Miho Gjini: Ngritja e teatrit modern, ëndërr e aktorëve të mëdhenj që nga 1959-a

Miho Gjini: Ngritja e teatrit modern, ëndërr e aktorëve të mëdhenj që nga 1959-a

Miho Gjini

Regjisori i shquar Miho Gjini, ndihet i emocionuar, jo vetëm për rikthimin pas 20 vjetësh të festivalit mbarëkombëtar të teatrove, por edhe për skenën e re “Arturbina” ku u mbajt ky festival. Miho Gjini ka qenë një nga protagonistët e festivalit të parë mbarëkombëtar të Teatrove që është mbajtur në Shqipërinë e viteve ’70. Është një nga të dënuarit nga vetë diktatori për prurjet moderne në dramën “Njollat e murrme”, së bashku me Minush Jeron dhe Mihal Luarasin. Dënimi i gjatë nga diktatura, lënia në harresë në periudhën e transicionit nuk ia shkulën dot nga zemra pasionin dhe dashurinë për teatrin. Ndërsa emigron në Greqi dhe gjen zgjidhjen e tij të mbijetesës, duke punuar punëtor krahu, Miho Gjini i rikthehet nostalgjisë së së hershme, duke ribërë përmes librave historinë e Teatrit Kombëtar. Më shumë sesa një godinë, ai vlerëson kujtesën e  shkruar në libra dhe rikthimin e kujtesës dhe veprave të korifenjve të Teatrit Kombëtar, aktorëve dhe regjisorëve të shquar. Rrëfen sesi aktorët e mëdhenj përballeshin me të ftohtin, mungesën kushteve, duke rrezikuar shëndetin e tyre prej më shumë se 70-vjetësh.

Për Miho Gjinin, nuk ka qenë godina e Teatrit Kombëtar që ka pasur vlerë, por vetë shpirti dhe pasioni i aktorëve që ka superuar kushtet dhe ka sfiduar çdo shkallë vështirësie. Miho Gjini flet me zemër të hapur për rëndësinë që ka ngritja, jo vetëm e një teatri modern në Tiranë, por po të jetë e mundur e sa më shumë teatrove. Me sytë nga e ardhmja, siç shprehet edhe vetë Miho Gjini, ai ndihet i lumtur në një godinë të re, ku performohet teatër, diskutohet e debatohet rreth tij dhe që u jep mundësi aktorëve të lidhen me skenën dhe publikun. Për të,  ngritja e teatrove moderne në kryeqytet nuk është gjë tjetër veçse ëndrra e realizuar e korifenjve që themeluan Teatrin Kombëtar.

Zoti Miho, tashmë ju erdhët si protagonist në festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove këtu në këtë qendër arti, ku  puna nisi pas shumë debateve që u bënë; jo vetëm për shembjen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, por edhe për “Arturbinën” të konsideruar si jofunksionale. A ka  qenë funksionale në të vërtetë, si jeni ndjerë ju në një skenë të re?
-Unë që kam përshtypjen se ky teatër që ka një emër të çuditshëm “Arturbina”, ndoshta nga  e kaluara,  është funksional, është i përshtatshëm për sa u përket ambienteve, skenës, prapaskenës dhe thellësisë skenike, si dhe vendeve të domosdoshme për aktorët. Por edhe mund të zhvillosh debate artistike, konferenca teatrore. Edhe salla, që me tendencën e saj krijon një këndvështrim të barabartë për të gjithë spektatorët, por edhe akustikën se ka të keqe, por ka përbri edhe një teatër dhome: ku përsëri është i domosdoshëm për aktorët për të bërë shfaqje me dy-tre personazhe, po edhe mund të zhvillosh debate artistike, konferenca teatrore më të gjithë artistët. Gjithashtu nuk më duket keq edhe për perfomanca të tjera përveç teatrit, por edhe mjedisi para teatrit nuk m’u duk keq; ku ka një truall dhe një shesh pushimi, ku mund  të qëndrosh në disa lokale të pish një kafe, të marrësh një lëng frutash që të qetësohesh ose çlodhesh pasi të fillojë  shfaqja.

Ndërkohë që janë marrë këto nisma dhe projekti që është bërë për Teatrin e ri Kombëtar, ka pasur shumë debate. Mendoni se ka devijuar ky debat nga problemet artistike drejt atyre politike?
-Mua më duket se termi teatër, apo diskutimi I çështjeve të teatrit aty-këtu është përdorur shumë nga politika. Është politizuar kjo çështje. Problemi është që ne duhet të kemi disa teatro në kryeqytetin tonë.  Tashmë flitet për një teatër të ri. Shumë mirë që flitet për një teatër të ri. Krahas funksionit që ka pasur teatri i vjetër, po në atë vend. Unë jam dakord me shumicën e artistëve me përvojë, që kanë punuar përkrah artistëve të mëdhenj. Unë kam pasur dëshirë të lartësohet edhe një teatër  më i bukur. Ishte një dëshirë, një ëndërr e korifenjve të teatrit tonë, që në këtë vend të lartësohej një teatër I ri, dhe të gjithë ata e kishin këtë ëndërr që në këtë vend të kishin një teatër të ri modern, sepse edhe atje ku rrinin këta artistë të mëdhenj në prapaskenë ishte një vend tepër i ngushtë. Nuk kishte kabina. Muret ishin të cacra dhe ishte shumë ftohtë. Mjaft prej aktorëve janë sëmurur nga mushkëritë, nga myku i mjedisit dhe mungesa e ajrimit.

Mund të na sjellësh disa kujtime sesi këta aktorë të mëdhenj e kanë ëndërruar një teatër të ri dhe modern? Që na cili vit kanë nisur aktorët të ankohen për kushtet e papërshtatshme të Teatrit Kombëtar?
-E nderuar zonjë, unë jam rritur me këta artistë të mëdhenj, dhe ata e kanë ëndërruar një teatër të ri dhe modern që në vitin 1959. Unë jam sot 80 vjeç dhe tani i kujtojë me nostalgji të thellë dhe unë jetoj me këta artistë të skenës shqiptare, dhe duhet të përkrah mendimin se vepra e këtyre njerëzve nuk është e domosdoshme thjesht të qëndrojnë në muret e një ndërtese. Por të qëndrojë në veprat dhe kujtimet që ata kanë lënë, në muzeun ku ruhen dokumentet e tyre dhe unë e kam shfrytëzuar këtë muze për të shkruar librat e mia.  Ka shumë hapësira të tjera, ku mund të ruhet nostalgjia, të ruhet vepra e tyre, tekstet, fotografitë, kasetat, ku është e mundur të ruhen akoma. Ishin zërat e tyre, ishte Naim Frashëri, Kadri Roshi, Ndrekë Luca, Margarita Xhepa dhe që të gjithë ata që kishin edhe ato incizimet e mrekullueshme në rubrikën “Teatri në mikrofon” që ndiqej me kënaqësi të madhe nga mijëra njerëz.

Në vitet ‘30 Mihal Popi luante para perdeve të kinemasë, i cili para se të luante filmat ishte quajtur kryekomiku i kryeqytetit. Dhe gjatë periudhës së gjatë që ne ish studentët e shkollës së lartë për aktorë që patëm fatin ta vazhdonin shkollën me artistë të mëdhenj, dhe ishim figurantë në të gjitha shfaqjet, në vitin 1959-1963, kujtoj se ishin ambient shumë të ngushta dhe mezi lëviznin atje. Më vonë u bë edhe skena rrotulluese. Dhe kur bënte makijazhe artisti i popullit Naim Frashëri vendi ishte shumë i ngushtë dhe nuk kishte kabina personale për çdo aktor. Vendi ishte shumë I ngushtë, aktorët përplaseshin kur hynin e dilnim në skenë. Por unë dua të prek një temë tjetër, që këta njerëz të mëdhenj i pranuan sakrificat dhe arrinin të bënin atë që njerëzit “vriteshin” për një biletë, Kujtoj Naim Frashërin që kur mbaroi shfaqja  e “Hamletit” kollitej. U sëmur nga mushkëritë, kishte probleme me zërin, dhe më pas i dolën edhe probleme të tjera dhe u largua nga jeta shumë i ri.  Janë të gjithë ata, për të cilët unë kam shkruar 6 libra me kënaqësi të madhe që i kam promovuar në Akademinë e Arteve. Por, unë jam shumë i mërzitur që interesi i djemve të rinj që studiojnë në Universitetin e Arteve ishin krejtësisht indiferent. Ndërkohë në promovim nuk mungonin figura me vlerat teatrit tonë. Brezi i djemve të rinj që studiojnë në Universitetin e Arteve ishte krejtësisht indiferent. Por aty nuk munguan figura me vlerë të artit tonë; si Artistja e Popullit Margarita Xhepa, studiuesi i nderuar Nasho Jorgaqi, filozofi i artit Përparim Kabo, regjisori Milto Kutali, regjisori Mevlan Shanaj, ndërkohë që kishte  shumë pak studentë të apasionuar pas teatrit. Ata rrinë kafeneve universitetit, ose tek shkallët duke e u marrë me gjera kot së koti.

Profesor Miho, dihet se juve në periudhën  e komunizmit keni kaluar një kalvar vuajtjesh që kanë ardhur si pasojë e ideologjisë. Mendoni ju siç ndodh shpesh, sipas deklaratave të disave se ata që përfaqësojnë Partinë Socialiste janë përfaqësia e e të kaluarës që ju ka dënuar dhe dhunuar apo keni në një këndvështrim tjetër?
-Unë, zonjë e nderuar, sot e shoh gjithçka në një këndvështrim tjetër, me sytë nga e ardhmja. Unë jam dënuar direkt nga diktatori për e festivalin e parë kombëtar të teatrove, për dramën “Njollat e murrme” së bashku me regjisorin Mihal Luarasi dhe Minush Jeron, dhe u kthyem në viktima. Nga njerëz të përkushtuar të teatrit, u kthyem në armiq fiktivë. Tashmë, për mua kjo perde është e mbyllur. Unë si i dënuar ngaqë e ndjeva veten të tepërt në vendin tim, emigrova në Athinë, aty  dola në pension si punëtor krahu. Por ja dhe kam marrë shumë përvoja për punën time si regjisor, por edhe pasionin për teatrin nuk e lashë mënjanë dhe kam shkruar ndërkohë 28 libra, dhe kam marrë megjithatë një vlerësim  nga Presidenti i Republikës. Unë nuk mund të vazhdoja 30 vjet rresht pas rënies së komunizmit ta mendoja veten time vetëm si viktimë, por nisa të përkushtohesha me sytë drejt të ardhmes.

Ju përgëzoj për sfidat tuaja, por nëse do të duhej të mbaje një qëndrim opozitar aktualisht, çfarë mendoni se nuk shkon mirë me çështjet e kulturës kombëtare?
-Interesimi për çështje të shumta të kulturës mungon. Mospërmbushja e njerëzve nga ana shpirtërore më shqetëson. Kujtoj se bazat e dikurshme të shtetit grek në periudhat e lulëzuar të antikitetit ishin të forta nga zhvillimi i teatrit dhe i kulturës. Unë kam nga ato informacionet e  mia të favorshme, për sa i përket mbështetjes së pakët që i bëhet artistit. Artisti duhet të paguhet që të të ketë fuqi të arrijë maksimumin e vlerave jetësore fizike që të jetë i aftë. Por sot ende diskutohet për një ligj fondamental për teatrin. Bëhen protesta. Mbahen konferenca, ndërsa kemi 30 vjet nga përmbysja e regjimit dhe akoma nuk kemi një ligj fondamental për teatrin. Ose vihet re që shkrihen institucionet kulturore befas. Për shembull shkrihen estradat. Ka pasur 15 estrada të mira në Shqipëri. Shkrihen teatrot. Unë kam qenë në Greqi dhe vetëm Athina ishte e mbushur me qindra teatro, duke pasur edhe teatro të rrugicave, Por duhen këto, por jo të gjitha këto nuk mund ti ngrejë shteti, sepse aty ku jam unë, ose kur kam qenë në shtete të tjera, ka pasur personalitete të artit ose aktorë të mëdhenj që kanë mundur të ngrenë qendrën e tyre artistike dhe kanë tërhequr vëmendjen e publikut me emrin e tyre dhe me veprën tyre.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja