Presidenti Ilir Meta ndodhet në një vizitë në Japoni, ndërsa për pak kohë ka ndryshuar edhe stilin e  veshjes. Por kostumi i ri me kodin e veshjes perandorake ka sjellë reagimin e komentuesve që kanë ngritur pyetjen në rrjetet sociale se si duket: Dirigjent, kamarier, perandor apo president? Me veshjen e quajtur 'white tie" Meta ishte në mesin e 100 personaliteteve nga e gjithë bota në pallatin perandorak në Tokio.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndodhet në Tokio, ku mori pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të Perandorit të ri të Japonisë, Naruhito.

Po ashtu, Presidenti Ilir Meta publikoi në rrjetet sociale një foto me nobelisten Aung San Suu Kyi dhe u shpreh shumë i kënaqur nga ky takim. Mirëpo ky postim nuk është pritur mirë nga komentuesit, të cilët kanë nisur t’i kujtojnë kreut të shtetit të shkuarën e Aung San Suu Kyi. Ka pasur nga ata që e kanë quajtur një turp ndërkombëtar, pasi sipas tyre, nobelistja është shkaktare e masakrës dhe përndjekjes së mijëra muslimanëve civilë të pafajshëm Rohinga nga Mianmari drejt Bangladeshit.

Gjatë vizitës së tij në Japoni, Meta zhvilloi sot një takim me Zëvendës Presidentin e Agjencisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), z.Junichi Yamada.

Presidenti Meta vlerësoi asistencën financiare dhe teknike të dhënë nga Japonia nëpërmjet JICA, me një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin ekonomik, social, arsimor dhe infrastrukturor në Shqipëri.

Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit shprehu nevojën e rritjes së programeve dhe projekteve të JICA në Shqipëri në bujqësi, arsim, turizëm dhe infrastrukturën urbane, duke i konsideruar ato si pararojë të investimeve të rëndësishme japoneze në ekonominë e vendit tonë.