Nga Shkodra ku ishte për Natën e Kadrit, Presidenti Ilir Meta e cilësoi të shenjtë cështjen e Teatrit Kombëtar. "Këtu jam me myftiun para një vendi të shenjtë nuk dua të flas për cështje të tjera, edhe pse cështja e teatrit është e shenjtë se është kombëtare" tha ai.

Gjatë fjalës së tij ai në mënyrë indirekte e vendosi theksin te rindërtimi ku mori shembullin e xhamisë së Parrucës. "Falenderoj myftiun e Shkodrës për këtë mikpritje dhe bashkëpunimin që kemi pasur në vijimësi.

Zgjodha që në këtë Natë të bekuar të Kadrit të isha këtu në Shkodër, pasi Shkodra është në zemrën e cdo shqiptari të ndershëm dhe patriot, simboli i besimit në Zot, në vlerat më të mira atdhetare, simboli i harmonisë, bashkëjetesës dhe qëndresës.

Vizituam xhaminë e Parrucës, e cila shkatërrua në 1967 në periudhën e komunizmit dhe u rindërtua me kthimin e demokracisë. Kjo xhami u rindërtua, ashtu sikur ishte. Edhe njëherë u uroj të gjithë besimtarëve dhe qytetarëve gëzuar natën e bekuar dhe na kujton më me forcë mësimet e profetit, se besimi më i mirë është te durimi dhe zemërgjerësia".

Gjatë vizitës ai evitoi takimin duke shkëmbyer përshëndetje me dorën në zemër, ndërsa një thirrje e kishte edhe për gazetarët 'Mos u afroni shumë, distanca' për shkak të COVID-it.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:56
Meta i dyzuar: Sfidat do i kalojmë me dashuri, por Zoti nuk i do arrogantët

1589914589_meta.jpg
Pas vizitës në Shkodër dhe prononcimit për mediat, Presidenti Meta ka bërë një postim në Facebook, por këtë herë duket më i moderuar në mesazhin që ka shpërndarë. Kreu i shtetit flet për dashuri, mirëkuptim, durim, shpirtgjerësi, por shton se Zoti nuk i do arrogantët dhe mburravecët duke 'thumbuar' qeverinë për teatrin por me një gjuhë më zbutur.

"Nata e Kadrit, sa një mijë muaj, sa një jetë, prandaj është quajtur e bekuar. Sonte qielli dhe toka përulen në lutjet tuaja. Gëzuar Natën e Paqes së Madhe nga Shkodra, djepi i kulturës, simbol i bashkëjetesës fetare, i qëndresës antikomuniste dhe i demokracisë.

Festat fetare këtë vit po i kalojmë në një situatë të jashtëzakonshme, por siç na porosit dhe Profeti Muhamed: Besimi më i mirë është durimi dhe shpirtgjerësia. Me dashuri dhe mirëkuptim do t'i kalojmë së bashku sfidat. Sic thotë Kurani: Zoti nuk i do arrogantët dhe mburravecët. Gëzuar natën e Kadrit! Zoti e bekoftë Shkodrën dhe Shqipërinë" shkruan Meta.

Ora 19:25
Meta thirrje shqiptarëve: Kauza s'ndalon deri në shembjen e tiranisë! 17 maji që shokoi botën nuk do të amnistohet

'Kurrë një ngjarje e tillë nuk do të harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia'. Kështu shprehet Presidenti Ilir Meta për shembjen e teatrit kombëtar, ndërsa shton se kauza e artistëve tashmë është edhe e tij dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e tiranisë. Meta thotë se ajo që ndodhi më 17 maj, nuk do amnistohet kurrë. Kreu i Shtetit thotë se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë të madhe.

"Ajo që ndodhi në errësirën e 17 majit nuk do të amnistohet kurrë! Ndërgjegjja shoqërore dhe kombëtare u lëndua si kurrë më parë. Maska e tiranisë ra përpara të gjithë shqiptarëve dhe e gjithë bota e vërtetë demokratike u shokua.

Kurrë një ngjarje nga Shqipëria s'do prodhonte një jehonë të tillë dhe negative, që nuk shlyhet më dhe as harrohet derisa mbi rrënojat e 17 Majit të vendoset Drejtësia. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk humbi, por fitoi një kauzë edhe më të madhe duke i ndihmuar të gjithë shqiptarët e përgjumur për t'u zgjuar e bashkuar para se Tirania t'i shembë secilit shtëpinë e tij si banorëve të Unazës së Re.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm u ndjenë të dhunuar pabesisht dhe poshtërsisht pasi Teatri ishte tempulli i tyre i përbashkët. Të gjithe u ndjenë edhe në faj e borxh për heronjtë dhe heroinat që e mbrojtën atë për dy vjet e gjysmë me sakrifica të patreguara dhe nën presione të gjithanshme.

Tani kauza e tyre është e të gjithëve ne, dhe nuk do të ndalojë deri në shembjen e Tiranisë dhe Rindërtimin e Teatrit. Mirënjohje të përjetshme artistëve të cilët zgjuan qytetarinë. Një popull që fle në demokraci zgjohet në diktaturë. A nuk u zgjuam në diktaturë në mes të errësirës në 17 maj?" shkruan Meta.

Ora 13:21
Meta: Jam i bindur se shembja e Teatrit është akt i programuar shkombëtarizues

TIRANE-Presidenti Ilir Meta shprehet se shembja e Teatrit Kombëtar nuk është vetëm antikushtetues dhe i paligjshëm, por një akt i programuar shkombëtarizues.

"Kam bindjen e plotë se shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, nuk ishte thjesht dhe vetëm një akt cubash, antikushtetues dhe i paligjshëm, por një akt i programuar shkombëtarizues" shkruan ai.

Kreu i shtetit dje, ashtu si artistët kërkoi hetim ndërkombëtar për shembjen e Teatrit, ndërsa akuzat për qeverinë prej së dielës që u rrafshua godina kanë qenë të shumta.