Me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së figurës së Ismail Qemalit, presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së emrit të themeluesit të shtetit shqiptar në një prej rrugëve kryesore të Bashkisë Kamëz.

Në ceremoninë e vendosjes së emrit të rrugës, presidenti Meta shoqërohej nga kreu demokrat i Bashkisë, Xhelal Mziu.

“Me rastin e 100-vjetorit të kalimit në përjetësi të patriotit të madh, burrit të ndritur dhe themeluesit të shtetit të ri shqiptar, Ismail Qemali, u ndjeva sot jashtëzakonisht i lumtur të merrja pjesë në ceremoninë e vendosjes së emrit të tij në një prej rrugëve kryesore të Bashkisë Kamzë. Vepra e përjetshme e Ismail Qemalit në shërbim të çështjes shqiptare, forcimit të identitetit kombëtar dhe themelimit të shtetit modern, meriton të gjithë nderimin e respektin tonë të pakufijshëm, si komb, shoqëri dhe institucione”,- tha Meta.