Me duartrokitje është pritur premiera e shfaqjes “Metoda Grönholm”, me regji të Viktor Zhushtit dhe Dritan Boriçit. Në skenën e teatrit “Bylis” e më pas dhe në Tiranë, aktorë, si: Luli Bitri, Dritan Boriçi, Artan Islami dhe Klajdi Marku kanë dhuruar për publikun një shfaqje dinamike dhe plot të papritura, duke sjellë në skenë katër kandidatë, një dhomë dhe një vend pune.

Në një skenografi të palëvizshme, lëvizin ndjenjat dhe mendimet e personazheve, përmes situatave provë që zbulojnë se kush do të dalë fitues për vendin e punës. Në fakt, kandidati është vetëm një, por përballja me tre rivalë e shndërron atë në një luftëtar të pamëshirshëm, gati të bëjë gjithçka për të arritur qëllimin.

Dritan Boriçi dhe Artan Islami theksojnë se shfaqja pasqyron realitete të shoqërisë së sotme.

“Metoda Grönholm në radhë të parë është një thirrje për të parë një shoqëri, e cila duhet të heqë maskat. Pikërisht ky është provokacioni më i madh që ne nuk dimë se kë kemi përpara. Kemi shumë njerëz me maska dhe metoda Grönholm është e vetmja që mund të arrijë që të heqë maskat. Është një komedi e zezë, një komedi me një sukses botëror, e cila sigurisht ka një teatër shumë të mirë.”, thotë Dritan Boriçi, regjisor i shfaqjes dhe aktor.

“E veçanta e kësaj vepre është sepse kjo është një vepër që është e bazuar tek aktorët. Nuk është vepër në kuptimin e mirëfilltë. Domethënë këtu bëhet fjalë për teatër brenda teatrit dhe këtu e ka të veçantën dhe suksesin e gjithë e gjithë vepra.”, thotë aktori Artan Islami. 

Shfaqja, një komedi e zezë, ofron një përballje intensive psikologjike, plot tension, ironi dhe kthesa të papritura dhe do të shfaqet për publikun edhe në Vlorë.