Meta vlerësoi se vizitat e ndërsjella të dy kryeministrave Rama e Vuçiç, tregojnë për një situatë tjetër jo vetëm në raportet mes dy vendeve, por edhe për rajonin në tërësi.
"Vizita e Ramës në Beograd dhe kthimi nga ana e kryeministrit të Serbisë, flet për një marsh të ri në rajon", u shpreh Meta.
Ai theksoi se në një kohë fare të shkurtër nga 1998-2000 është bërë një kapërcim i jashtëzakonshëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ndërsa prej vitesh ka patur ngecje në ato me Serbinë.
"Këto marrëdhënie unë i krahasoi me të njëjtat marrëdhënie që kemi me Kosovën. U bënë gati 16 vjet që nuk jemi aty ku duhet të ishim në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, pasi jemi ende peng të së kaluarës dhe dy vendet që duan të jenë pjesë e integrimit europian. Përgjegjësisë kryesore e kësaj ngadalësisë është e Serbisë", tha Meta, duke fajësuar Beogradin se ende s'ka hequr vizat me Shqipërinë, pavarësisht se Tirana ka liberalizuar vizat për qytetarët serbë.
"Ende nuk janë nënshkruar as gjysma e marrëveshjeve të propozuara nga Shqipëria që prej vitit 2002. Shqipëria u detyruar të hiqte vizat e njëanshme pas liberalizimit të vizave me Serbinë, ndërsa këta të fundit nuk i bënë. Një pjese e mediave serbe në ndeshjen e kthimit në Shqipëri krijuan një atmosferë të paqenë dhe armiqësore, ndryshe nga opinioni i dhënë nga studentët serb të pranishëm. Ne jemi në rrugë të drejte, por me një shpejtësi që le për të dëshiruar. Vetëm duke bashkëpunuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, krijojnë një mjedis ndryshe dhe stabilitet mes vendeve. Ndërgjegjësimi është arritur por shpejtësia për rezultate konkrete duhen shumëfishuar. Ne duhet t'i shohim marrëdhëniet në mënyrë racionale. Në Ballkan, të gjithë njësoëj jemi, ndaj duhet të bëjmë shumë më tepër. Interesat tani janë më të mëdha, konkrete dhe të mprehta", deklaroi kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
Nga ana tjetër, ambasadori gjerman, Helmut Hoffman, e ka vënë theksin edhe te përmirësimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Sipas tij, ky do të ishte një hap mjaft i rëndësishëm, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të ndërlikuara.
Ai tha se Gjermania do të asistojë krijimin e një qendre me fokus përmirësimin e raporteve mes dy vendeve.
"Nuk është e fshehtë që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë kanë qenë të vështira. Ndaj ne e mirëpresim projektin për krijimin e një qendre. Ministria e jashtme e Gjermanisë do të ofrojë asistencën e saj. Do të më pëlqente të kishim më tepër mbështetje. Ballkani mbetet me nivel të lartë të çështjeve të pazgjidhshme të cilat mund të shkaktojnë tensione të vërteta. Rajoni ka ecur përpara, por sicc e thonë anglezët "Ne akoma s'kemi dalë nga pylli", theksoi Hoffman.
Sipas tij, BE-ja ka një interes të gjerë për të stabilizuar rajonin dhe krijuar një çati të përbashkët europiane, ndaj stabilizimi i situatës mbetet i rëndësishëm.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com