqipërisë dhe shprehu angazhimin e tij për forcimin e mëtejshëm të tyre. “Marrëdheniet speciale midis dy vendeve, tha Kongresmeni Rotham, janë rezultat i vlerave që popujt tanë perfaqesojne dhe mbrojnë bashkarisht”.
Gjithashtu, Rothman shprehu vlerësim të vecantë për kontributin e Metës në forcimin e marrëdhenieve mes SHBA dhe Shqipërisë duke i dhuruar flamurin amerikan që ishte ngritur mbi godinën e Kongresit amerikan, në shenjë respekti dhe konsiderate.

(aq/shqiptarja.com)