Me ftesë të Ipeshkvit të Eparkisë së Lungros, Imzot Donato Oliverio, Presidenti i Republikës, Ilir Meta merr pjesë sot në ceremonitë zyrtare të 100-vjetorit të themelimit të kësaj eparkie arbëreshe që do të zhvillohen në Katedralen e Lungros (Ungrës).
Presidenti Meta përshëndet themelimin e Eparkisë së Ungrës më 13 shkurt 1919, që shënoi datën historike kur Vatikani u kushtoi një vëmendje edhe më të madhe ndjekësve besnikë të ritit bizantin në Itali, arbëreshëve, të cilët prej më se katër shekujsh i kryenin ritet e tyre liturgjike në gjuhën arbëreshe.
Eparkia e Ungrës është eparkia më e madhe arbëreshe e Italisë kontinentale. 100-vjetori i themelimit të Eparkisë së Ungrës përkujton çastin më kulmor dhe më të rëndësishëm të rrugëtimit arbëresh, të cilët përpiqen sot e kësaj dite të mos humbasin identitetin kombetar, gjuhën amtare, ritet fetare, kulturën, zakonet dhe trashëgiminë historike të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Komente

