Presidenti Ilir Meta duke folur në tryezën e Këshillit Koordinues të Diasporës ka bërë thirrje Diasporës që të kontribuojë ashtu siç bëri në ditët e para të tërmetit. Sipas Metës situata e tërmetit duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë.
Në fund Meta ka shtuar se duhet bërë çdo përpjekje që shqiptarët të jenë krenar për identitetin e tyre.Ndwr tw tjera Presidenti Meta ka thwnw se kjo fatkeqësi le të shërbejë edhe si moment reflektimi, rindërtimi, rimëkëmbjeje dhe pajtimi për të forcuar bashkëpunimin në interes të qytetarëve tanë, të vendit tonë, por edhe të kohezionit tonë kombëtar.
" Përgjatë tridhjetë viteve të fundit, remitancat, pra dërgesat e diasporës, kanë patur një ndikim të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në ekonominë e vendit. Ato jo vetëm ka ndikuar në uljen e varfërisë, por edhe kanë rritur konsiderueshëm standardin e jetesës për shumë familje shqiptare duke forcuar sektorin e investimeve private.
Dërgesat e diasporës edhe sot mbeten në nivele më të larta, të krahasueshme me investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe mbeten një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit dhe mirëqenies së vendit.Është detyrim i yni, i përcaktuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë për t’i qëndruar sa më pranë diasporës shqiptare të hershme dhe asaj të re.
Ndaj duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë për të gjetur zgjidhje ndaj problematikave që has diaspora, duke krijuar një klimë edhe më të favorshme për investime të huaj në Shqipëri; duke ndërtuar strategji për ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporën e hershme arbëreshe apo arbanaist, por edhe asaj të re, pasi gjuha është ajo që e mban një komb të bashkuar; për ngritjen e qendrave kulturore shqiptare në vendet e tjera; për arritjen e marrëveshjeve me të gjitha shtetet ku ka shqiptarë për njohjen e kontributeve dhe sigurimet e pensionit të emigrantëve të pas viteve 90-të si edhe për forcimin e marrëdhënieve ekonomike edhe me këto komunitete.Shqiptarët janë gjendur gjithmonë pranë njëri-tjetrit në momente të vështira. Edhe pse larg atdheut ata kanë qenë gjithmonë me mendje dhe me zemër pranë të afërme, familjeve dhe bashkatdhetarëve të tyre në tokën mëmë.
Shfrytëzoj këtë rast të falënderoj të gjitha komunitetet e diasporës në mbarë botën për ndihmën dhe për mesazhet e solidaritetit për fatkeqësinë natyrore që goditit vendin tonë më 26 nëntor.
Shoqata dhe individë të shumtë të diasporës sonë, jo vetëm nga vendet fqinje, por edhe nga Amerika, Kanadaja e deri në Australi, kanë mbledhur ndihma dhe të ardhura në mbështetje të njerëzve të prekur nga tërmeti, duke treguar kështu një solidaritet të rrallë ndaj vendit dhe bashkatdhetarëve të tyre.
Unë besoj se ky solidaritet do të vazhdojë deri në shërimin e plotë të pasojave të kësaj fatkeqësie.
Kjo fatkeqësi le të shërbejë edhe si moment reflektimi, rindërtimi, rimëkëmbjeje dhe pajtimi për të forcuar bashkëpunimin në interes të qytetarëve tanë, të vendit tonë, por edhe të kohezionit tonë kombëtar. Së fundmi, unë i uroj suksese këtij Këshilli dhe shpresoj që të ndërmerren hapa konkrete dhe të gjendet zgjidhje për problemet dhe vështirësitë që has diaspora, si edhe të krijohet një bashkëpunim edhe më i ndërsjellë, edhe më i fortë, edhe më organik dhe më i dobishëm.Duhet të bëjmë çdo përpjekje që shqiptarët kudo ku ndodhen të ndihen të përfshirë në jetën e zhvillimin e vendit, si dhe krenarë për identitetin e tyre shqiptar.” tha Meta.
Lajmi kryesor: