Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot një delegacion të Grupit të Miqësisë Poloni-Shqipëri nga Parlamenti i Polonisë, të kryesuar nga Kryetari i këtij grupi, Tomasz Glogowski.

Kryetari i Kuvendit Meta i uroi mirëseardhjen grupit të miqësisë nga Parlamenti i Polonisë duke vënë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera politike dhe miqësinë tradicionale që ekziston mes Shqipërisë dhe Polonisë. Ai theksoi se "Polonia nuk është vetëm një vend mik, por edhe një vend i rëndësishëm aleat për Shqipërinë dhe në këtë drejtim duhet të thellojmë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve".
Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme të Polonisë për miratimin e statusit të vendit kandidat në BE duke theksuar se Shqipëria dhe veçanërisht Kuvendi i Shqipërisë e çmojnë asistencën dhe ekspertizën polake në kuadër të hapave të mëtejshëm të procesit të integrimit evropian të vendit.

Kryetari i Grupit të Miqësisë Poloni-Shqipëri, Tomasz Glogowski, shprehu mirënjohjen për ftesën si dhe kënaqësinë për këtë vizitë të delegacionit polak në Shqipëri duke nënvizuar se të dy grupet reciproke të miqësisë do të punojnë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare, të cilat kanë një peshë të veçantë në marrëdhëniet dypalëshe.

Glogowski shprehu urimet për miratimin e statusit kandidat për Shqipërinë duke theksuar se Polonia mbetet gjithnjë në favor të politikës së zgjerimit dhe dyerve të hapura të Bashkimit Evropian, dhe njëkohësisht një vend gjithnjë i gatshëm t'a ndihmojë Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian.

Kryetari i Kuvndit Meta dhe delegacioni i deputetëve polakë biseduan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit ndërkombëtare duke ndarë bindjen se forcimi i bashkëpunimit shumëpalësh mes Shqipërisë dhe Polonisë i shërben forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në Evropë. /ATSH/