Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, për Alda Klosin. Ish-zyrtarja e ministrisë së Financave, së bashku me sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj Havier Dobi, u shpallën fajtorë 'vjedhje me pasoja të rënda" në bashkëpunim.

Vendimi i marrë dje dhe i shpallur sot përcakton se Alda Klosi dënohet me vendim të formës së prerë me 1 vit e 8 muaj burgim, duke ia rrëzuar ankimimin e bërë. Klosi e ka vuajtur dënimin dhe u lirua në muajin Maj të këtij viti, teksa çështja e saj nisi prej vitit 2023, kurse denoncimi u bë në vitin 2022.

Aktualisht Klosi hetohet nga Prokuroria për pastrim parash dhe çështjen e pasurive që i janë zbuluar.

Me 4 vite dhe 8 muaj burgim u dënua pastruesja Dobi dhe me 3 vite dhe 4 muaj i biri i saj, Havieri.

“Në përfundim të gjykimit, më datë 02.10.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore gjyqtar  Fuat Vjerdha dhe anëtare Genti Shala dhe Genti Dokollari, vendosi:- Lënien në fuqi të vendimit Nr. 665, datë 19.03.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Dobi u akuzua për vjedhjen e mbi 120 mkijë eurove sipas denoncimit të Klosit, teksa më tej në kontrollin e banesës iu gjetën mbi 500 mijë euro. Hetimet e mëtejshme të Prokurorisë zbuluan shuma të tjera parash dhe pasurish të patundshme të pajustifikuara të të pandehurës, që kishte qenë vartëse e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, kur kryente detyrën e shefes së Kabinetit te Ministria e Rindërtimit.

Megjithëse Klosi u mbrojt me alibi se ishin kursime të familjes apo borxhe, kjo nuk bindi as Gjykatën dhe as Prokurorinë.

Sipas pastrueses Dobi, Klosi i kishte kërkuar që t’i ruante shumat e konsiderueshme cash në shtëpinë e saj, sepse kishte konflikte me bashkëshortin, por më pas e denoncoi vjedhjen e parave, nga ku u zbulua se paratë gjendeshin te shtëpia e sanitares.

Ngjarja ndodhi në zonën e “Rrugës së Kosovarëve” në Tiranë. Prokuroria bëri edhe hetim pasuror ndaj ish-zyrtares dhe i sekuestroi disa pasuri të patundshme.

Dënimet e lëna në fuqi nga Apeli i Tiranës:
-Alda Klosi, 1 vit e 8 muaj burgim, për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”
-Rozeta Dobi, 4 vjet dhe 8 muaj burgim, për kryerjen e veprës penale “vjedhja”
-Havier Dobi, 3 vjet dhe 4 muaj burgim, për kryerjen e veprës penale “vjedhja”

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)