Meta në Gjeorgji: Kuvendi i
përkushtuar ndaj transparencës

Meta në Gjeorgji: Kuvendi i<br />përkushtuar ndaj transparencës
Kryeparlamentari Ilir Meta ndodhet në Gjerorgji ku po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Transparencën. Në fjalën e tij Meta theksoi se nuk ka demokraci pa transparencë dhe pa pjesëmarrjen e publikut ndërsa shtoi se Kuvendi është i përkushtuar ndaj kësaj transparence.

Nuk ka demokraci pa transparencë dhe pa pjesemarrjen e publikut. Kuvendi është i përkushtuar ndaj transparencës përmes një plan veprimi konkret. Transparenca rrit pjesemarrjen e publikut, përmirëson standartet e qeverisjes dhe na bën të gjithëve më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve” –u shpreh Meta.

Ilir Meta përfundoi fjalën e tij duke thënë se Shoqëria Civile është pjesë aktive në hartimin e ligjeve parlamentare, ndërsa shtoi se teknologjia ka një rol kyç në zhvillimin social dhe ekonomik të një vendi.

Shoqeria civile pjesë aktive në hartimin e ligjeve në parlament. Të fokusuar për rritjen e rolit mbikqyrës të Kuvendit në interes të reformave. Duhet rritur dimensioni parlamentar i Open Government. Tekonogjia është ka një rol kyç dhe sjell zhvillim social dhe ekonomik” – përfundoi Meta.

Në Konferencën Ndërkombëtare mbi Transparencën Parlamentare kreu i Kuvendit Meta ishte i futuar nga Instituti Amerikan Demokratik Kombetar dhe Parlamenti i Gjeorgjisë.

Fjala e plotë e Ilir Metës në aktivitet
I nderuar Zoti Kryetar, i nderuar Ministër,

Zonja dhe Zotërinj,
Të nderuar kolegë,
Së pari, më lejoni të përgëzoj Institutin Demokratik Kombëtar, Kongresin Kombëtar të Kilit, Partneritetin për Qeverisje të Hapur dhe Parlamentin e Gjeorgjisë për organizimin e kësaj konference dhe për pritjen këtu në Tbilisi, për të ndarë me njëri tjetrin përvojat tona parlamentare dhe mendimet tona për hapjen legjislative.

Unë besoj se nuk mund të ketë zhvillim demokratik pa një pjesëmarrje aktive të publikut në vendimmarrje. Çdo vend apo politikan që nuk e kupton këtë është në fakt pjesë e një shoqërie regresive, jo e një shoqërie demokratike.

Kjo bëhet akoma më e rëndësishme për vende si tonat, që kanë dalë nga regjime represive në të shkuarën dhe po dalin nga faza tranzitore në historinë tonë, duke evoluar në shoqëri më të hapura, më transparente dhe më të përgjegjshme.

Dhe siç e tregojnë 24 vitet e fundit në Shqipëri, ky nuk është një proces i lehtë – pavarësisht progresit shumë të madh që ne kemi bërë – pasi vendi im nga vendi më i izoluar në Evropë në vitin 1990, sot është një vend anëtar i NATO-s dhe një Vend Kandidat për në BE.

Pavarësisht kësaj, ne ende përballemi me detyrën e jashtëzakonshme të rritjes së besimit të publikut në ligj-bërje dhe rritjen e pjesëmarrjes së publikut në të gjithë sferën tonë të vendimmarrjes.

Jam i sigurt se sfida të tilla janë të zakonshme dhe në shoqëritë e tjera post-komuniste dhe jam i sigurt se kolegët e mi gjeorgjianë e kuptojnë këtë shumë mirë, pasi Shqipëria dhe Gjeorgjia ndajnë eksperienca të ngjashme të së shkuarës.

Për shkak të barrëve të tilla historike që mbajmë mbi supe, jemi të pozicionuar mirë për të folur rreth nevojës për më shumë transparencë, përgjegjësi, angazhim qytetar dhe ligj-bërje të hapur.

Kam kënaqësinë të them se Kuvendi i Shqipërisë, si rezultat i angazhimit tonë për transparencë dhe angazhim qytetar, ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm në drejtim të përpjekjeve për ta bërë jetën tonë parlamentare më të hapur, më transparente dhe më të arritshme për publikun, median, shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit.
Këto hapa rrjedhin jo vetëm nga një pritshmëri më e lartë e shoqërisë tonë për qeverisje më të mirë, por dhe si një inkurajim nga prioritetet tona kryesore kombëtare, të vendosura bashkë me Komisionin Evropian, si pjesë e procesit të integrimit tonë evropian.

Më lejoni të ndaj me ju disa hapa konkretë që kemi ndërmarrë në dy vitet e fundit.

Në vitin 2013 kemi përmirësuar Rregulloren e Kuvendit duke vendosur që çdo pjesë e projekt-ligjeve të kalojë në një seancë dëgjimore, të hapur për publikun. Kjo ka intensifikuar bashkëpunimin tonë të ngushtë me shoqërinë civile, grupet e interesit, median dhe institucionet e pavarura, duke u dhënë atyre më shumë hapësirë konsultative në aktivitetet tona parlamentare.

Pas krijimit të një Regjistri të Organizatave dhe pas emërimit të një Koordinatori, si pikë kontakti për bashkëpunimin me shoqërinë civile, dhjetorin e shkuar kemi miratuar në Parlament një rezolutë, përmes të cilës kemi shprehur vendosmërinë tonë për tu angazhuar në mënyrë proaktive në një proces konsultativ transparent dhe në një partneritet të hapur me shoqërinë civile dhe grupet e interesit.

Gjithashtu, së fundmi kemi emëruar një person kontakti për të drejtën e informimit dhe kemi krijuar një Regjistër të Kërkesave.
Këtë vit, për herë të parë do të publikojmë një raport vjetor ku do të paraqitet aktiviteti ynë me shoqërinë civile dhe publikun, nga i cili do të pasqyrojmë një listë të sfidave dhe angazhimeve me shoqërinë civile.

Paralelisht me punën e ngushtë me shoqërinë civile, kemi hapur dhe disa (deri tani 16) zyra lokale zgjedhore, ku deputetë të mazhorancës dhe opozitës shkojnë dhe dëgjojnë problemet e ndryshme të njerëzve dhe mendimet e tyre për projekt-ligjet që diskutohen në Parlament.

Më duhet të them se qëkur Shqipëria është bërë një Vend Kandidat për anëtarësim në BE, përgjegjësitë tona janë rritur në një nivel të ri dhe shumë më të lartë.
Përveç bërjes më transparent të aktivitetit tonë parlamentar, energjitë tona janë përqendruar më tej në forcimin e Rolit Mbikëqyrës të Parlamentit tonë, në interes të përshpejtimit të ritmit të reformave madhore që janë ndërmarrë.

Falë një Udhërrëfyesi me 5 prioritete nga Komisioni Evropian, Parlamenti ynë ka rritur ndjeshëm monitorimin e tij ndaj implementimit të këtyre prioriteteve, të cilat janë të lidhura ngushtë  me prioritet tona kombëtare imediate, si  lufta kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut, Reforma në Drejtësi, Reforma e Administratës Publike - në mënyrë që të hapen bisedimet e pranimit me Bashkimin Evropian.
 
Një Plan Veprim Parlamentar është duke u zbatuar, i fokusuar për të dhënë rezultate të prekshme sa i takon rritjes së Transparencës, Bashkëpunimit me Shoqërinë Civile, Forcimit të Rolit Mbikëqyrës dhe Bashkëpunimit me Institucionet e Pavarura.
 
Si rezultat, janë shtuar Seancat Dëgjimore dhe pjesëmarrja e publikut po përfiton nga implementimi i një Manuali të miratuar që vitin e kaluar, i cili vendos të gjitha  mekanizmat e nevojshme për përfshirjen e qytetarëve në punën tonë parlamentare.
 
Zhvillimi teknologjik është çelësi në këtë rast, pasi është e qartë se teknologjia i afron më shumë parlamentet me njerëzit dhe ajo na detyron ne të nxjerrim ligje më të mira, i mundëson publikut të ketë akses më të lehtë dhe më të shpejtë në të dhënat  parlamentare,  ndihmon shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të shohin me shumë kujdes legjislacionin dhe  më mirë politikë-bërjen, ajo  gjithashtu, na ndihmon ne të veprojmë me më shumë përgjegjësi si përfaqësues të popullit, si dhe e bën qeverinë dhe parlamentin të jenë më llogaridhënës.
 
Duke patur parasysh sa më sipër, muajt e ardhshëm, përveç pasqyrimit online në kohë reale të të gjithë informacionit, do të publikojmë një faqe të re interneti, e cila do të përfshijë një link të vecantë të quajtur E- Democracy, që do tu mundësojë qytetarëve të shprehin një opinionin apo vërejtje për  projektligjet që janë në diskutim, të cilat do ti kalojnë direkt  për shqyrtim Seancës  Dëgjimore  të Komisionit përkatës.
 
Në këtë kuadër ne mirëpresim  bashkëpunim më të ngushtë me parlamentet e tjera, sepse besojmë se ndarja e ekspertizave dhe eksperiencave me njëri tjetrin përmirëson punën tonë. Është e qartë se transparenca kërkon mjete tekonologjike dhe mjetet teknologjike kërkojnë ekspertizë teknike për të vepruar.
Kohët e fundit ne kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mbi ‘’Parlamentin e Gjelbër” me Knesset- Parlamentin e Izraelit dhe sapo kemi rënë dakord me Parlamentin e Suedisë për të filluar një bashkëpunim dypalësh mes administratave, për të rritur kapacitetet tona trajnuese dhe teknologjike.
 
Dihet më së miri që bashkëpunimi  ynë i ngushtë me të gjitha strukturat e Bashkimit Evropian vazhdon dhe rritet nga viti në vit.
 
Inisiativa të ngjashme tashmë kanë nisur me homologët tanë rajonalë dhe shpresojmë që të kemi një bashkëpunim edhe më të madh me Parlamentin e Gjeorgjisë, gjë të cilën shpresojmë ta diskutojmë më vonë me kolegun tim, z. Usupashvili.
 
Duke i vënë një theks të veçantë, unë besoj se më shumë transparencë do të thotë demokraci dhe qeverisje më e mirë. Vetëm duke angazhuar plotësisht publikun, mund të japim mundësi më të mira ekonomike dhe standarde më të larta jetese për qytetarët tanë.
 
Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se në këto kohë të vështira ekonomike globale, ne duhet të mbetemi të fokusuar edhe në përmirësimin e qeverisjes tonë në fushën ekonomike për t'i shërbyer më mirë konkurrencës, investimeve, zhvillimit dhe ritmit të integrimit Euro - Atlantik.
 
Disponueshmëria për publikun e të dhënave të hapura dhe informacionit mund të stimulojë krijimin e shërbimeve dhe mundësive të reja inovative, mund të motivojë tregje të reja, të krijojë biznese dhe vende pune dhe të reduktojë kostot administrative.
 
Nëse duam zhvillim më të mirë demokratik, ekonomik dhe social, duhet të rrisim transparencën tonë dhe ta bëjmë publikun pjesë të procesit tonë legjislativ dhe qeverisës. Vetëm një parlament transparent dhe i hapur,  mund të ushtrojë një rol të shëndetshëm mbikqyrës mbi ekzekutivin, me qëllim për të siguruar standardet më të larta të mundshme të mirëqeverisjes.
 
Më lejoni në mbyllje të sugjeroj për të gjithë ne që, përpjekjet e përbashkëta, tejet të rëndësishme, duhet të rezultojnë në një përforcim të dimensionit parlamentar të Procesit të Qeverisë së Hapur.
 
Në fakt, fjala Qeveri duhet të ndryshohet me fjalën Qeverisje, dhe si parlamentet kombëtare, ashtu edhe qeveritë duhet në të ardhmen të përfitojnë nga një mbështetje më e madhe nga ana e Grupit të Punës për Hapjen Legjislative, nëpërmjet një sërë mjetesh, të cilat mund t’i diskutojnë këtu në Tbilisi.
 
Unë e shoh këtë konferencë si një hap të shkëlqyer në këtë drejtim, duke mbështetur përpjekjet tona të vazhdueshme për ta përcjellë informacionin parlamentar dhe aktivitetin legjislativ tek publiku, të cilit në të vërtetë i takon, duke i dhënë më shumë akses për një pjesëmarrje aktive në ligj – vënie, dhe në fund të fundit duke na bërë të gjithëve – si përfaqësues zyrtar dhe të zgjedhur - më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve tanë.
 
Shumë faleminderit për mundësinë.

Redaksia Online
(o.m/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Artisti italian krijon portret gjigand të Kamala Harris në tokë

Artisti italian krijon portret gjigand të Kamala Harris në tokë