Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte ditën e sotme në Kavajë, ku prezantoi kandidatin Fisnik Qosja. Nga Kavaja, Meta tha se 14 maji është dita e ndryshimit, pasi sipas tij shqiptarët do t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor. Meta u shpreh se qytetarët më 14 maj do të marrin në kontroll bashkitë dhe institucionet vendore. Për Fisnik Qosjen, Meta tha se ai do të sjellë ndryshimin në bashkinë e Kavajës.

“Jam i sigurt që Fisnik Qosja do të shkëlqejë si administrator model në katër vitet e ardhshme dhe do i japë Kavajës perspektivën dhe shkëlqimin që meriton sepse e njeh fuqinë e komunitetit të Kavajës dhe e mbështet këtë ndryshim te beteja e tij për të përfshirë të rinjtë jo vetëm në këtë betejë për ndryshim por sidomos nesër në betejën që të rinjtë e Kavajës të jenë krenarë jo vetëm për historinë e Kavajës, por të jetojnë të lumtur.

Ta ndërtojnë të ardhmen këtu ku nuk mungon asgjë përveç një bashkie në shërbim të tyre dhe një qeverie të përgjegjshme që do e kenë shumë shpejt. Sot 1 javë Shqipëria voton, shqiptarët monizmin absolut e hedhin në koshin e plehrave. Zgjedhin të marrin në kontrollin e tyre njëherë e përgjithmonë bashkitë dhe institucionet e pushtetit vendor që duhet të jenë në shërbim të qytetarëve. Në 14 Maj është një ndryshim përgjithmonë në Kavajë. Sepse ndahemi me pikën kur këta e zeruan llogaridhënien”, u shpreh Meta.

Meta komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili i kërkoi ish-kreut të PS, Gjergj Mërkurit të tërhiqet nga gara. Meta tha se e bëri këtë thirrje sepse e di që në Sarandë do të dali i treti dhe as nuk ka shansin të fitojë. Sa i takon Tiranës dhe Durrësit, Meta tha se Rama do i shohë me dylbi.

“Iu lut që të tërhiqet nga gara se është i sigurt se në Sarandë është i treti dhe jo më të ketë shans që të fitojë në Sarandë. Për Bashkinë e Tiranës dhe Durrësit do i çojmë një palë dylbi t’i shikojë nga Surreli. Më vjen shumë keq që Rilindja bëri një akt të shëmtuar para pak ditës që e hoqi dhe Gjykatën e Kavajës. Duke i hequr institucione shumë të rëndësishme që janë jetike dhe vitale për qytetarët duke ia bërë atyre jetën edhe më të vështirë edhe më të kushtueshme. Studimi i fundit q që doli tregoi se për të ndjekur një çështje deri në Apel duhet mesatarisht 24 vite”, u shpreh Meta.