Presidenti Ilir Meta ka shkruar një letër të dytë publike, kësaj here drejtuar qytetarëve, për të vënë theksin se data kushtetuese, sipas tij, është 13 tetori dhe jo 30 qershori, që ka dekretuar më herët.

 Bashkangjitur saj, kreu i shtetit ka publikuar një video të votimeve në komunizëm, për të krijuar një analogji se kështu do të ishin edhe zgjedhjet e 30 qershorit, ndonëse në ndryshim nga "dje", një palë (në rastin konkret opozita) nuk merr pjesë në zgjedhje, sepse ashtu ka vendosur vetë.

Në letrën e tij, Meta i drejtohet qytetarëve që të mos bien pre e provokimeve të kryeministri Rama dhe përfaqësuesve të mazhorancës, të cilët ngulojmë që zgjedhjet të jenë më 30 qershor, datë është shpallur e ligjshme nga Kolegji Zgjedhor, por kundërshtohet nga opozita.

"Nga dje, data kushtetuese e zgjedhjeve vendore është 13 tetor 2019. Situata është e qartë dhe e padiskutueshme nga ana ligjore dhe kushtetuese. Gjithsesi kryeministri po insiston për të shkuar në votime socialiste në datën 30 qershor 2019. Ju këshilloj ta merrni atë me qetësi e mençuri, dhe të mos bini pre e provokimeve, sepse ato u shërbejnë vetëm atyre që duan të legjitimojnë kapjen totale të shtetit dhe instalimin e një regjimi njëpartiak", shkruan Meta.

"Mos u nervozoni nga provokimet që do t’ju bëhen për t’ju çuar drejt dhunës", shkruan Meta, teksa fton qytetarët që të mos shkojnë të votojnë në 30 qershor. Sipas tij, në 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, por votime, e ndërsa ka vënë theksin tek fjala "dhunë", duke marrë parasysh se ka një skenar të PD-së për sulm në disa KZAZ-të në vend më 30 qershor.

"T’i respektojmë dhe të mos konfrontohemi me të gjithë ata bashkëqytetarë që do të shkojnë në këto votime socialiste. Konfrontimi dhe dhuna nuk i shërben Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane, dhe sidomos bashkëjetesës sonë qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo komunitet dhe në të gjithë shoqërinë tonë. Mos u nervozoni nga provokimet që do t’ju bëhen për t’ju çuar drejt dhunës", shkruan ai.

Dje ai i dërgoi një letër publike kryeministrit Edi Rama, teksa i shkruante të "reflektonte".


Letra e plotë e presidentit Meta