Presidenti Ilir Meta, gjatë paradites së sotme ka pritur në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Jeppe Kofod, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Presidenti vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të tyre veçanërisht bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe rritjen e investimeve daneze në fusha të rëndësishme për vendin tonë.

Përmes rrjetit të tij social Facebook, Meta ka shprehur falënderimet e tij për ndihmën e Danimarkës, për ndërtimin e institucioneve të pavarura shqiptare dhe të shoqërisë civile, si dhe për qëndrimin inkurajues dhe mbështetës për proceset e integrimit evropian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi.

“Mirënjohje për mbështetjen e vyer të Danimarkës në rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, si dhe për ndihmën në përballimin e pandemisë COVID-19 përmes dhurimit të vaksinave për qytetarët tanë.”, shkruan ai në fund.