TIRANË - Gjatë një takimi të zhvilluar me të rinjtë në ambientet e rektoratit të Universitetit të Tiranës, kreu i Kuvendit, njëkohësisht kreu i LSI-së ka komentuar edhe eksodin e shqiptarëve drejt vendeve të BE, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos largohen, pasi nuk ka shanse që të përfitojnë azil. 

“Kjo është tërësisht një skemë mafioze dhe nuk ka asnjë gjë të vërtetë. U bëj thirrje mos bien pre e këtyre mashtrimeve sepse do kthehen në Shqipëri më të varfër. Jam i bindur që kjo është një situatë kalimtare që do e kalojmë të gjithë së bashku jo duke ju fshehur të vërtetave por duke i parë ato në sy."- tha Meta.

Më tej kreu i Kuvendit theksoi se opozita ka të drejtë kur thotë që situata ekonomike në vend është e vështirë, por ai thekson se gjendja nuk ka qenë më e mirë edhe para dy viteve dhe se një gjë të tillë ja ka thënë edhe kryeministrit Berisha në atë kohë.  Ai theksoi se pjesa e vështirë e reformave në vend u kalua dhe se tani do fillojnë të ndihen frytet e këtyre reformave.
 
“Kam qenë në koalicion me Berishën dhe i kam thënë se nuk duhet ta paraqesim situatën rozë dhe me eufori siç paraqitej që Shqipëria ishte e vetmja që nuk prekej nga kriza dhe ecte hap pas hapi me Gjermaninë sepse elementet e krizës po afroheshin. Pati shpenzime marramendëse sidomos në prag të fushatës dhe më pas një situatë mjaft kritike që e detyroi qeverinë e re që bashkë me FMN të vendoste një fond për të stabilizuar situatën ekomomike. Pjesën më të vështirë të reformave të domosdoshme e kemi lënë pas tani do shohim frytet e rritjes ekomomike.”­ u shpreh Meta.

Pr/ligji i Arsimit, Meta me të rinjtë: Liria e arsimit të jetë e garantuar
Duke iu drejtuar të rinjve, kreu i Kuvendit theksoi se, liria e arsimit të lartë duhet të jetë e garantuar. Por Meta theksoi se nuk duhet të lejojmë që të merren diploma pa shkuar asnjë ditë në shkollë. 

Duke folur për projekt-ligjin e Arsimit të Lartë, Meta u shpreh se, “kemi ndjekur debatin për projekt-ligjin për arsimin e lartë. Debati do të zhvilohet edhe në Kuvend, kur ky ligj të prezantohet në Komisione dhe të jenë të ftuar grupet e interesit.

Megjithatë shtoi Meta, ky është një debat që po zhvilohet për një kohë të gjatë. “Ka pasur reflektime me studentët, ku një prej tyre ka qenë që studentet të vazhdojnë të kenë rolin e tyre të rëndëishëm në zgjedhjet në Universitete”, tha Meta.

Sipas kreut të Kuvendit, “ky ligj ka të bëjë me një rishikim të politikës sonë për arsimin e lartë që duht t’i japë fund të gjithë asaj praktike që ishte shndërruar në një proces jo shumë të besueshëm, gjë që ka cënuar besueshmrinë e arsimit tonë të lartë”.

Meta theksoi se “shumë diploma fiktive kanë cënuar arsimin e lartë. Duam të ndërtojmë një sistem arsimor që të jetë konkurrues. Nuk kemi si qëllim të rrisim barrierat financiare për të rinjtë që studiojnë”.

Meta u shpreh se duhet garantuar që çdo diplomë të jetë e merituar. Gjithashtu kreu i Kuvendit shtoi se, diplomat duhet të jenë të përshtatshme për tregun e punës.

Duke folur për kërkimin shkencor, Meta snënvizoi se duhet të merret përsipër garantimi i kërkimit shkencor në Universitetet Publike. Gjtiashtu ai shtoi se, duhet të ndihmohen edhe Universitetet private për kërkimin shkencor.

Meta u shpreh se, Universitetet private duhet të fitojnë statusin si të tilla. Qeveria do të angazhohet për të dhënë kontributin në këtë investim theksoi Meta

Ndërsa nën/kryetari i LSI- Petrit Vasili u shpreh se, strukturat në universitete kanë pasur një përkeqësim të vazhdueshëm. Sipas tij, ishte i nevojshëm rishikimi i ligjit për arsimin e lartë. 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)