Ish-deputetja e PD-së Albana Vokshi ka reaguar pas vendimit të Presidentit Meta për të refuzuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit për shkarkimin nga detyra të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Vokshi përshëndet vendimin e Presidentit, teksa e cilëson të drejtë dhe të saktë dhe në mbrojtje të autonomisë universitare.

Postimi i plotë i Albana Vokshit
Pershendes vendimin e Presidentit për të mos lejuar shkarkimin e paligjshëm nga qeveria të Rektorit Mynyr Koni. Vendimi i Presidentit është në mbrojtje të autonomisë universitare dhe lirisë akademike, që u cënuan rëndë nga akti i paligjshëm i Ministres së Arsimit.

Është shumë i drejtë dhe i saktë argumenti i Presidentit se Ministrja Shahini nuk ka ushtruar kompetencat e saj në mënyrë objektive, shteruese, proporcionale dhe transparente.

Autonomia universitare duhet mbrojtur me çdo kusht për të mos e lënë edhe Arsimin e Lartë, edhe jetën akademike në duart e një Kryeministri që kontrollon gjithçka tjetër: Gjykatat, prokurorinë, mediat dhe të ashtuquajturën shoqeri civile.

PD është e përkushtuar ta garantojë autonominë universitare me një ligj të ri për arsimin e lartë, që do ta hartojmë së bashku me pedagogët e studentët.