Zoti Luarasi, gjatë gjithë jetës suaj, ju keni botuar libra studimorë, keni shkruar skenarë dhe keni punuar me përkushtim si regjisor. Sapo ka dalë në dritën e botimit libri juaj i parë me poezi. Si erdhi ky libër në dritën e botimit?
Fillimi i të vargëzuarit nisi tek unë në atë moshë kur nisi shumica e të rinjve. Por ndërsa të talentuarit e vazhdojnë poezinë, të tjerët ndahen prej saj. Kurse ndonjë si unë e ndërpret dhe e rifillon në varësi të kohës dhe të gjendjeve të tij shpirëtrore. Nuk isha kurrë i bindur me veten time se mund të bëhesha poet. Vargëzoja spontanisht e gjithçka shkruaja hynte në sirtarin e tryezës. Unë kam provuar të shkruaj në një moshë që të gjithë rinjtë e provojnë të shkruajnë dhe natyrisht, poezitë e para do të ishin, ashtu siç kërkoheshin të ideologjizuara. Në Liceun Artistik në vitet 1948-'52, profesori i letërsisë, poeti Nexhat Haliu, nga dëshira për të nxitur e zbuluar poetë të rinj, organizonte herë pas here konkursin e poezisë. Ato do të ishin me një tematikë të atillë që nuk ishin dhe qind për qind të sinqerta dhe të vërteta. Unë kam botuar atëhere në gazetën "Letrari i Ri" dhe merrja pjesë herë pas here në konkursin e poezisë. Një nga këto konkurse fitova me një vjershë për Stalinin. Edhe disa të tjera që u botuan në gazetën "Rinia" dhe "Letrari i ri", ishin me të këtilla tema: për luftën e kosovës, për 4 shkurtin, etj. Pas këtyre nuk botova më asgjë.
Përse nuk botuat më, ndërkohë që keni shkruajtur herë pas here?
Ashtu erdhi rrjedha e ngjarjeve. Profesor Nexhati kishte filluar të më jepte poezitë e veta, lirika intime të bukura, fryt i dashurisë së tij të fundit. Ato më çonin në një botë tjetër, më afër të vërtetës. Ai i shkruante disi me frymën e Lasgushit dhe Ali Asllanit, të cilat edhe i ruajta në një kohë të gjatë. Unë u miqësova me profesor Nexhatin dhe ai filloi të më njihte mua me poezitë lirike, jo nga ato që duheshin të botoheshin, sepse edhe ai ishte me biografi të keqe. Ai më jepte poezitë e veta të reja që kishte, fryt i një dashurie të freskët, lirika shumë të bukura. Megjithatë ishte origjinal. Ka qenë një poet shumë i mirë. Libri i tij me poezi është botuar nga e shoqja pas vitit '90. Di që fati i poezive të mia, për arsye të censurës nuk mbeti më në dorën time. Kur shkova për të studiuar në Hungari, në revistën letrare të atjeshme Dunantul, më 1955, doli një poezi e imja, por pas "këshillës" së ambasadorit tonë që duket se nuk i pëlqeu përmbajtja, nuk botova më të tjera. Disa poezi të shkruara nga viti 1958 deri në mars 1973 kishin mbetur si variante në një fletore shkollore, strukur padashje diku në shtëpi midis librave të fëmijëve dhe për fat, nuk u gjet në kontrollin e imët të bibliotekës në korrikun e 1973-it.
Megjithatë ju e botuat një libër, si vendosët, ndërsa keni pasur drojtje ta quanit veten poet?
Ky vëllim po del me këmbëguljen e tim biri, Tonit, i cili prej vitesh i ka mbledhur dhe i mbledh si të mirat ashtu dhe të pavlefshmet poezi të të atit. Edhe titullin "Shkundin gjumin prej qepallave", që është huazim nga një përkthim i Nolit, e zgjodhi vetë ai.
Pjesa më e madhe e poezive duket që kanë gjurmët e një kohe shumë të hershme, cili është motivi që ju e nxorët në dritën e botimit, pikërisht kaq vonë?
Fakti është që këto poezi nuk do të kishin dalë asnjëherë në dritën e botimit, sikur im bir të mos ngulte këmbë që të dilnin. I konsideroja si shumë personale. Kjo do të thotë se ato janë shkruar me një sinqeritet dhe intimitet të thellë. Por im bir, duke qenë shumë afër letërsisë, ngaqë punon në një shtëpi botuese si grafist, ngado që i gjente shkrimet e mia i mblidhte dhe i rendiste. Ai nguli këmbë që këto të botohen. Nuk më shkonte mendja për të botuar, sepse nuk kam menduar asnjëherë që jam poet. Por më në fund pranova idenë e tim biri që të botohen bashkë me aforizmat e mia.
Vëmë re se në këtë libër të botuar duket sikur juve iu bëhet një lloj radiografi e brendshme, njëra është radiograma e shpirtit tuaj dhe tjetra e kohës ku keni jetuar. Në lirikat tuaja vihet re një shpirt i lirë, i çliruar nga kornizat dhe tabutë e kohës që kaloi, por ka edhe pohime të mbrapshtive të kohës që kemi jetuar. Cili është mendimi juaj?
Është shumë i qartë përcaktimi. Kjo është plotësisht e vërtetë dhe unë e kam përmendur dhe në parathënien që kam bërë, që ky libër shpreh pjesën më të sinqertë e të dëlirë të shpirtit tim, se nuk është shkruar asgjë me imponim dhe nuk është bërë asgjë e stisur duke synuar botimin.
Zoti Luarasi, dimë që në atë atë kohë, çdo i ri që do të kapej me poezi të tilla, ku ka edhe mjaft shprehje erotike, me çdo kusht do të ndëshkohej ose dënohej me burg. Jeni dënuar ju pikërisht për ndonjërën nga këto poezi?
Për këto jo, sepse s'i ka lexuar kurrkush poezitë e mia të asaj kohe.
Si është e mundur?
Historia është kjo. Pjesa më e madhe e tyre janë poezi të periudhës së leximit artistik kur bëja studimet jashtë shtetit. Ato shkruheshin në gjuhën hungareze. Nga periudha e rinisë, në studimet këtu në Shqipëri ka shpëtuar vetëm një poezi e imja, që është poezia "Lisi" në fillim të vëllimit. Si kohë ajo është më e vjetra në 1951-n. Ajo shpëtoi sepse Ramadan Sokoli ka kompozuar një romancë mbi atë poezi. Poezia mbeti në partiturat e tij dhe u këndua nga sopranoja Shqipe Zani. Prej partiatje turës së tij sopranoja e njohur Shqipe Zani, kohët e fundit më nxori vargjet që hyn në këtë vëllim. Të gjitha të tjerat u zhdukën, të asaj kohe.
Si u zhdukën dhe kush e bëri?
Kur e nuhata situatën time se çka po ndodhte në 1973-in, atëhere i paketova mirë dhe i çova te një i afërmi im, konkretisht te motra ime e martuar ...... Kur u pa se ç'rrugë po merrte fati im, në maj të atij viti, të gjitha shkrimet e daktilografuara, fatkeqësisht pas 11 korrikut nga frika i dogji. Gjatë viteve të mia në burgun e Ballshit u shkruan në mend edhe pak gjëra që i hodha në kartë pas 1985-s. Edhe nga '90-ta e këtej, herë pas here kam vargëzuar. Poezi dhe shkrime të tjera që ishin aty në dosje, u zhdukën.
Po si mbetën "gjallë" poezitë e Hungarisë?
Në vitet e Hungarisë ku studioja për regjizurë teatri, 1952-'58, shkrova disa vjerëshëza në hungarisht, të cilat, gjithashtu shpëtuan se ishin atje dhe më vonë i ktheva në shqip, pas '90-ës. Ambasada i kontrollonte aktivitete e studentëve, por nuk kishte këtë ndikim që kishte këtu. Ambasadori më tha mos e vazhdo këtë punë, s'ke pse të shkruash ti në gjuhë të huaj, edhe atje nuk botova më, por shkrova. Të gjitha ç'kisha shkruar atje, mbetën atje te mikeshat e mia, tek ato mikesha që i kisha shpërndarë për të lexuar, mbetën atje dhe në hungarisht.
Shumë fakt interesant për lexuesit. Këto poezi dashurie të ruajtura me kujdes e për vite me radhë nga gratë hungareze…! Duhet të kesh lënë shumë mbresa tek ato. Paske qenë djalë tërheqës për vajzat hungareze?
(Qesh) Shumë. Na donin vajzat hungareze ne shqiptarëve. Kishin një tërheqje që ato nuk na e fshihnin. Pas ardhjes së demokracisë, kur unë shkova në Hungari, ata të Amasadës më thirrën atje, sepse miqtë e mikeshta e mia më ftuan t'i vizitoja në Hungari dhe u befasova kur më thanë se poezitë ishin aty në hungarisht. Dhe ato unë i ktheva në shqip. Pra poezitë e rinisë i përkasin asaj periudhe të studimit atje. Disa janë të shkruara shumë vonë, por unë rrallë shkruaj. Më pëlqen kur poezia vjen natyrshëm, nuk më pëlqen të sforcohem për të bërë poezi se ato më duken artificiale po u bënë me imponim. Ndonjëherë shkruaj edhe për probleme sociale të kohës, siç është "Historia e njërës nga ato", ku kam marrë shkaks nga historitë e dhimbshme të shfrytëzimit të femrave shqiptare për prostitucion në Perëndim, që është për mua një nga plagët më të ndjeshme e më të dhimbshme.
Poezitë e tua kanë ndjenjë dhe finesë, por një vend po kaq të rëndësishëm kanë "Aforizmat Skiplandeze". Mesazhi i tyre është gjithëkohor. Kur kanë nisur të shkruhen në të vërtetë këto lloj aforizmash që aludojnë për diktaturën dhe pasojat e saj në tokën e shqiptarëve, Shqipërinë-Skiplandën?
Duke filluar nga viti '73 e gjithë kohës. Ka dhe mendime të koncentruara, që dalin jashtë kontekstit tonë historic, ku aforizmat sjellin kontrastet, kundërthëniet, filozofinë ejetës sonë. Më kanë thënë se jam i rreptë me shqiptarin. Une mendoj se të mëdhenj janë ata popuj që mund të ngrihen në atë lartësi, sa të përqeshin veprimet e tyre të së kaluarës dhe që mund të tallen me veset e tyre. Një nga ata që dukej se mendonte kështu ka qenë Faik Konica, i cili dihej që e donte shumë Shqipërinë, por edhe ishte kritikues i rreptë i shqiptarëve. Në krtikat e mia, bashkohen shumë miq e shokë.
Si të ka shkuar mendja tek emërtimi skiplandezët?
Fillimisht për të fshehur faktin se për çfarë flitej konkretisht. Ishin si aforizma që të japin një lloj mundësie të gjykosh dhe të dalësh prej atij makthi që është ves i përgjithshëm ose mbarëshoqëror. Ky emër të bënë edhe të qeshësh duke menduar se shumë shtete kanë atë land pas, si Holand, etj. Një pjesë e tyre janë edhe të krijuara në burg, në fletë të holla, që të mos harroheshin, sidoqoftë mendoj se vërtetë mbeten ashtu siç e përmendët edhe ju në pyetjen e mësipërme një radiografi e kohës.
(dhh/im/shqiptarja.com)