Mijatovic-Qeverisë: Të mos
pengohet puna e gazetarëve

Mijatovic-Qeverisë: Të mos<br />pengohet puna e gazetarëve
TIRANË - Dunja Mijatovic, përfaqësuese në OSBE për Lirinë dhe Median është prononcuar sot për televizionin "A1 Report". Ajo u është përgjigjur pyetjeve të gazetares Joniada Koçi, duke analizuar nivelin e lirisë së medias në Shqipëri, të ardhmen e AMA-s dhe TVSH-së etj. 
  
Zonja Mijatovic!  Për ju, nga përvoja juaj krahasuese me OSBE-në, për sa i takon lirisë së medias, kemi më shumë apo më pak liri sot në Shqipëri?
Unë nuk mendoj se ka më pak, madje nuk mendoj se liria e fjalës e shprehjes është shumë problematike në Shqipëri. Madje jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin. Janë efektet anësore ato që ndikojnë jo te gazetarët si individë, por tek vetë gazetaria, pra gazetaria online dhe ofline. Unë besoj se si Shqipëria, si rajoni, ashtu edhe gjithë bota janë të kërcënuar. Pra ka disa faktorë që ndikojnë tek gazetaria. Për shembull kemi më pak gazetari investigativë, kemi më pak gazetarë kurajozë për të investiguar, për të parë gabimet qoftë të qeverisë, qoftë të shoqërisë. Por të gjithë e dimë, që kjo nuk është një gjë e lehtë. Unë besoj se kemi shumë liri si në Shqipëri, si në gjithë vendet e tjera të rajonit. Ajo që duhet të bëjmë është, që duhet të vendosim këtë liri brenda një kuadri ligjor, profesional, për të pasur një gazetari sa më të mirë.
 
Është përfolur gjatë rreth televizionit publik shqiptar se ka qenë i politizuar gjatë këtyre viteve. A mendoni se duhet të çlirohet dhe a keni marrë garanci nga pushtetarët duke iu referuar dhe një ditë më parë konferencës, ku ishte i ftuar dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Si mund të jetë i pavarur, a keni dhënë ndonjë model apo strategji? 
Nuk mund të presim, që politika të jetë jashtë televizionit. Ne jemi të ndërgjegjshëm që politika është e pranishme është gjithmonë aty.
Televizioni publik duhet të jetë i pavarur dhe të luajë rolin e të ofruarit të një shërbimi publik të informimit të qytetarëve. Shqipëria si dhe vendet e tjera të rajonit duhet të kapërcejnë atë çka kemi trashëguar një sistem ku televizioni ishte televizion shtetëror pra nuk ishte i pavarur, pra televizionet tona duhet të reformohen duhet t’i nënshtrohen një reforme të plotë.
 
Më pyetët për qeverinë, qeveria ka vetëm dy ditë që ka ardhur në pushtet dhe do ishte joprofesioniste të kërkoja garanci. Gjithsesi ajo që unë mund të shoh është se ekziston një vullnet shumë i mirë. Ajo që i nevojitet Shqipërisë dhe vendeve të rajonit është një qasje e dyfishtë, dmth të kemi televizion publik dhe televizione komerciale, ku secila të bëjë rolin e vet dhe të punojnë të dyja mirë së bashku nuk më duket se e kemi ende këtë situatë në Shqipëri. Kërkesa ime për qeverinë është pikërisht kjo: të mundësojë një televizion publik të pavarur dhe informues për publikun.

Sa rëndësi ka që AMA të jetë e pavarur nga politika dhe si mund të arrihet kjo, pasi edhe pas miratimit të ligjit të ri ka pasur akuza të forta ndaj këtij institucioni? Gjithashtu sa i takon dhe çështjes së reklamave shtetërore, si mund të ndalet kjo situatë duke iu referuar këtyre problematikave?
Çështja e pavarësisë së AMA-s është një çështje që e kam ngritur edhe me qeverinë e mëparshme vitin e kaluar. E kam ngritur gjithashtu edhe me qeverine e re, sepse është shumë e rëndësishme ndjekja e procedurave nga ana e autoritetit rregullator të medias. Edhe gjatë kësaj vizite unë kam shprehur dëshirën time për të parë të paktën pas njëfarë kohe disa lëvizje për një autoritet rregullator të pavarur dhe autonom, që të ketë një proces të atillë pune, që të marrë vendime në të mirë të të gjitha organeve të mediave. Sa i përket çështjes së dytë; ndarja e reklamave, sigurisht është një çështje që duhet zgjidhur mes marrjes së disa vendimeve dhe pak të forta në mënyrë që secili të marrë një pjesë nga ajo torta e madhe e reklamave shtetërore. Megjithatë unë i nxis mediat shqiptare, që të mendojnë pak për rolin e tyre, për punen e tyer, pasi duken sikur flasin më shumë për mundësinë për të marrë më shumë nga reklamat shtetërore se sa për të bërë atë që është puna e tyre dhe që është dhe më e rëndësishme.
 
Kur thoni që duhet të merren vendime më të forta kujt i referoheni? Për çfarë e keni fjalën, cilat mund të jenë këto vendime? A ka modele që duhet të ndjekë Shqipëria për të çliruar nga politika TVSH, AMA-n apo edhe për reklamat, psh modelit britanik, italian, francez apo të tjerë?
Po ta dija unë këtë formule ndoshta s’do isha këtu, duke dhënë këtë intervistë, por ndoshta do isha ndonjë konsulente për të dhënë këshilla duke fituar shumë para. Ajo që mund të them është që ekzistojnë parametra, ekzistojnë standarde ndërkombëtare. Është në dorën e shoqërisë shqiptare që të marrë vendime të tilla, që çojnë në një lojë të ndershme.
 
Si mund të sigurohet kjo? Mund të sigurohet me sundimin e së drejtës, mund të sigurohet me zbatimin e mirë të ligjit. Shqipëria kuptohet është një vend në tranzicion. Është një vend që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian dhe sigurisht ka nevoje të marrë vendime të forta e të vështira. Mua më duket se si autoritetet shqiptare, ashtu edhe shoqëria janë të gatshme për t’i marrë këto vendime. Nuk është roli im të them se çfarë duhet të bëjnë. Ne jemi të gatshëm të asistojmë. Unë mund të jem dhe shumë kritike ndonjëherë kur e shoh që gjerat nuk janë mirë, pra ajo që mund të ofrojmë janë këto modele, këto praktika të mira.
 
Doja të shtoja dhe këtë; fola për një proces reformimi.. Në këtë proces mund të futen rregulla të reja, ligje të reja, ajo që është shumë e rëndësishme është se çfarëdolloj rregullash të futen të mos ketë kufizime për gazetarët, të mos kufizohen gazetarët nga bërja e punës së tyre, të mos kufizohet shoqëria shqiptare nga aksesi për t’u informuar. Kjo është ajo që unë shoh e monitoroj si përfaqësuese e lirisë së medias së OSBE-së. Kur fola për vendimet e forta, janë vendime që nuk mund të jenë të suksesshme menjëherë. Janë vendime që mund të tregojnë veten se janë vendimet e duhura në një plan afatgjatë. Pra duhet të jemi realistë.
 
Një vit më parë ju keni pasur edhe një konferencë, ku keni folur për dixhitalizimin, kur dihet që 2015 është afati i fundit. A mendoni se mund ta arrijmë?
Sa i përket dixhitalizimit e kam ngritur këtë çështje vitin e kaluar. Këtë vit ndoshta do ta ngrë dhe herë të tjera derisa të bëhet. 2015 është afati jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë këtë pjesë të botës. Në fakt ka edhe vende të Bashkimit Europian, që po hasin shumë vështirësi në kalimin nga transmetime analoge në dixhitale. Nuk e di nëse Shqipëria do të respektojë afatin. Nuk e di nëse i gjithë Ballkani Perëndimor do respektojë afatin. Ka sigurisht faktorë financiarë dhe faktorë të vullnetit politik që ndikojnë shumë, nëse këto vende do të arrijnë kalimin. Unë e thashë edhe në fillim të konferencës: shpresoj që kjo pjesë e botës mos bëhet një njollë e zezë e transmetimeve analoge në mes të Europës.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com) 
 

 
 
 
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike

Media spanjolle ‘El Periódico’: Vizitoni Shqipërinë për Krishtlindje, një perlë me peizazhe spektakolare dhe qytete historike