TIRANË, 16 Dhjetor/ATSH/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta gjatë një takimi të martën me Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore të Departamentit amerikan të Shtetit, Thomas Yazdgerdi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së në procesin e integrimit evropian, në NATO dhe në forcimin e parametrave demokratikë të vendit dhe rajonit.
Sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, duke biseduar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, kryetari Meta tha se parlamenti është i fokusuar në avancimin e prioriteteve që kërkon axhenda evropiane dhe do ta mbështesë qeverinë në reformat e ndërmarra. Në këtë drejtim u nënvizua rëndësia e pjesëmarrjes, transparencës dhe gjithëpërfshirjes të të gjithë aktorëve në mbarëvajtjen e aktivitetit parlamentar të vendit.
Drejtori i Departamentit të Shtetit për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore, Yazdgerdi shprehu mirënjohjen e SHBA-së për rolin gjithnjë aktiv dhe konstruktiv të Shqipërisë si në NATO ashtu edhe në rajon dhe theksoi se mbështetja amerikane për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë do të jetë e pakursyer.
Dy zyrtarët ndanë bindjen e përbashkët se niveli i shkëmbimeve politike dhe parlamentare mes dy vendeve reflekton dinamikën e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe SHBA-së, forcimi i të cilave i shërben stabilitetit dhe sigurisë të të gjithë rajonit të Ballkanit.
Meta vlerësoi rolin e rëndësishëm të SHBA-së në rajon dhe vuri në dukje se Shqipëria, si një vend me peshë të veçantë dhe me marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët, inkurajon forcimin e ndërlidhjes infrastrukturore, energjitike dhe ekonomike mes të gjithë vendeve të Evropës Juglindore.
Në këtë kuadër u vlerësua Projekti TAP si i rëndësisë strategjike për sigurinë energjitike të të gjithë Evropës si dhe ndërtimi i korridoreve të rëndësishme brenda rajonit të Evropës Juglindore. /a.s//m.m/