Stoltenberg: Shqipëria faktor i rëndësishëm për NATO-n! Meta nga Bruksel: Në vend nevojitet dialog!

Stoltenberg: Shqipëria faktor i rëndësishëm për NATO-n! Meta nga Bruksel: Në vend nevojitet dialog!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg,  e ka cilësuar Shqipërinë si një vend shumë të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit duke thënë se po luan një rol të madh për NATO-n. Sipas Stoltenberg Shqipëria është një avokat i fortë për anëtarësimin e vendeve të tjera për në NATO. 

"Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në NATO. Kjo është një  diçka shumë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vetë NATO-n. Deri më tani nuk ka patur vendimarrje për ndërtimin e bazave ushtarake në Shqipëri. Shqipëria është një avokat i fortë për anëtarësimin e vendeve të tjera për në NATO. " ka thënë ndër të tjera Stoltenberg.

Ndërkohë Presidenti Ilir Meta i pranishëm në këtë konferencë të përbashkët me  Jens Stoltenberg ka folur edhe rreth zgjerimit të BE, duke thënë se vendimi për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte një zhgënjim për të.

Meta ka folur edhe në lidhje me krizën politike në vend duke zgjedhur të përgjigjet me fjalët e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s gjatë vizitës së tij në Tiranë, ku theksoi se nevojitet një dialog.

" Sa i përket situatës politike në Shqipëri, mendoj se duhet të marrim në konsideratë mesazhin mjaft të drejtë, që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dha në vizitën e tij të fundit, gjatë pranverës, në Tiranë ku nënvizoi nevojën e dialogut dhe theksoi se demokracia është në zemër të NATO-s.Jam i bindur se do t’i dyfishojmë përpjekjet tona duke punuar në këtë drejtim dhe duke qenë se jemi anëtarë të besueshëm të NATO-s të jemi gjithashtu së shpejti të besueshëm në vazhdimin e rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian." ka thënë Meta.

Ndërsa për sa i përket NATO-s, nga Brukseli, Kreu i shtetit  theksoi se Shqipëria luan një rol të rëndësishëm dhe se do të vazhdojë duke kontribuuar për paqen dhe stabiliteti krah vendeve të tjera. Në fund Meta ka shtuar se Shqipëria do të dyfishojë përpjekjet për në rrugën e integrimit Evropian.

" Ne kemi diskutuar me sekretarin e përgjthshëm për zgjerimin e bashkimit Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne që të dy shprehëm zhgënjimin tonë në lidhje me atë që ndodhi me këshillin evropian me këto dy vende. Por ashtu siç  e bëmë të qartë ne jemi të vendosur për të dyfishuar përpjekjet tona për në Bashkimin Evropian. duke u përpjekur të adresojmë edhe shqetësimet që ka Bashkimi Evropian. Siç ka nënvizuar Sekretari i përgjithshëm i NATOS thelbësore është dialogu dhe demokracia." ka deklaruar Meta.

Deklarata e plotë e Presidentit të Republikës:  “Ishte një kënaqësi e vërtetë të takohesha me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg.

Së bashku patëm një shkëmbim shumë të mirë të pikëpamjeve tona mbi një numër çështjesh të rëndësishme.

Ky vit shënon 70-vjetorin e NATO-s si dhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë.

Përgjatë shtatë dekadave NATO-ja ka qenë, në mënyrë të pashembullt, hapësira më e suksesshme e paqes dhe e begatisë.

E kuptojmë fare mirë se çfarë kërkohet si dhe ç’do të thotë të jesh pjesë e një familje të themeluar mbi parimet e sigurisë, lirive dhe demokracisë.

Ne do të respektojmë premtimin e dhënë për rritjen e investimeve në mbrojtje, si një angazhim të vendosur mbi lidhjen tonë Trans-Atlantike.

Me kënaqësi konstatova një vlerësim të merituar të pranisë së Shqipërisë në operacionet dhe misionet e NATO-s, përfshirë edhe luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ne ndihemi krenarë për burrat dhe gratë tona në uniformë, që i shërbejnë paqes dhe lirisë, brenda dhe përtej kufijve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Gjatë takimit, përmenda edhe rëndësinë që i kushtojmë përzgjedhjes së bazës ajrore të Kuçovës për investime të mëtejshme të NATO-s, duke e konsideruar atë si një vlerë të shtuar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë rajonin tonë.

Anëtarësimi i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut në NATO është një tjetër arritje e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.

Para dy ditësh u takova me Presidentin Pendarovski të Maqedonisë së Veriut, dhe nënvizuam së bashku se politika e dyerve të hapura të NATO-s si dhe zgjerimi i mëtejshëm në këtë rajon vazhdon të jetë strategjik dhe instrumental për paqen dhe stabilitetin.

Akoma e kujtoj kur nënshkrova personalisht më 1 maj 2003, nismën amerikane A3, që synonte përshpejtimin e proceseve të pranimit të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut në NATO.

Jemi krenarë që ky proces ka qenë i suksesshëm, dhe është shtrirë më tej në formatin A5, i cili ka rastisur që këtë vit të udhëhiqet nga Shqipëria.

Në diskutimet që pata me Sekretarin e Përgjithshëm Stoltenberg, gjithashtu inkurajova vazhdimësinë e misionit të NATO-s në Kosovë si dhe praninë e përforcuar të saj në mbështetje të institucioneve të sigurisë së Kosovës.

E drejta legjitime e Kosovës për t’i shndërruar gradualisht Forcat e Sigurisë së Kosovës në një ushtri ndërvepruese dhe multietnike të NATO-s, përmes një procesi ligjor, transparent dhe demokratik, është një burim i sigurisë së përforcuar.

Inkurajova gjithashtu rivendosjen e dialogut Kosovë-Serbi duke synuar një marrëveshje përfundimtare e të detyrueshme juridikisht, e cila duhet të jetë e qëndrueshme, e zbatueshme, dhe që njeh pavarësinë dhe sovranitetin e pakthyeshëm të Kosovës, që kontribuon për paqen dhe stabilitetin e rajonit si dhe normalizon plotësisht marrëdhëniet mes të dy vendeve.

Patëm një diskutim të zgjeruar rreth zhvillimeve të fundit dhe ramë plotësisht dakord mbi rritjen e sfidave në mjedisin tonë të sigurisë. Kjo është arsyeja pse na duhet të ruajmë kohezionin dhe unitetin mes nesh.

Na duhet të bashkojmë të gjitha përpjekjet tona strategjike për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor një hapësirë të orientuar drejt perëndimit, që jeton në paqe dhe ndan vlerat e përbashkëta të Aleancës së Atlantikut të Veriut.”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja