Kryetari i partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për mediat ka deklaruar se rritja ekonomike e Shqipërisë pritet të ngadalësohet duke shënuar vetëm 2% për vitin 2023 si pasojë e kushteve më të shtrënguara financiare dhe keqmenaxhimit të qeverisë.
Meta tha se PPP-të kanë sjellë një kërcënim serioz për ekonominë e vendit, për shkak se menaxhimi i këtyre të fundit, ka dalë jashtë kontrollit të qeverisë. Ai shtoi se të gjitha projektet e investimeve publike nuk i nënshtrohen ligjeve në fuqi dhe prokurimeve përkatëse.
“Rritja pritet të ngadalësohet në rreth 2% në vitin 2023, duke reflektuar kushtet më të shtrënguara financiare. Inflacioni është rritur, i nxitur nga çmimet e ushqimeve dhe energjisë, dhe është bërë gjithnjë e më i gjerë. Ne mbetemi të shqetësuar për rreziqet e PPP-ve, të vlerësuara në rreth 40% të PBB-së së vitit 2022, bazuar në vlerën e kontratave të projekteve ekzistuese dhe atyre në proces.
Kuadri për koordinimin dhe menaxhimin e PPP-ve vazhdon të vuajë nga dobësi të mëdha dhe mbetet e paqartë se sa të zgjeruara janë rreziqet fiskale. Paralajmërimi serioz për kërcënimin që sjellin PPP-të që kanë dalë tërësisht jashtë kontrollit, tregon qartë se vendi mund të përballet me situata që mund të dalin jashtë çdo parashikimi. Të gjitha projektet e investimeve publike deri më tani nuk i nënshtrohen ligjeve në fuqi dhe prokurimeve. Gjithçka zhvillohet në kushtet e mungesës së plotë të transparencës. Shqetësimet serioze kanë të bëjnë edhe me mbështetjen sociale ku theksohet se duhet të mbrohen grupet më në nevojë të shoqërisë që janë ekspozuar akoma më shumë përballë rritjes së çmimeve”- u shpreh Meta.
Teksa foli për emigracionin e lartë të shqipëtarëve, Meta tha se ishte totalisht i lidhur ngushtë me çështjet strukturore dhe afatgjata në vend, duke e vënë përgjegjësinë kryesisht tek korrupsioni i qeverisë. Ndërsa më tej, Meta tha se duhet një politikë tjetër për sistemin tatimor në mënyrë që të luftojë korrupsionin dhe informalitetin e lartë.
“Ndërtimi i një sistemi tatimor më të drejtë, më efikas, më të thjeshtë dhe më transparent mund ta bëjë Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja, ndërkohë që do të fuqizojë aktivitetin e brendshëm ekonomik, duke futur stimujt e duhur ekonomikë dhe duke u përballur me nivelin e lartë të informalitetit. Pra një politikë tjetër e një sistemi tatimor por edhe më transparent do t’i shërbente luftës kundër informalitetit por dhe do të zhvillonte prodhimin e brendshëm”- u shpreh Meta.
Sa i takon zgjedhjeve lokale që do të mbahen në 14 maj, Meta u shpreh i bindur se duke nisur nga 15 maji, Shqipëria do të ishte në një situatë totalisht tjetër, duke qenë se do të përfundojë pushteti pothuajse absolut i qeverisë në nivelin vendor.
Shko mor njeri negativ
Përgjigju