Kryetari i OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, për të ripohuar mbështetjen e fortë të Prezencës së OSBE-së për institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Temat e diskutimit mes ambasadorit Tarran dhe Sokol Sadushit përfshinë stokun e çështjeve në gjyqësor dhe numrin e lartë të masave të sigurisë ‘arrest në burg’ në Shqipëri.
Ambasadori i bëri me dije kreut të Gjykatës së Lartë se OSBE po përgatit një tryezë të rrumbullakët për të promovuar alternativa ndaj arrestit në burg dhe qasje më njerëzore ndaj drejtësisë.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe për Reformën në Drejtësi që shënon 10-vjetorin në vitin 2026.
“Prezenca e OSBE-së është një partnere afatgjatë e reformës në drejtësi, duke ofruar ekspertizë teknike, shqyrtime legjislative dhe ndërtim kapacitetesh për institucionet kyçe, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Shkollën e Magjistraturës, SPAK-un dhe Gjykatat Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si edhe gjykatat në mbarë vendin.
Përmes Projektit për Monitorimin e Proceseve Gjyqësore, të financuar nga BE-ja, ne monitorojmë çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar për të ndihmuar në ndërtimin e një sistemi drejtësie më efikas dhe transparent”, u shpreh ambasadori Tarran.
Ambasadori i OSBE shprehu ngushëllimet dhe përsëriti dënimin për vrasjen tragjike të gjyqtarit Astrit Kalaja në krye të detyrës.
Komente











Njerezit po kerkojne rikthimin e denimit kapital e ju kerkoni /masa me njerezore/ per tejmbushje te burgjeve! Ne se doni qe t'i rikthehen /zanatit/ qe ju te keni vazhdimisht pune,atehere pse jo,leshoini!
Përgjigju