Michel Tarran: Reforma zgjedhore të bëhet gjithëpërfshirëse dhe në kohë! Votimi i diasporës sfidë e pazgjidhur

Michel Tarran: Reforma zgjedhore të bëhet gjithëpërfshirëse dhe në kohë! Votimi i diasporës sfidë e pazgjidhur

Fjala e kryetarit të prezencës së OSBE-së, ambasadorit Michel Tarran, në tryezë e rrumbullakët “Zgjedhjet 2025:

Jam shumë i lumtur që po marr pjesë, së bashku me ju, në këtë diskutim të rëndësishëm. Dëshiroj të përshëndes, posaçërisht Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Celibashi, si edhe përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Jemi, gjithashtu, të nderuar që kemi këtu me ne përfaqësues nga partitë politike, shoqëria civile, ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare;

Diskutimi i tryezës së sotme përqendrohet në përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve. E mbështesim me kënaqësi nismën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të organizuar këtë aktivitet, pasi jemi plotësisht dakord se ky është momenti i duhur që të gjithë aktorët të mblidhen e të diskutojnë këtë temë të rëndësishme.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri vazhdon të jetë e angazhuar të mbështesë proceset demokratike dhe integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri. Ne besojmë se transparenca, gjithëpërfshirja dhe miradministrimi i procesit zgjedhor përbëjnë elemente themelore të zhvillimit demokratik të vendit.

Administrimi i zgjedhjeve në Shqipëri ka treguar përmirësim të vazhdueshëm nga zgjedhjet në zgjedhje. Ky përmirësim është vlerësuar nga pjesa më e madhe e aktorëve si partitë politike, shoqëria civile dhe nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë. Sidoqoftë, ka ende fusha ku kërkohet përmirësim i mëtejshëm.

Objektivi parësor i këtij takimi është të evidentojmë dhe të diskutojmë çështjet që ndikojnë tek administrimi i efektshëm i procesit zgjedhor të vitit 2025. Me afrimin e zgjedhjeve për Kuvendin, është shumë e rëndësishme t’i trajtojmë këto çështje sipas përparësisë, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, me qëllim përmirësimin e procesit zgjedhor.

Diskutimet e ditës së sotme janë tejet të rëndësishme, pasi trajtojnë sfidat dhe mundësitë kryesore në kuadrin e administrimit të zgjedhjeve. Duhet të kuptojmë sa më mirë vështirësitë që hasen gjatë procesit, nga pengesat administrative tek ato teknologjike dhe arsimore, në mënyrë që të kemi përmirësim të vazhdueshëm. KQZ-ja ka treguar vullnet për të përmirësuar më tej funksionimin e institucionit, dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme ta ndihmojë sipas nevojës.

Presim me padurim të diskutojmë se si institucionet publike i administrojnë denoncimet gjatë fushatave zgjedhore dhe rrugët për të përmirësuar raportimin, si edhe sfidat në lidhje me administrimin zgjedhor, besueshmërinë e votimit elektronik, mbikëqyrjen e fushatave të partive politike nga ana e KQZ-së dhe përmirësimin e edukimit zgjedhor për pakicat dhe për personat me aftësi të kufizuara.

Këto sfida mund t’i tejkalojmë vetëm me anë të bashkëpunimit, dialogut të hapur dhe përmirësimit të vazhdueshëm. OSBE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje dhe ndihmë teknike sipas nevojës, duke nxitur një mjedis besimi dhe transparence në procesin zgjedhor.

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve luan rol kyç për administrimin e zgjedhjeve, ia vlen të theksohet se liria, ndershmëria,  miradministrimi dhe transparenca e procesit zgjedhor nuk janë vetëm përgjegjësi e KQZ-së. Administrimi i efektshëm i zgjedhjeve është përpjekje kolektive, që kërkon pjesëmarrjen dhe angazhimin vepror të të gjithë aktorëve, duke përfshirë partitë politike, institucionet qeveritare dhe organet ligjzbatuese. Secili prej këtyre aktorëve luan rol jetik për nxitjen e mjedisit demokratik.

Ndonëse tani ka disa propozime për reformën zgjedhore, dëshiroj t’u bëj thirrje aktorëve politikë ta bëjnë reformën zgjedhore në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, në mënyrë që t’u lejojnë organeve të administrimit të zgjedhjeve kohë të mjaftueshme për zbatim. Vonesat e mundshme gjatë arritjes së këtij qëllimi të përbashkët kufizojnë kohën në dispozicion të KQZ-së për të bërë përgatitjet e nevojshme, çka mund të ndikojë te cilësia e proceseve zgjedhore.

Kemi një sfidë të pazgjidhur ende: zbatimin e efektshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke përfshirë këtu edhe çështjen e votimit nga jashtë vendit. Siç e dini, nuk ka standarde të përcaktuara në rajonin e OSBE-së e as rekomandime të OSBE/ODIHR-it në lidhje me votimin nga jashtë vendit. Prandaj, i takon secilit shtet të zbatojë atë model që i përshtatet më mirë sipas kontekstit.

Sidoqoftë, duhet të theksoj se çdo vendim, qoftë në lidhje me ndreqjen e hendeqeve legjislative apo me normimin e elementeve praktike, duhet të rrjedhë prej konsensusit të gjerë. Ky konsensus duhet të bazohet në vlerësime tërësore dhe në konsultime gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët përkatës, duke përfshirë këtu aktorët politikë, shoqërinë civile dhe komunitetin e diasporës. Një përqasje e tillë do të mundësonte zbatim të rrjedhshëm dhe pa kundërshtime të votimit nga jashtë vendit, duke çuar edhe në rritje të besimit të votuesve në procesin zgjedhor.

Prezenca e OSBE-së, si partnere afatgjatë që mbështet KQZ-në dhe institucionet e tjera të pranishme sot në këtë sallë, vijon të jetë e angazhuar të mbështesë përpjekjet dhe bashkëpunimin për përmirësimin e administrimit të zgjedhjeve dhe për përmirësimin e integritetit të proceseve zgjedhore të ardhshme. Ju ftoj ta shihni Prezencën e OSBE-së si një prej mbështetësve dhe partnerëve më të ngushtë.

“Kur ka vullnet, ka edhe zgjidhje”, siç thuhet. Le t’u qasemi këtyre diskutimeve me vullnetin për të gjetur zgjidhje dhe për të punuar së bashku për arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

Pres me padurim të dëgjoj prezantimet e sotme dhe të punojmë bashkërisht për të garantuar se do të dëgjohet dhe do të respektohet zëri i secilit votues në procesin e ndershëm dhe demokratik.

Ju falënderoj për vëmendjen dhe për pjesëmarrjen. Jam i bindur se diskutimet e sotme do të jenë të frytshme dhe do të çojnë përpara integritetin zgjedhor në Shqipëri.

 

 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot

Kjo Krishtlindje është ftesë për të përjetuar magjinë... Çfarë thonë yjet për ju sot