Mevlan Shanaj: Pse kundërshtojmë pjesëmarrjen e të huajve në bordin e Qendrës Kombëtare të Filmit

Mevlan Shanaj: Pse kundërshtojmë pjesëmarrjen e të huajve në bordin e Qendrës Kombëtare të Filmit

Ndryshimi për herë të parë i rregullores së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë për aplikimin e anëtarëve të huaj, në Këshillin e Miratimit të Projekteve, ka hasur kundërshtim të fortë nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Kineastëve Shqiptarë “Lumiere”.  Duke mos pranuar rregulloren e re, kjo shoqatë i është drejtuar me një kërkesë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe Ministrisë së Kulturës. 

Në takimin e datës 29 gusht 2019, me përfaqësuesit e shoqatave të kineastëve, organizuar nga QKK, mbi temën:Caktimi i Këshillit Miratues të Projekteve, sipas skemës me pesë anëtarë, ku tre prej tyre të jenë të huaj dhe dy me kombësi shqiptare”, kryetari i shoqatës  “Lumiere” ka kundërshtuar duke debatuar me drejtorin e QKK-së, Eduart Makri

Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, regjisori dhe aktori i njohur Mevlan Shanaj është shprehur se “kjo ka qenë një kërkesë e mëhershme e kineastëve.” Shanaj shprehet ndër të tjera se kienastët më të njohur shqiptarë e kundërshtojnë rregulloren që ka krijuar QKK. “Po përpiqen të zbatojnë një praktikë joligjore, një gjë që nuk ekziston në asnjë  nga vendet demokratike me kinematografi të zhvilluar”

Zoti Shanaj, si mund të na e argumentoni peticionin e shoqatës suaj drejtuar QKK dhe Ministrisë së Kulturës?
 -Qendra Kombëtare e Filmit ka krijuar rishtas një rregullore. Dhe gjatë gjithë kohës dihet se veprimet sipas ligjit të kinematografisë Qendra Kombëtare e Filmit i ka bërë përmes shoqatave, ku përshihen 8 shoqatash kineastësh, mes tyre edhe “Lumiere”.  Ishim mbledhur për të caktuar Bordin, sepse projektet tona aprovohen me bord. Nuk i aprovon kryetari. Por kryetari Makri, ka ndërruar koncept duke shkelur edhe ligjin e kinemasë dhe ka krijuar rregulloren që në bord të jenë tre të huaj dhe dy shqiptarë. 
Kur u mblodhën shoqatat për të votuar, ne e kontestuam, sepse kjo që po kërkohet nuk është në ligjin shqiptar. Nuk shkruhet që kinemanë kombëtare të na e bëjnë të huajt. Ne kundërshtuam me argumentin se krijimet shqiptare, dhe psikologjinë shqiptare nuk e gjykojnë të huajt, dhe kjo që kërkohet nuk është në praktikën botërore të asnjë kinemaje, që për shembull ligjin e kinemave franceze apo italiane ta bëjnë të huajt. Po cenohet rregullorja bazë. 

Çfarë mendon se cenohet konkretisht? 
-Po ju mund ta shikoni ligjin dhe të bëhen krahasime. Konkretisht po vendosen rregulla të tilla absurde, që mos të punojnë dy vëllezër në një film, apo burrë e grua në një film, e të tjerë. Ku e ke dëgjuar këtë në botë. Ndaj ne i kemi dërguar letër edhe Ministrisë së Kulturës, duke argumentuar se nuk mund të bëjmë praktika të tilla që janë në kundërshtim me ligjet për zhvillimet e kinemasë shqiptare, por edhe të asaj botërore. 

Çfarë ndodhi në takimin e djeshëm pas kundërshtimit tuaj?
-Ne edhe pse kishim komunikuar se nuk do të merrnim pjesë dhe i thamë drejtorit se ishte kundër ligjit, vajtëm në atë takim. Zyrtarisht i thamë se nuk e pranojmë këtë zgjedhje që kërkoni ju, që t’i jepen votat një bordi të ndërtuar me tre të huaj dhe dy shqiptarë.  Ne nuk mund të pranojmë që interesat e filmit shqiptar të caktohen nga të huajt. Ua thashë edhe përmes letrës dhe u largova nga takimi, duke i thënë se kjo rregullore që ka nxjerrë është kundra ligjit dhe antikushtetuese. Ne nuk e mbështesim këtë. 

Me çfarë vizioni ka qenë krijimi i shoqatës tuaj, kur u krijua, që të zhvilloni një kinema vetëm shqiptare?
-Ky ka qenë, jo vetëm vizion i ynë, por ky vizion është për të gjithë kineastët shqiptarë, sepse flasim për filmin kombëtar, prodhimin kombëtar. Në rastin tjetër, kur të kemi pastaj konkurrencë ndërkombëtare, në atë rast është normale që të kemi edhe bord me të huaj. Bordi i QKK-së i përket krijimit të kinemasë kombëtare, ndërkohë që po bëhen ca rregulla që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës. 

A ndikon tek vendimi i drejtorit fakti që shumë projekte të filmave bëhen tek Euroimage, suporti europian i filmit?

-Jo kjo nuk qëndron, sepse Euroimage dhe Europa e ka krijuar këtë suport, ku jemi anëtarë edhe ne, për të marrë pjesë në projektet ndërkombëtare dhe Europa e ka krijuar tashmë formulën e vet me këtë projekt. Kur të vemi atje, ne do të përzgjidhemi me vizionin e tyre, dhe ata paguajnë taksa për këtë. Kjo është komplet tjetër gjë. Atje mund të marrim pjesë me projektet ndërkombëtare dhe është e natyrshme të ketë borde ndërkombëtare. Ndërkohë, asnjë kinema kombëtare, nuk cakton që të vendos dikush tjetër për kinemanë e vendit të vet. 
Unë nuk flas vetëm në emrin tim, por edhe të kineastëve të njohur, ku janë Elvira Diamanti, Ylljet Aliçkaj, Kujtim Çashku, e shumë të tjerë. Këto rregullore të reja janë një logjikë e mbrapshtë  jashtë kontekstit të kinemasë kombëtare dhe jashtë kontekstit të familjes europiane dhe botërore. 

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • ArTan: 31/08/2019 13:51

    Ka te drejte plotesisht shoqata ne kete rast!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja