TIRANE - Kombëtarja shqiptare e futbollit është përfshirë nga shumë lëvizje, festime, por edhe shumë enigma në lidhje me të ardhmen e shumë futbollistëve kuqezi, pasi akoma nuk kanë firmosur se me cilin ekip do të luajnë në të ardhmen, ose më saktë duke filluar nga ky edicion futbollistik.

E papritura më e madhe vjen nga Italia, aty ku mesfushori i talentuar me origjinë kosovare, Migjen Basha në mënyrë të papritur ka kërkuar largimin nga ekipi i Torinos duke mos dhënë detaje për mediat. Por sipas burimeve të medieve italiane pranë klubit dhe vetë futbollistit, arsyeja e largimit lidhet me problemet familjare të futbollistit të ekipit kombëtar të futbollit.

Basha vetëm pak ditë më parë u ble përfundimisht nga ekipi i Torions ga ekipi i Atalantës, pasi më parë kishte ndarë kartonin për gjysmë. Por vetëm pak ditë më pas, pa u bërë akoma një muaj, Basha ka kërkuar largimin nga drejtuesit e ekipit.

E ardhmja e tij është ende në pikëpyetje, pasi nuk dihet nëse do të ndryshojë vetëm qytetin në Itali, apo shtet, pasi mund të rikthehet përsëri në Zvicër, ose ndoshta në Gjermani, andej nga ofertat nuk kanë munguar asnjëherë për të.

Ndërsa nga Gjermani drejtuesit e ekipit të Paderbornit inkurajojnë cdo ditë e më shumë fantazistin e kombëtares, Alban Meha. Në një deklaratë të fundit të stafit drejtues theksohet se besohet shumë nga këmbët e Mehës për këtë edicion për gola nga goditjet e dënimit.

Kujtojmë që goditjet e dënimit janë specialiteti më i mirë i shqiptarit që mbeti jashtë për 3 muaj pas një dëmtimi në këmbë. Ndërsa në Spanjë nuk po shkojnë punët shumë mirë për Valdet Ramën, i cili nuk është grumbulluar me ekipin për të bërë testet mjekësore, sipas disa medieve vendase kjo lidhet me burokracitë e drejtuesve për të firmosur kontratën e re, por nuk përjashtohet largimi.

E kundërta ka ndodhur në Itali me Lorik Canën dhe portierin Strakosha të cilët janë paraqitur në ekipin e tyre të Lacios për të bërë testet mjekësore para edicionit të ri futbollistik që do të startojë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.07.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)