Meta: Nuk jam i racës së Gruevskit, por i Avni Rustemit! Do vdes socialist dhe shqiptar (VIDEO)

Presidenti Ilir Meta e ka shpallur veten Avni Rustemi e Mic Sokoli, që do shpëtojë Shqipërinë nga Sorosi.

"Kam dy fjalë dhe për miliarderin e nderuar George Soros: Nuk e kam dëgjuar me vëmendje Viktor Orban-in në vitin 2000, në janar, kur unë po i flisja gjithë dashuri për Sorosin se me thënë të drejtën atëherë na ndihmoi në kohën e opozitës, se dhe ai është socialist në pikëpamje, dhe më tha: – Kini kujdes se nuk është dhe aq demokrat sa ç’duket dhe shpesh komploton kundër demokracisë!

Unë do t’i them zotit Soros, – I uroj jetë të gjatë! I uroj suksese edhe të birit, i cili vjen shpesh në Shqipëri dhe është i mirëpritur dhe këtu, që t’ia them edhe nga afër, meqë shkon shpesh në Kosovë, në Serbi. T’i gëzojë ato miliardat e veta! Shqipëria është vërtet një vend i vogël për për përmasat e tij, ndaj të vazhdojë të investojë në tregje të mëdha sepse Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit! Është President i Shqipërisë dhe do i dalë për zot Shqipërisë!

Është i racës së politikanit të tipit Avni Rustemi, edhe i disa shqiptarëve të tjerë si Mic Sokoli, Vojo Kushi, etj. Jam i gatshëm në çdo moment të bëj testin e shëndetit mendor dhe mbas kësaj krize duhet të vendosim në Kushtetutën e Shqipërisë, urgjentisht, testin e shëndetit mendor, për çdo politikan; për Presidentin, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, për të gjithë ministrat, drejtuesit e të gjithë institucioneve më të rëndësishme shtetërore dhe po kështu jam i gatshëm të bëj dhe testin e drogës. Patjetër! Ndërsa për testin e shqiptarit, e dinë ata që e kam bërë, dhe do ta bëj në çdo kohë. Tani të vimë tek kriza dhe tek situata aktuale. Duhet ta keni të qartë që këto ishin zgjedhje socialiste.

Dua t’i them të gjithë socialistëve në Shqipëri e kudo kudo ku janë se, nëse kam përmendur termin “socialiste” nuk e kam për ata si socialist, përkundrazi, sepse unë ndryshe nga Edi që ka pasur shumë pirueta, që nga partia “KISS” që bëri atëherë, edhe nga tentativat për nxjerrje jashtë ligjit të Partisë Socialiste e me radhë, unë kam qenë shumë konseguent në linjën time.

Ata e dinë që unë kam qenë gjithmonë eurosocialist, socialist, edhe sot që jam këtu, bindjet e mia të tilla janë, pavarësisht se në detyrën time nuk ndikohem nga kjo gjë. Dhe derisa të jetoj e derisa të vdes ashtu do të mbetem, socialist dhe social, por në radhë të parë shqiptar. Kam lindur dhe do të vdes shqiptar, nuk do të vdes shqipfolës", tha Meta.


Lajmi kryesor:

Meta jep propozimin e tij për zgjidhjen e krizës: Më 13 tetor zgjedhje vendore, të përgjithshme dhe për Presidentin /Video


G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve

Atmosfera festive në Kosovë, tregu i Krishtlindjeve në Prishtinë tërheq vëmendjen e të huajve