Presidenti i Republikës Ilir Meta ka qenë mjaft i ashpër me Euralius, (misioni i asistencës së BE-së për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri). Kreu i shtetit tha se nuk mund të thotë se reforma në drejtësi ka qenë sukses, ndërsa u ndal te ngërçi te Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, hallkë kryesore për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Meta tha se pas ngërçit që u krijua me shortin e KED u kërkoi të gjitha institucioneve që të diskutojnë dhe vendosin, por misioni Euralius kishte refuzuar, sipas kreut të shtetit me argumentin se 'ishin mision teknik'. Por kjo për Metën do të thotë se kishin marrë porosi politike dhe ai shtoi se nuk e di nga u mor kjo porosi. 'Kjo nuk është drejtësi europiane' shpërtheu' më pas Meta kundër misionit dhe ndërkombëtarëve duke thënë se nuk mund ta dhunojnë Kushtetutën.
"Ne do të flasim për sukseset e mëdha të reformës në drejtësi. I jam shmangur publikisht. Por po bëhen tre vite nga miratimi i reformës në drejtësi, mund të them që nëse do të ishte vërtetë një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presion, por me standarde, nëse duhet me emra asnjëherë nuk është e qëndrueshme, por forma të reja për kapjen e institucioneve. Të vijmë te rasti i Gjykatës Kushtetuese se nuk mund të jem i qetë pa e nxjerrë këtë merak. Dy herë janë hedhur shortet e KED-së, që është institucioni kryesor për reformën në drejtësi. Kam bërë përpjekje të mëdha që gjithcka të bëhet sipas Kushtetutës. Herën e dytë si President, një papërgjegjshmëri totale dhe nga ndërkombëtarët. Kam folur hapur, më takon të hedh shortin, por e dimë se cfarë ka ndodhur dhe hajde të ftojmë institucionet jashtë kamerave për të unifikuar qëndrimin e përbashkët, që të mos kemi debate dhe kontestime. Kërkova angazhimin me shkrim të delegacionit europian dhe Euralius që paguhet për këtë.
Por Euralius ditën e fundit i çon përgjigje Presidentit se nuk vijmë dot në takim se jemi mision teknik, që do të thotë se ke marrë porosi politike. Unë nuk e di nga u mor kjo porosi politike. Je mision dhe të fton Presidenti për Kushtetutën e një vendi, po ky Euralius si e jep një vërtetim një kryetari të komisionit të ligjeve për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën? Kjo nuk është drejtësi europiane. Kjo nuk do ta luftojë korrupsionin më shumë. Nuk do ta luftojë më shumë krimin e organizuar. Këto historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe dëgjoni, reforma do të jetë e suksesshme kur të ketë më shumë investime nga SHBA, Britania dhe të tjera.
U bëjmë të qartë kujtdo se Kushtetutën tonë nuk mund ta dhunojnë, as Presidenti dhe asnjë ambasador, diplomat apo komisioner. Në fillim të tetorit i kam thënë drejtorit për zgjerimin Denilson që jemi pa gjykatë Kushtetuese. Kam kërkuar në fillim të tetorit ne jemi në një situatë të tillë nëse flisni për sukses, por kemi kaq kohë pa gjykatë Kushtetuese. Prandaj sillni një mision vlerësimi për zbatimin për reformën, pasi po ikën kaq kohë, në mënyrë që të garantojmë që kjo është histori suksesi, pasi përmes kësaj do të jemi më të besueshëm për negociatat".
Lajmi kryesor: