TIRANE-Presidenti Ilir Meta priti sot në takim delegacionin e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, i cili sipas kreut të shtetit po zhvillon një mision fakt-mbledhës në Shqipëri. Meta, sipas zyrës së shtypit të Presidentit theksoi se Shqipëria ndodhet në një krizë sui generis përfaqësimi, dhe në ç'ekuilibër të plotë të mekanizmave të kontrollit dhe balancës.

“Votimet njëpartiake të 30 qershorit nuk i dhanë zgjidhje krizës, por cenuan rëndë edhe demokracinë vendore, duke e zhytur më shumë vendin në rrugën e paligjshmërisë dhe kapjes së shtetit” tha Meta.

Kreu i Shtetit u ndal edhe në disa ligje të miratuara nga Kuvendi, të cilat sipas tij cenojnë autonominë vendore dhe disa parime bazë të Kartës Europiane, për të cilat shtoi se 'pritet të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, ende jo-funksionale'.

Më tej Meta tha se kushtet e Bundestagut janë pasqyra më e qartë e problemeve serioze me të cilat përballet vendi, por edhe harta më e sigurt për rrugën europiane që duhet të ndjekë pa vonesë Shqipëria.

Presidenti theksoi në fund se është jetike për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë që kësaj situate t’i jepet një zgjidhje tërësore, sipas tij duke i kthyer legjitimitetin e munguar institucioneve përmes votës së lirë të qytetarëve.

Pjesë e delegacionit që ndodhen në Shqipëri janë Presidenti Anders Knape, me Presidentët e dy Dhomave, të Autoriteteve Lokale, Xavier Cadoret dhe të Rajoneve Gunn Marit Helgesen, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm Andreas Kiefer.

Kongresi i Autoriteteve Lokale të Këshillit të Europës refuzoi të monitoronte zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Kongresi i autoriteteve vendore i Keshillit të Europes nuk ka asnje lidhje me Bashkimin Europian.