Ashtu siç ishte paralajmëruar, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa do të mbajë koncert në Tiranë. Koncerti i Duas do të mbahet për festat e nëntorit. Ka qenë vetë Dua Lipa e cila përmes një video-mesazhi në Instagram ka njoftuar se do të performojnë në Tiranë më 28 nëntor, teksa thotë se “mezi pret me na pa”. Ky koncert i yllit botëror të muzikës përkon edhe me 110 vjetorin e pavarësisë.
“Mezi pres me ju pa në 28 Nëntor për Ditën e Flamurit dhe për 110-vjetorin e Pavarësisë. Ju dua shumë!”, thekson Dua.
Kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi se koncerti do të jetë falas, një mundësi për të mos u humbur kjo nga të gjithë adhuruesit e Dua-s.
“Morëm një super lajm që Dua Lipa, mikesha jonë e Tiranës dhe Shqipërisë, ka vendosur që të mbyllin turin e saj botëror në Tiranë, në datën 28 nëntor. Një koncert falas për të gjitha ata që duan të vijnë të festojnë 28 nëntorin ditën e flamurit edhe festën ne pavarsisë. Mbyllim një viti të mrekullueshëm për Tiranën ku kemi qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë për të kaluar pastaj stafetën në një tjetër kurorë dhe një në tjetër iniciativë që është Tirana Qyteti Europian i Sportit për 2023-ish. Në shesh për të festuar Ditën e Pavarësisë si kurrë më parë edhe siç i ka hije një qyteti që është shumë krenarë që është Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por është më shumë krenarë që në fakt i ka rrënjët në kulturën shqiptare. Jam sot shumë krenar për Duan”, tha Veliaj.
kryebashkiaku bëri me dije disa data të rëndësishme në të cilat do ketë aktivitete të rëndësishme në Tiranë. Veliaj i bëri thirrje qytetarëve, që siç është bërë traditë tashmë, të vendosin flamujt kuq e zi në ballkonet dhe dritaret e tyre për festat e Nëntorit.
"I ftoj të gjithë qytetarët të valëvisin flamurin shqiptar. Kjo është java kur e gjithë Tirana do të zbukurohet. Kanë filluar instalimet për Festat e Nëntorit, këndet e lojërave për fëmijët për Vitin e Ri, fshatin e fund-festave etj. Do të kemi kampionatin botëror të futbollit. Ndaj, i kërkojmë të gjithë qytetarëve, nëse kanë një flamur ta vendosin në ballkonet e tyre, që Tirana të marrë një atmosferë festive. Në datën 23 Nëntor do të kemi aktivitetin për kalimin e stafetës për Kryeqytetin Europian të Rinisë për vitin 2025. Gjithashtu, qyteti po përgatitet për të mirëpritur krerët e Bashkimit Evropian në datën 6 dhjetor, edhe krerët e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Veliaj.
Pikërisht në Tiranë, Dua Lipa do të mbyllë turin botëror tw albumit Future Nostalgia. Koncerti i Dua Lipës përkon dhe me Kryeqytetin Europian të Rinisë ku janë zhvilluar mbi 1 mijë aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore.