TIRANE- Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit ka qenë dje në një intervistë me gazetarin Ilir Babaramo në televizionin A1Report. Për Metën, kreu i Partisë Demokratike është Sali Berisha. Kjo frazë erdhi, kur Meta po fliste mbi momentin që donte të bindte Berishën që opozita të mos bllokonte seancën plenare. Meta ka folur mbi situatën politike në vend

Mendoni se u krijua një precedent se qeveria duhet të zbatojë atë që thote populli?
Është parim qytetar. Nuk mendoj se është ky rasti në fjalë, sepse shqetësimi i qytetarëve ka pasur një bazë reale, pasi nevojitej informacion në rast se do zhvillohej një veprim i tillë, çfarë situatash do krijonte ai, a ishin mundësitë në vendin tonë. Frika për një sasi të tillë lëndësh kimike krijoi shqetësimin e qytetarëve. Plus që ne dhe në të kaluarën kemi pasur rast të tilla, siç është rasti i Gërdecit apo i rasteve të tjera në përmasa më të vogla. Nuk mund të themi se ka qenë një shqëtësim pa baza. Në këto dy drejtime mendoj se qeveria nuk mund t’i injoronte këto shqetësime.

Mendoni se ne nuk i kemi kapacitetet? Pse nuk u tha jo që në fillim?
Gjithmonë ka qenë mendimi dhe ideja për të ndarë përgjegjësi në këto aksione të përbashkëta ndërkombëtare dhe për të shqyrtuar mundësinë e shkallës së këtij kontributi, dhe mënyrës. Është gjëja më e lehtë të thuash jo, dhe me sa duket kryeministri Rama në një linjë konsistente me politikën e Shqipërisë për të kontribuar për paqen dhe sigurinë, ka shqyrtuar të gjitha mundësitë dhe hapësirat se sa mund të kontribuonte Shqipëria.

Në ç’rrugë e morët vesh ju, që Shqipërisë iu propozua të merrte këto armë?
Nuk besoj se ky është një element i rëndësishëm. Kryeminsitri Rama në fjalën e tij bëri një parashtrim të gjithë arsyeve. Ne kemi pasur bisedime të herëpashershme, ku më është bërë e ditur se ka një interes për të përfshirë Shqipërinë në një aktivitet të tillë, në përputhje me mundësitë që ajo ka për të kontribuar.

A ka ndryshim vizioni mes jush dhe Ramës sa i takon mundësive?
Mendoj se fakti që janë bërë diskutime të vazhdueshme do të thotë se ka qenë rezultat i vlerësimit të kapaciteteve, që ne nuk i kemi. Besoj se këtu ka një përputhje të qartë të qëndrimit dhe vlerësimit tonë. Ka qenë një vendim i përbashkët.

E kishit marrë garancinë që do zhvendoseshin mbetjet?
Nuk kam qenë pjesë, por di se kryeministri Rama ka qenë i qartë dhe i bindur se ky proces nuk i përkiste Shqipërisë.

Ishit i njohur me këtë fakt para se të dilnin ambientalistët për të protestuar?
Kam qenë i informuar për këtë propozim prej disa kohësh. Zoti Rama ka bërë shpjegimet e tij publike, po ashtu edhe ambasadori i SHBA. Mendoj se qëllimet kanë qenë pozitive nga të dyja palët.

Ku gabuan, çfarë mund të kishin bërë ndryshe?
Nuk mendoj se ka të bëjë me menaxhimin e situatës dhe të opinionit publik. Shqetësimi nuk ishte i pabazë. Edhe sikur të ishin garancitë me të mëdha, prapë shqetësimi do të ishte i pranishëm.

Rama u shpreh se përfaqësuesit e OKB i kërkuan të ruante konfidencilitetin e këtij informacioni. A mendoni se duhet të ishte më transparent me opinionin publikun?
Nuk mendoj se është e njëjta situatë për të hequr një paralele me rastin e Rambujesë, pasi aterë kishim një rast të vazhdueshëm ngjarjesh. Në rastin konkret ka qenë thjesht një propozim, një ide, që duhej shqyrtuar. Dhe përgjegjësinë e parë në këtë rast e ka qeveria dhe instancat. Nuk kemi rastin kur qeveria ka një bindje dhe më pas kjo duhet ndarë me parlamentin dhe publikun e gjerë.

Sa i takon humbjeve që përfliten?
Mendoj se janë më shumë se legjenda urbane. Në rast se Shqipëria do të bëhej pjesë e një operacioni të tillë, pa dyshim që vendi do të rriste peshën e saj, rolin e saj në planin ndërkombëtar. Ky do ishte një kontribut i Shipërisë për paqen dhe sigurinë në botë.

Ka spekulim se SHBA përmes institucioneve të ndryshme do mbulonin gropën e zezë të mbuluar në buxhetin shqiptar nga qeveria e mëparshme. A mos është kjo një aventurë financaire për të mbuluar një aventurë të qeverisë së mëparshme?
Bëhej fjalë për të marrë një përgjegjësi, që mund ta mbanim ose jo në varësi me vlerësimin kompleks të kësaj sfide, ndërsa çështja tjetër është e njohur për faktin që qeveria është në tratativa me FMN. Përtej propozimit për t’u përfshirë në këtë operacion.

A mund t’u themi ultrapragmatistëve që nuk kemi humbur asgjë?
Kemi fituar një strandard të ri demokratik.

Nëse do ju vinte projekti të enjten, ju si do votonit?
Projekti nuk do ishte i thjeshtë, do vinte me një relacion. Nëse qeveria do ecte me këtë rrugë do ishte e bindur për një siguri të këtij procesi. Theksova edhe më parë që nuk ka pasur asnjë vendim nga ana ime si do votoja, pasi nuk kam parë asnjë vendim, asnjë projektligj mbi këtë çështje. Nuk kam pasur pragjykime, paravarësisht se i kam mirëkuptuar të gjithë shqetësimet e qytetarëve dhe ambientalistëve. Gjatë takimit me ambasadorin dhe kryeministrin në një kafe të zakonshme pas një aktiviteti, është folur shumë pak për çështjen e armëve kimike.

A mendoni se Rama u tërhoq për shkak të numrave që po humbiste në parlament? Janë shprehur kundër edhe dy ministrat e LSI-së...
Nuk besoj se kjo ka qenë arsyeja. Nuk ka pasur deputete të LSi kundër, mbase kështu janë interpretuar apo paraqitur mendimet e tyre. Qeveria nuk ka qenë plotësisht e bindur në përpilimin e një akti me siguri absolute, i cili jepte një përgjigje të plotë, të qartë, gjithë atyre shqetësimeve që u ngritën.

Në këto rrethana ju do votonit kundër?
Nuk mund të votonim, pasi nuk kishte një akt.

A u konsultua mjaftueshëm kryeministri me ju?
Mendoj se po.

Me opozitën. Gjithë janë kuriozë se çfarë biseduat me zotin Berisha në Kuvend?
Nuk ishte ndonjë diksutim shumë i gjatë. Ishte një përjekje imja për të vendosur në fuksionalitet Kuvendin pasi PD në kundërshtim me rregulloren kërkonte ndërprerjen e punimeve në parlament, dhe ndërprerjen e vizitës zyrtare të kryeministrit Rama dhe që ai të paraqitej në Kuvend. Dhe kjo ishte në kundërshtim me rregulloren. E pata të vështirë ta bindja.

Arvizu tha e pata të vëshirë të kuptoj kush e drejton PD, ju e keni kuptuar?
Përderisa u ula afër zotit Berisha, besoj se e kam kuptuar.

Duhet të shembet pallati i vjehrrit të kreut të opozitës në Vlorë?
Për mua duhet të respektohet ligji njësoj për çdo qytetar të vendit, pavarësisht lidhjeve që mund të ketë njëri apo tjetri. Kjo nuk është një çështje që mund ta vlerësoj unë. Nuk kam kompetencën për ta bërë këtë gjë, apo marrjen e atributeve që i takojnë institucioneve të tjera.

Mund të ndërmerren edhe reforma që mund të kenë kosto elektorale. A mendoni se po harxhohet energji me gjëra periferike? Si për shembull operacioni “Fundi marrëzisë” që mbylli lojërat e fatit dhe më pas u rihapën të gjitha. Apo kaluan nga njëra dorë në tjetrën?
Ky është një spekulim që vjen nga opozita. Ai ishte një aksion kundër evazionit, abuzimit. Qeveria po tregon vullnet për të vijuar me zbatimin e ligjit. Do ketë reforma shumë të rëndësishme. Dhe qeveria është në proces konsultimi me aktorë dhe institucione të rëndësishme.

Ju jeni pakicë brenda shumicës, por një pakicë që ka peshë...
Ne jemi një mazhorancë që funksionon në mënyrë bashkëpunuese. Nëse ka diferencë në mendime, s’do të thotë se ka diferencë në qëndrime.

Ekziston mundësia që të ketë ndryshim të drejtuesve të institucioneve kushtetuese para përfundimit të mandatit të tyre?
Nuk mund të them, pasi qëllimi i kësaj mazhorance nuk është të bëjë ndryshime individësh, por të sjellë një qasje të re në raport me institucionet e pavarura.
 
 Shkrimi u publikua sot (19.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)