Presidenti Ilir Meta këmbënguli se zgjedhjet vendore do të mbahen më 13 tetor dhe se më 30 qershor u bënë vetëm votime socialiste. Gjatë konferencës për shtyp pas procesit të 30 qershorit, kreu i shtetit tha se dekretin e tij të fundit që caktoi datën 13 tetor për zgjedhjet vendore, nuk mund ta gjykojë Kolegji Zgjedhor, por vetëm Gjykata Kushtetuese e cila ende nuk është funksionale dhe pritet të krijohet në fund të korrikut.
"Ka vetëm një zgjidhje. T’i lerë ato “fitorjet”! Se ato “fitorjet” i pa e gjithë bota! Shikoni gjithë lajmet e kudo se është turp! Është skandal! As 10% nuk ka marrë. Le të mbushin kutitë tërë ditën me organizatën socialiste në KQZ, me Kolegjin socialist që tregoi se çfarë reforme në drejtësi po bën, apo si po e zbaton ai, – nga reformë e ka kthyer në “Rama-formë”, – që diskuton hallin e Idajetit dhe rrëzon dekretin e Presidentit. Këto janë gjëra të turpshme, skandaloze, që s’mund të ndodhin në një shtet të së drejtës, një shtet që do të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Për mua demokracia është e panegociueshme. Nuk e negocioj demokracinë me asnjë shqiptar, me asnjë ambasadë, me asnjë shtet dhe me të gjithë botën sepse nëse unë jam këtu ku jam dhe kam 30 vjet që populli shqiptar më ka votuar, më ka zgjedhur, më ka kërkuar të jap dorëheqje për zgjidhje krizash, e kështu me radhë, jam vetëm falë demokracisë. Pa demokracinë do isha një emigrant diku, pavarësisht se mund të isha shumë i suksesshëm, apo do të isha përsëri këtu, por nuk do të isha ky që jam që kam një detyrim, pavarësisht nga gabimet, nga të metat, nga çdo lloj marrëzie që mund të kem bërë, që t’i dal për zot vendit tim kur shikoj që të tjerët tallen me vendin tim.
Zgjedhjet janë në 13 tetor. Dekretin e Presidentit vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta diskutojë. Pra, të gjitha këto pallavra, KQZ-rat, rezolutë e Kuvendit socialist, me opozitën e re të Unazës së Re, skandalit të Unazës së Re, – se ata që janë atje janë njerëz të ndershëm që kanë 200 ditë që protestojnë.
Edhe me Kolegjin socialist nuk ka dhe nuk ka njeri që mund ta vejë në diskutim këtë gjë. Duhet të jemi krejtësisht të qartë dhe do mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që kanë shkelur ligjin! Megjithatë vendi kërkon një zgjidhje, por unë kam dhënë vazhdimisht zgjidhje. Kam bërë të gjithë përpjekjet e mia për çdo zgjidhje. Prapë, unë jap zgjidhjen time si President i Republikës në interes të gjithë shqiptarëve që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur të gjithë drejtuesit dhe përfaqësuesit e tyre. Ata nuk patën mundësi të zgjidhnin për zgjedhjet e anuluara të 30 qershorit. Kjo është përgjegjësi e të dy palëve, por edhe disa të tjerëve që u përfshinë në këtë histori dhe lojë shqiptare kundër parimeve europiane dhe parimeve mbi të cilat qëndron Aleanca jonë e NATO-s dhe demokratike", - tha Meta.
Lajmi kryesor: