TIRANE, 12 Shkurt/ATSH/-Nisur nga pretendimet e shprehura lidhur me situatën e krijuar nga rreshjet e shumta të ditëve të fundit dhe angazhimin qeveritar për përballimin e tyre, Ministria e Financave, sqaron se për të dytin vit me radhë, planifikon dhe realizon një financim të fondit të emergjencave në shumën 110 milionë lekë.
Në një njoftim për shtyp, Ministria e Financave deklaroi se "falë fondeve të planifikuara në buxhet, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile arriti të përballojë me sukses fazën e parë të situatës së krijuar në muajin Shkurt të këtij viti.
Ky fond sqarohet më tej, në ndryshim nga qeveria e kaluar, që për këtë fond jo vetëm ka planifikuar 57 % më pak fonde, por në vitin 2013 i ka shpenzuar këto fonde që në muajin shtator, duke lënë, praktikisht, të pambuluar tre muajt e fundit të vitit.
Ministria e Financave bën me dije se në këtë situatë, ajo vijon të shlyejë detyrimet e prapambetura të qeverisë së kaluar, që, vetëm për përmbytjet e pesë viteve të fundit, shënojnë 21% të të gjitha dëmeve të akumuluara në periudhën 2009 - 2013. Ne po paguajmë sot nga buxheti 10 herë më shumë se sa qeveria e kaluar pagoi në pesë vitet e kaluara për të shpërblyer të dëmtuarit nga përmbytjet e qëllimshme të Kaskadës së Drinit.
Ministria e Financave ka në proces pagese rreth 610 milionë lekë, që janë detyrime të prapambetura të qeverisë që iku.
Ministria e Financave dhe Qeveria Shqiptare nuk kanë ngarkuar me asnjë qindarkë llogaritë e dërmuara të Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare, të cilës qeveria e kaluar i faturoi mbi 2 miliardë lekë për të financuar dëmet e përmbytjeve, duke e zhytur shoqërinë publike në borxhe miliardash ndaj buxhetit të shtetit, bankave tregtare dhe ndaj administratës fiskale.
"Duke përmendur shifrat konkrete, lehtësisht të verifikueshme nga kushdo, Ministria e Financave konfirmon se as që mund të vendoset ndonjë shenjë barazimi mes menaxhimit të financave publike të kësaj qeverie me atë të qeverisë që iku, jo vetëm në fushën e përballimit të të gjitha detyrimeve ligjore, por edhe në raste të tilla të emergjencave civile, në kushtet e motit të keq dhe jo të keqmenaxhimit të rezervave ujore të basenit të Drinit, sikundër ka ndodhur me ata që sot, në vend të ndjesës ndaj qytetarëve për paratë e pashlyera, tjerrin akuza që vështirë se i besojnë edhe vetë ne mbledhjen e grupit kuvendor demokrat", përfundon njoftimi për mediat./a.g/











