Qeveria shqiptare do të japë kontributin e saj në lidhje me zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë, në kuadër të integrimit të saj në strukturat e Bashkimit Europian, deklaroi sot kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, pas takimit me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.

Në një deklaratë për mediat, Meta vlerësoi kontributin e Ahmetit në skenën politike të BDI-së, per çështjen e emrit të Maqedonisë, një problem i mbartur prej vitesh.
"Me liderin e BDI-së, ndamë pikëpamje lidhur me zhvillimet në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe rajonin tonë, si dhe për të intensifikuar marrëveshjet mes dy vendeve dhe dy qeverive, dhe marrëdhëniet mes forcave politike Maqedoni-Shqipëri. Për ne është e rëndësishme të vlerësohen marrëveshjet e BDI-së për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë, si pjesë për integrimin e saj në BE. Shpresojmë që këto përpjeke të ketë rezultatet të mira", tha kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i LSI-së

Ai theksoi se do të intensifikohen marrëveshjet në fushën e arsimit dhe sidomos në lidhje me ndërtimin e Korridorit 8.Ndërsa, kreu i BDI-së kërkoi që Shqipëria të nënshkruajë më tepër marrëveshje për arsimin dhe të zbatojë marrëveshjet e nënshkruara tashmë me Maqedoninë. Ai theksoi se Tirana zyrtare është sjellë gjithnjë si 'nënë' dhe se 'një nënë nuk ja do asnjëherë të keqen fëmijës së saj'.

"Kemi ndarë shumë mendime të përbashkëta për shumë çështje që kanë të bëjnë me dy vendet tona. Shqiptarët janë faktor stabiliteti dhe progresi në Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nuk kemi punuar asnjëherë nën konspiracion, bashkëpunimin e kemi pasur të hapur. Kam kërkuar që të zbatohen marrëveshjet që janë nënshkruar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Marrëveshje të reja të nënshkruhen sidomos në fushën e arsimit dhe bashkëpunim më i afërt mes institucioneve arsimore, pasi kemi nevojë për t'i lartësuar këto marrëdhënie", tha Ahmeti.

Kërkova përkrahjen e Shqipërisë, vijoi ai, që ne të anëtarësohemi sa më parë në NATO. Ne nuk jemi peng i emocioneve, por ne duam sa më parë arritjen e një zgjidhje mes Maqedonisë dhe Greqisë. Gjithmonë kemi inkurajuar forcat në vend dhe kemi kërkuar ndihmat e fqinjëve, sepse ne na duhet që Ballkani Perëndimor tërësisht të jetë i anëtarësuar në NATO dhe BE. Me pengesat që kemi të pa mbyllura dhe të pa zgjidhura sigurisht që është pengesë serioze. Nëse ka ndonjë vend në rajon ku Maqedonia nuk ka çështje madhore të kontestueshme është Shqipëria. Shqipëria është e interesuar që Maqedonia të jetë në stabilitet të plotë. Shqiptarët në Maqedoni janë në pritje se kur do ndodh anëtarësimi në NATO", theksoi kreyatri i BDI-së.

I pyetur nga gazetarët nëse e konsideron të mjaftueshëm rolin e Tiranës zyrtare në mbështetje të shqiptarëve në Maqedoni, Ahmeti u shpreh se "Tirana ka luajtur rolin e nënës dhe nëna nuk i do të keqën fëmijëve të saj. Edhe prindërit grinden ndonjëherë me fëmijët dhe kur e shohin që grindavec janë fëmijët, i qortojnë. Asnjëherë nuk jemi hidhëruar kur na kanë kritikuar", nënvizoi Ahmeti. 

ATSH