Mbase këtë studim Mid’hat Frashëri e shkroi pas vrasjes së Esad pashë Toptanit në Paris. Por edhe nëse ai ishte ende gjallë, duket asgjë nuk do ta ndalte Mid’hat Frashërin të shkruante këto rradhë.
Kishte shumë informacione e mendime rreth këtij personazhi karakteri i të cilit është tejet i çuditshëm, herë agresiv, herë i zhdërvjellët, herë finok, herë brutal, herë mashtrues e herë bastisës…
Në fakt nuk është një studim mirëfilli. Në shumë paragrafe vihen re hapësira ku mund të shtjelloheshin shumë e shumë detaje. S’dihet për ç’arsye mund ta ketë lënë në mes, ose thënë më mirë në këtë fazë “studimin” e tij, Mid’hat Frashëri. Sidoqoftë, materiali i hedhur me shtypshkrim në 13 faqe format, na zbulon shumë fakte, ngjarje e detaje nga jeta e karakteri i Esad Pashës, që na zngjallin interes.
Ky material, bashkë me shumë dorëshkrime të tjera, ruhet në arkivin qëndror të shtetit në fondin me numër 35 emërtuar “Mid’hat Frashëri”, në dosjen me numër 20.
Hulumtimi i këtij materiali sikurse dhe pjesa dërrmuese e fondit personal të Mid’hat Frashërit është kryer nga studiuesi Uran Butka. Në botimet e tij rreth Mid’hat Frashërit, e hasim edhe këtë studim, origjinali i të cilit në gjuhën frënge ruhet në AQSH.
Ad.Pe.
Esati, i biri i Ali be Toptanit, lindi në Tiranë rreth vitit 1860. Vëllai i tij, Gani beu, ishte katër vjet më i madh. Që në fëmijëri, ai dallohej për karakterin e tij të keq dhe gjaknxehtë. Vëllai i tij i madh ishte jo më pak i tillë dhe babai i tyre ishte viktima e parë e karakterit të tyre të keq. Një ditë ata e mbuluan me një rrogoz të lagur me naftë dhe e kërcënuan se do ta digjnin. Në fakt Ali beu nuk ishte në rregull mendërisht.
Kur u rrit, Gani beu sillej në Tiranë si një cub i vërtetë, duke ngjallur terror ndërmjet miqve dhe armiqve të tij. Në një çast të caktuar, ai u detyrua të arratisej në Greqi për t'i shpëtuar ndjekjes së qeverisë osmane: ky ishte fillimi i karrierës së tij, mbasi Abdyl Hamiti, i alarmuar nga kjo arratisje, së cilës i kushtonte një rëndësi politike, e tërhoqi atë në Konstantinopojë dhe e futi në batalionin e truprojës së tij. Në Konstantinopojë, Gani beu u tregua shumë pak skrupuloz dhe bënte një jetë të shthurur; një rivalitet lindi ndërmjet tij dhe Xhavit Beut, djali i vezirit të madh të asaj periudhe, Halil Pufat Pashës dhe Gani beu gjeti vdekjen një mbrëmje në Pera, nga dora e një personi të quajtur Hafiz Pasha, mik i Xhavit Beut, i përmendur më lart. Kjo vrasje mbeti e padënuar, gjë që bën të mendohet se Abdyl Hamit Beu ishte lodhur nga i përkëdheluri i tij. Esati ishte rritur në Tiranë dhe e kish zgjeruar rrethin e ndikimit të tij, gjë që i jepte mundësi të çlirohej nga rivalët (familja Jella) dhe ta shtonte pasurinë me mjete kurdoherë të paligjshme.
Pasi gjeti mjetin për t'u vënë me dëshirë në shërbim të Hafiz Pashës, guvernator i Durrësit (i cili nuk duhet ngatërruar me homonimin e tij, vrasësin e Ganiut), ai u caktua kryetar i rrethit të Tiranës, post që i lejonte ta tepronte në veprime pa u dënuar. Rreth vitit 1895, ai u emërua nga Sulltani komandant i xhandarmërisë së Janinës. Ky post i
kushtoi atij 1500 lira turke të cilat iu paguan mareshallit Dervish Pasha. Atë që në Tiranë e kishte bërë në mënyrë të paligjshme, filloi ta bënte hapur dhe në mënyrë zyrtare në Janinë. Dervish Pasha ishte në atë kohë i plotfuqishëm në Stamboll. Ganiu ishte favoriti i Sulltanit dhe Esati mund t'i lejonte vetes, pa u ndëshkuar, gjithçka, megjithëse ky post ishte sa fitimprurës aq edhe i rrezikshëm.
Ai përuroi në Janinë epokën e përdorimit të bandave të cubave, që zëvendësuan 30 xhandarë me kuaj, të cilët i futi përsëri në punë, pasi mori prej secilit 25 lira turke. Gjatë Luftës Greko-Turke të vitit 1897, ai i grabiti të gjithë bagëtitë, të imëta e të trasha, që gjeti dhe pasi mbërriti në Janinë si guvernator i përgjithshëm i Osman Pashës, i dha një hov më të madh punëve të veta, duke shkuar deri atje sa mori rryshfete madje edhe prej 20 frangash, duke rrëmbyer paratë e njerëzve të thjeshtë, të cilët i kërcënonte me syrgjynosje, duke futur hundët në çështjet administrative e të drejtësisë dhe duke nxjerrë përfitim nga gjithçka. Eshtë e pamundur të bëhet një listë për të këqijat, vjedhjet dhe grabitjet e tij.
Për këtë, ndër të tjera mund të përmendim: ai arriti të grabiste manastirin (Teqe) e Peshtanit (rrethi i Përmetit); i grabiti 900 lira turke Baba Ahmetit, kryedervishi i Teqesë së Kostanit; 640 lira baba Abedinit, dervishit të Teqesë së Frashërit; 1200 lira vëllezërve Xhelal dhe Mehmet bej Këlcyra, 200 lira Abaz bej Vasiarit.
Pas vrasjes së vëllait të tij Ganiut, Esati, duke menduar se rrezikohej, dërgoi në Konstantinopojë shërbëtorin e tij të quajtur Haxhi Mustafa, lindur në Krujë, i cili vrau Xhavit Beun, në mes të Urës së Gallatës. Vrasësi u arrestua, u gjykua dhe u burgos, por u trajtua me shumë butësi; ai, në burg, ishte një shef i vogël e pak kohë më vonë u lirua dhe u caktua rojë në Ministrinë e Drejtësisë. Nga kjo merret me mend se Hamit Beu ishte i kënaqur nga suprimimi i Xhavitit. Esatit, edhe pse i njohur nga të gjithë si autori i vërtetë i vrasjes, nuk u keqtrajtua aspak. Por, pak nga pak, marrëdhëniet e tij me qeverinë e përgjithshme të Janinës, Tatar Asman pasha, u tendosën dhe për shkak të një skandali që ndodhi ndërmjet të dyve. Esati u transfema në Shkodër, gjithnjë me detyrën e shefit të xhandarmërisë. Ky ishte një rast për tiranin që t'u diktohej bashkëpatriotëve të tij, mbasi ai banonte në Tiranë, në vend që të banonte në qytetin e Shkodrës, në kryeqendër. Gjithashtu forca që kishte, i dhanë atij mundësi të bënte kërdinë kundër atyre që nuk i pëlqenin, atyre që mund të luftonin kundër fuqisë së tij, ose që me anë të pasurisë të tyre mund ta shqetësonin. Pikërisht në këtë periudhë nis me të vërtetë fuqia e tij në Tiranë e Durrës,sepse, duke persekutuar njerëzit e ndershëm, në të njëjtën kohë ai mbronte njerëzit e liq dhe u kërkonte ndarjen e përfitimeve të paligjshme që mund të arrinin këta të fundit; kjo ishte mënyra e tij për të garantuar sigurimin publik, ashtu sikurse kishte bërë në Janinë.
Ndryshimi i regjimit turk, në vitin 1908, e gjeti Esatin në postin e tij në Shkodër dhe me famën e një njeriu despotik, besnik ndaj Abdyl Hamitit dhe ndaj mënyrës së tij të administrimit, pra ai nuk mund të kishte marrëdhënie të mira me personat e regjimit të ri dhe duhej në mënyrë fatale të shinangej. Por heroit tonë nuk i mungonte aspak shkathtësia: ai shkoi shpejt në Selanik, ku ndodhej selia e Komitetit Bashkimi dhe Progresi; thuhej se xhonturqit e kishin dënuar me vdekje, por 500 lira turke, qendrimet e përulura dhe premtimet e rrema i dhanë atij mundësi të hynte në shërbim të shefave unionistë, të cilët e përkrahën dhe e ndihmuan të merrte mandatin e deputetit të Sanxhakut të Gjirokastrës për Parlamentin Osman. Esati, i cili dikur ia detyronte madhështinë e tij Abdul Hamitit, këtë herë duhej të mbështetej te armiqtë e Sulltanit.
Pra ai e kishte vendin në Dhomën Osmane, duke mos marrë asnjëherë pjesë në të, duke mos dashur të luajë asnjë rol si deputet shqiptar dhe që shqetësohej tepër pak për mbrojtjen e interesave të kombit të tij; ai mbajti më tepër një qendrim servil me padronët e kohës, deri në atë pikë sa u caktua nga këta të fundit si anëtar i delegacionit që do t'i njoftonte Abdyl Hamitit rrënimin e pushtetit të tij.
Esati njihej atëherë si një nga shefat unionistë dhe këto marrëdhënie të mira vazhduan për sa kohë që këta të fundit kishin pushtetin; dhe kur xhonturqit filluan të dobësohen, kur partia kundërshtare, e quajtur liberale, dukej se po korrte sukses, Esati e ndryshoi menjëherë kampin, duke u shprehur armik i Talatëve, i Xhavitëve dhe i Xhahidëve.
Pikërisht në këtë çast nacionalistët e rinj shqiptarë hynë në lidhje me të në Konstantinopojë: ai premtoi ndihmën e tij për lëvizjen antiturke që zhvillohej në Shqipëri (fillim i vitit 1912). Megjithatë. mbasi ia njihnin karakterin dinak dhe oportunist, nacionalistët u treguan të kujdesshëm dhe nuk u bazuan plotësisht në fjalën e tij. Kur shqiptarët, të cilët dolën fitimtarë në Shkup, arritën ta detyronin Dhomën të shpërbëhej dhe përgatitën formimin e qeverisë liberale të Myftar Pashës. Esati u emërua komandant i rezervistëve në Shkodër dhe me këtë detyrë ai mori pjesë në luftën kundër serbo-malazesve, që rrethuan qytetin e Shkodrës (1912-1913).
Komandant i forcave të Shkodrës ishte koloneli Hasan Riza Bej (më parë quhej Hasan Riza Pasha). I konsideruar inteligjent e i paanshëm, dhe
duke e kuptuar se shqiptarët (të mërzitur nga regjimi turk) do t'i ndihmonin malazezët, ai hartoi projektin për të ngritur flamurin shqiptar në Kështjellën e Shkodrës, me qëllim që të gruponte shqiptarët dhe t'i bënte ata të marshonin kundër agresorit sllav ose të paktën për të siguruar asnjanësinë e tyre. Në fakt, pavarësia e Shqipërisë u shpall në Vlorë (28 Nëntor 1912) dhe ishte fjala të bindeshin malësorët (malësorë të rrethinave të Shkodrës) se çështja e këtij qyteti ishte çështje e tyre. Në çastin kur Hasan Rizai do ta zbatonte këtë projekt dhe se ishte gati të merrej vesh me malësorët, ai u vra në mbrëmje përpara shtëpisë së Esat Toptanit, tek i cili ai sapo kishte qenë për darkë. Vrasësi ishte Osman Bali, shërbëtor dhe njeri besnik i Esatit.
Për të shpjeguar këtë krim, duhet ditur se Hasan Riza ishte një kundërshtar i komitetit "Bashkim e përparim" dhe se ai donte të vinte kandidaturën e tij në Bagdad si deputet liberal. Nga ana tjetër, shefi i shtatmadhorisë së tij, nënkoloneli Kiameran ishte, së bashku me disa oficerë të tjerë, një fanatik unionist; Esati donte të shpëtonte nga Hasan Rizai, për ta zëvendësuar vetë atë dhe Kiemerani ishte i kënaqur të hiqte qafe një armik të partisë së tij; Esati dhe Kiamerani u morrën vesh deri në fund, domethënë deri në kapitullimin e qytetit, gjë që ndodhi në vitin 1913.
Thuhej se Shkodrës i mungonin ushqimet por, nga ana tjetër, të rrethuarit ishin paralajmëruar se serbët që mbanin të rrethuar qytetin, në bashkëpunim me malazestë, sapo ishin larguar: pra ata ndodheshin përballë forcash të reduktuara dhe, për më tepër, mbretit Nikita i ishte dorëzuar ultimatumi i Fuqive të Mëdha për ta hequr ai vetë rrethimin. Esati, pra, kishte shumë mundësi ta zgjaste rezistencën edhe për disa ditë, por ai parapëlqeu të kapitullojë duke u mjaftuar të shpëtojë nderin e tij ushtarak. Por qysh nga ajo periudhë ka pasur zëra se gëzimi i Esatit kishte shkaqe të tjera nga ato të "Ndereve" ushtarake dhe se një shumë prej 600 000 frangash iu dha nga malazezët. Gjithashtu mbreti Nikita e princi Danillo e ndihmuan në ambicjet e tij personale; po ditën e kapitullimit të qytetit, malazestë përhapën zëra se Esati e kish shpallur veten mbret i Shqipërisë.
Megjithatë Esat bej Toptani u mjaftua. në fillim, të tërhiqet në Tiranë, me ushtarë dhe topa që i solli nga Shkodra. Ai kënaqej me përfitimet dhe intrigat që thurte, duke përkëdhelur pasionet e ulëta, fanatizmin fetar të klasës reaksionare dhe duke mos u sprapsur përpara asnjë premtimi, përballë asnjë mjeti terrorizimi.
Por, pak nga pak, u përvijua qëndrimi i tij: ishte e qartë se ai ishte nxitur nga sllavët dhe grekët, duke u premtuar të parëve Shkodrën dhe të dytëve, Shqipërinë e Jugut. Ai nuk gjente në vend shumë përkrahës, por përdorte forcën që i siguronin shqiptarët e Dibrës dhe të Ohrit, rajone që ishin aneksuar së fundi nga serbët dhe të cilëve u prerntonte çlirimin e vendit të tyre. premtim mashtrues që merrte një ngjyrë të vërtetë nga diskutimet e serbëve. të cilat linin të shpresohej për evakuimin e Dibrës dhe Ohrit në rastin kur Shqipëria do të njihte Esat Pashën. Për më tepër, duhet nënvizuar se mbasi afro 50 fshatra ndërmjet Dibrës dhe Ohrit u shkatërruan nga serbët - tetor 1913- Esati gjeti një pretekst më shumë për arratisjet e tij në Tiranë dhe në rrethinat e saj. Duke e ndjerë veten të fortë nga kjo mbështetje, Esati e shpalli veten të pavarur nga qeveria provizore e Vlorës. Rusia pa dyshim mbështeste Esatin dhe Italia nuk vonoi ta tërhiqte atë në sferën e saj me shpresën për t'ia kundërvënë Austrisë dhe për të kundërshtuar ndikimin e kësaj rivaleje….
(Vijon nesër… )
Përktheu nga frëngjishtja: Shkëndia Dhame
(Sipas botimit të studiuesit Uran Butka)
Pak për Mit’hat Frashërin
Lindi në Janinë me 25 mars 1880. Mid’hat Frashëri ishte djali i Abdyl Frasherit dhe nipi i Naim dhe Sami Frashërit, në shtëpinë e të cilëve ishte rritur në Stamboll. Të atin e njohu thuajse fare pak.Agazhimi konkret i tij në lëvizjen kombëtare filloi me 1908, kur ai u bë një ndër ideatorët dhe, më pas, ndër drejtuesit e Kongresit të Manastirit, kongresit që hodhi bazat e alfabetit të gjuhës shqipe. Ishte 32 vjeç, kur vendosi të largohet nga Stambolli dhe të udhëtojë në brendësi të vendlindjes së tij. Në të vertetë, ky udhëtim i gjatë, u bë edhe fati i tij i madh. Udhëtoi nga Kosova në Shkup dhe prej këtej ne Elbasan, në prag të luftës ballkanike. Pas shpalljes së Pavarësisë u emërua Ministër i Punëve të Përgjithshme në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Por pak muaj më vonë, me 30 mars 1913, Mid'hat Frashëri dha dorëheqjen. Pak kohë më vonë u vendos në Durrës, ku priti me entuziazëm Princ Vidin dhe u vu në shërbim të tij, duke ndihmuar në Ministrinë e Jashtme. Pas ikjes së Princ Vidit, edhe ai vetë u largua nga Shqipëria. Që nga viti 1914 e deri me 1918 u end nëpër Ballkan. Me 1916 mbërriti në Bukuresht, ku krejt papritur, u arrestua dhe me pas u internua ne Moldavi. Dy vjet më pas më 1918 u shfaq ne Lozanë, në konferencën që po vendoste krijimin e Jugosllavisë, ku dërgoi një promemorie mbi të ardhmen e Ballkanit, ku ai deklaroi se “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar, nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan. Me 1920 niset për në SHBA. Dy vite më vonë kthehet në Shqipëri ku u caktua nga Qeveria e Tiranes si Minister Fuqiplote i saj në Athinë në janar të 1923, detyrë që e mbajti deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga politika u zhyt në botën e librave, krijoi librarinë “Lumo Skëndo”.
Edhe pse kishte vendosur të hiqte dorë nga politika në vitin 1939, pas pushtimit te Shqiperise nga Italia, ne moshe te shkuar ai rifilloi edhe njehere aktivitetin politik. Në vitin 1941, ai u bë themelues dhe ideator i organizates se "Ballit Kombetar". Në shtator 1943, atij i dështoi mundësia më e mirë për të hedhur themelet e një Shqipërie demokratike. Në nëntor 1944 u largua nga Shqipëria. Emigroi në Itali, dhe 5 vite më vonë gjatë një udhëtimi në Nju Jork vdiq si pasojë e një ataku në zemër.
Mid’hat Frashëri
Esad Pashe Toptani
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com