Presidenti i Republikës Ilir Meta ka komentuar për herë të parë propozimin e kryeministrit Edi Rama për ta dekretuar në postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme. Kreu i qeverisë i dërgoi Metës emrin e tij për ministër, pas ngërçit të krijuar mes presidencës dhe qeverisë për Gent Cakajn. I ftuar në "Opinion" Meta tha se ka mbërritur në Presidencë propozimi me emrin e Ramës si ministër, mirëpo ai shtoi se do t'i duhet kohë e mjaftueshme për t'u shprehur me dekret.   

Është një lajm i freskët dhe mesa jam në dijeni, pak më parë ka mbërritur apo është protokolluar një propozim i tillë, për të cilin natyrisht që më duhet një kohë e mjaftueshme për t’u këshilluar dhe për të dhënë një vlerësim të plotë. Kohë e mjaftueshme do të thotë që çdo veprim të bëhet me përgjegjshmëri, duke respektuar Kushtetutën dhe duke marrë në konsideratë çdo kërkesë të vetë Kushtetutës. Një kërkesë e tillë sapo është depozituar dhe do të kërkojë kohën e saj. Dhe përgjigjja do të jetë tepër e përgjegjshme, por edhe transparente. Që do të thotë se do të më duhet kohë për të dhënë një përgjigje të qartë, të plotë dhe shteruese.

Ilir Meta, president

Kryeministri Edi Rama zyrtarisht ka marrë edhe postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme pas refuzimit që Presidenti Ilir Meta i bëri emrit të Gent Cakajt. Vendimi u komunikua në mbledhjen e sotme të kryesisë socialiste. Ishte vetë kreu i qeverisë që dha lajmin se deri në zgjidhjen e ngërçit të krijuar do të drejtojë edhe këtë dikaster (Lexo këtu). Pa humbur kohë, kryeministri dërgoi në presidencë dekretin me kërkesën për emërimin e vetes dhe në postin e ministrit të Jashtëm. 

Tre më parë nisi përplasja presidencë-qeveri, pasi kreu i shtetit Ilir Meta refuzoi të dekretojë propozimin për emërimin e Gent Cakajt ministër të Jashtëm në vend të Ditmir Bushatit. Meta arsyetoi se Cakaj është figurë e papërshtatshme për pozicioin e kryediplomatit për shkak të qëndrimeve të tij për kufijtë e Kosovës si dhe kishte mbajtur detyrën e zv/ministrit të Jashtëm duke mos u pajisur me certifikatë sigurie. Pretendime të cilat sipas kryeministrit Edi Rama ishin të pabaza, ndërsa akuzoi Metën për shkelje të Kushtetutës (Lexo këtu).