Meta takon Kryeministrin e mandatuar të Maqedonisë së Veriut: Të dy vendet tona meritojnë çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian

Meta takon Kryeministrin e mandatuar të Maqedonisë së Veriut: Të dy vendet tona meritojnë çeljen sa më parë të negociatave me Bashkimin Europian

Kryeministri i mandatuar i Maqedonisë së Veriut dhe presidenti Ilir Meta

MAQEDONI E VERIUT- Presidenti Ilir Meta ka vijuar vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku ka zhvilluar takime të shumta. Takimi i parë ka qenë me kryeministrin e mandatuar për të formuar Qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njëherazi kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM).

Pasi i uroi shumë suksese në detyrën tepër rëndësishme dhe vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera fqinjësore ndërmjet vendeve tona, Presidenti Meta theksoi domosdoshmërinë e çeljes sa më parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian për të dy vendet dhe shprehu besimin se me përpjekje të përbashkëta do kalohen pengesat në një kohë të afërt.

Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi angazhimet konkrete të palës maqedonase për të avancuar me projektin shumë të rëndësishëm të Korridorit 8, që do të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.

Duke e përshëndetur përmirësimin e ndjeshëm të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, kyç për përparimin e demokracisë dhe prosperitetit të vendit fqinj, Presidenti Meta çmoi rolin dhe kontributin e faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në të gjitha zhvillimet demokratike dhe progresin e vendit në proceset euroatlantike.

Nga ana e tij, Kovaçevski siguroi se një nga prioritetet e Qeverisë së tij në fushën investimeve do të jetë pikërisht Korridori 8.

Gjithashtu, ai u shpreh se Qeveria e tij do të jetë plotësisht e angazhuar në drejtim të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndëretnike në vend dhe për thellimin, në të gjitha fushat, të bashkëpunimit me Shqipërinë, në interesin më të mirë të qytetarëve tanë.

Gjatë ditës së sotme, Meta ka takuar edhe me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski, si edhe kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi. Një takim presidenti ka zhvilluar edhe me kryetarin e ri të Komunës së Tetotvës, Bilall Kasamin, njëkohësisht edhe kryetar i 'Lëvizjes Besa'.

Meta ka takuar edhe kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ku kanë diskutuar për përpjekjet që mund të bëjnë për të mos lejuar shpopullimin e trevave shqiptare nga të rinjtë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:58
Meta takon kreun e aleancës për Shqiptarët në Maqedoni: Të mos lejojmë shpopullimin e trevave

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Përmes një postimi në ‘Facebook’, Meta bën me dije se kanë diskutuar mbi situatën politike në rajon.

Meta shkruan se kanë rënë dakord të bëjnë çdo përpjekje për të mos lejuar shpopullimin e trevave shqiptare nga të rinjtë.

“Me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pata një bisedë të ngrohtë për situatën politike në vendet tona, ecurinë e proceseve integruese dhe zhvillimet në rajon.

Vlerësuam se duhet të bëjmë çdo përpjekje për të mos lejuar shpopullimin e trevave shqiptare nga të rinjtë, që meritojnë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për të ndërtuar të ardhmen e sigurt europiane në vendet e tyre”, shkruan Meta.

Ora 11:50
Vizita zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Meta takohet me liderin e VMRO-DPMNE dhe Ali Ahmetin: Të bashkëpunojmë për përshpejtimin e integrimit

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut është takuar me liderin e opozitës, Hristijan Mickoski. Gjatë bashkëbisedimit, meta shkruan se u diskutua për ecjen para me integrimin dhe përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike.

“Kënaqësi të takoja liderin e opozitës kryesore maqedonase, Kryetarin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. Shkëmbyem mendime të vyera për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona dhe theksuam rolin e rëndësishëm të opozitës, në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, me qëllimin e përbashkët çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Vlerësova angazhimin dhe kontributin e VMRO-DPMNE dhe të Mickoski në zhvillimet demokratike të viteve të fundit në vendin fqinj, si dhe vullnetin e shprehur për përmirësimin e bashkëjetesës ndëretnike dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy popujve”, shkruan Meta.

Meta u takua edhe me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Meta shkruan se me Ahmetin biseduan për procesin e integrimit të dy vendeve, por edhe për projektin e Korridorit të 8.

“I hapur dhe i përzemërt, si gjithmonë, takimi me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Shkëmbyem vlerësime të vlefshme për zhvillimet në vendet tona, me fokus përshpejtimin e proceseve integruese që mundësojnë çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Vlerësuam së bashku se zbatimi i projektit madhor të Korridorit 8-të, do të lidhë më shumë vendet tona dhe do të jetë thelbësor për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan Meta.

J.GJ./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Fiton Trump, mendoni se do ndryshojë politika amerikane ndaj Shqipërisë?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Interi mposht Arsenalin me penallti, Barcelona shënon pesë gola në Beograd! Në Munich shtyhet ndeshja, Atletico fiton në Paris! Surprizon Brest

Champions League/ Interi mposht Arsenalin me penallti, Barcelona shënon pesë gola në Beograd! Në Munich shtyhet ndeshja, Atletico fiton në Paris! Surprizon Brest