TIRANË- Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Ambasadorja Romana Vlahutin, i dorëzoi sot Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, Progres Raportin 2014 të Komisionit Evropian për Shqipërinë
Kryetari i Kuvendit, shprehu mirënjohjen për punën e Komisionit Evropian dhe në veçanti të Prezencës së Bashkimit Evropian në Tiranë në funksion të progresit të Shqipërisë në axhendën e saj evropiane.
Kryetari i Kuvendit Meta u shpreh se evidentimi nga ana e Komisionit Evropian i përmirësimit të punës së Kuvendit të Shqipërisë është provë e përkushtimit të vazhdueshëm në funksion të rritjes së standarteve të funksionimit të jetës parlamentare në vend.
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri znj. Romana Vlahutin i dorëzon Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta Progres Raportin 2014 të Komisionit Evropian për Shqipërinë
Meta theksoi se Kuvendi do të vazhdojë të fokusohet në rritjen e transparencës dhe gjithëpërfshirjen me qëllim forcimin e rolit të tij mbikqyrës duke nënvizuar gjithashtu se rekomandimet e Progres Raportit do të reflektohen në Planin e Veprimit të Kuvendit.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta dhe Ambasadorja Vlahutin ndanë bindjen se Parlamenti është platforma më e mirë e dialogut politik dhe e angazhimit konkret të të gjitha palëve politike në shërbim të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. /ATSH/