ELBASAN - Në kuadër të zhvillimit të biznesit dhe rritjes së punësimit kryeparlamentari Ilir Meta vizitoi në Elbasan ambientet e kompanisë “Nettuno” e cila merret me përpunimin e peshkut.

Meta tha se kjo është rruga e duhur e zhvillimit ekonomik pasi kjo kompani brenda vitit ka arritur të punësojë 450 persona.

Kreu i Kuvendit nënvizoi se këto sipërmarrje kërkojnë mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë në mënyrë që të konkurrojnë denjësisht në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare.

Kjo sipërmarrje e re e përpunimit të peshkut në vendin tonë ka bërë të mundur që brenda një viti të punësojë rreth 450 persona dhe njëkohësisht synon ta shumëfishojë këtë numër në muajt e ardhshëm dhe në vitet e ardhshme, falë zgjerimit të këtij aktiviteti dhe shtimit të teknologjisë e produkteve të reja. Sipërmarrje të tilla meritojnë një vëmendje akoma më të madhe dhe një mbështetje akoma më të madhe, një raport mjaft transparent dhe korrekt nga ana e administratës. Sepse, kjo është rruga e zhvillimit, kjo është rruga e punësimit kjo është edhe rruga e integrimit evropian të vendit, duke bërë të mundur që të rrisim edhe eksportet dhe aftësitë konkurruese dhe në tregjet evropiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh Meta.

Kreu i Kuvendit theksoi se këto kompani janë shembull pasi kanë një vizion të qartë duke sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë rritje në ekonomi. Gjithashtu Meta tha se shembuj të tillë në industrinë përpunuese duhen promovuar e mbështetur për të ulur problemin e papunësisë.

 “Ky është një rast i shkëlqyer, që tregon se vizioni dhe aftësia sipërmarrëse mund të kthehet në një të mirë të jashtëzakonshme publike, jo vetëm për ekonominë lokale dhe ekonominë e vendit, por edhe për qindra familja. Një shembull për të treguar se si mund të ndihmohet për të zbutur problemin mjaft serioz të papunësisë. Njëkohësisht, është edhe një shembull se si duhet nxitur dhe promovuar e gjithë industria përpunuese në vendin tonë, në mënyrë që të rritet vlera e të gjithë resurseve tona këtu, por njëkohësisht të rritet e gjithë vlera e ekonomisë sonë kombëtare”, tha  Meta.

Ndërsa administratori i kompanisë “Nettuno”, Petraq Guxho, tha se produktet e përpunuara të peshkut eksportohen jashtë vendit. Guxho shprehu edhe ambiciet e kompanisë e cila sipas tij synon të investojë rreth 3.6 milionë euro për të përmirësuar teknologjinë dhe për të dyfishuar vendet e punës.

Aktualisht, kemi rreth 450 punëtorë dhe po kërkojmë të arrijmë shifrën e 1200 punonjësve për të plotësuar kërkesat e punës. Plani ynë është që deri në fund të këtij viti të kemi punësuar 600-650 persona. Partnerët tanë të huaj janë gati të investojnë deri në 3.6 milionë euro për të sjellë makineri dhe pajisje për ta shtuar më tej gamën e produkteve që do të nxjerrë në treg kompania. Ua kemi krijuar të gjitha kushtet punonjësve tanë, që nga ushqimi, transporti apo sigurimet”, përfundoi Guxho.
 
Meta shoqërohej nga ministri i Transportit e Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe deputeti i qarkut të Elbasanit, Bujar Kllogjri.

meta
meta

Kompania  “Nettuno" ka edhe aksionerë italianë

Redaksia online
(o.m/shqiptarja.com)