Evropa po përballet me një valë moti ekstrem, ndërsa zjarret, përmbytjet dhe stuhitë kanë detyruar mijëra njerëz të evakuohen në disa vende. Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Spanja dhe Polonia janë ndër shtetet më të prekura, ku autoritetet dhe ekipet e emergjencës vijojnë betejën me flakët dhe pasojat e motit të keq.
Në Serbi, Bashkimi Evropian ka dërguar helikopterë dhe zjarrfikës për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit që ka përfshirë më shumë se 1.600 hektarë bimësi në rezervatin natyror Deliblatska Peščara, rreth 60 kilometra në lindje të Beogradit. Operacioni mbështetet edhe nga një avion rus Ilyushin Il-76 për shuarjen e zjarreve, si dhe nga disa helikopterë të ushtrisë serbe.
Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, tha se situata është “jashtëzakonisht e vështirë”, duke shtuar se çdo ditë në terren janë angazhuar më shumë se 400 persona.
Edhe Bosnja dhe Hercegovina po përballet me një zjarr të madh pranë kufirit me Kroacinë. Autoritetet mbyllën rrugën kryesore që lidh Trebinjën me Dubrovnikun, duke detyruar mijëra turistë të ndryshojnë planet e pushimeve. Disa fshatra pranë Ivanicës u evakuuan, ndërsa zjarrfikësit raportuan se flakët kanë djegur edhe bagëti. Zjarri është përhapur në një zonë me diametër mbi 16 kilometra, i favorizuar nga temperaturat e larta, era e fortë dhe mungesa e reshjeve prej muajsh.
Në Spanjë, fundjava është shoqëruar nga dy ekstreme të motit. Në provincën Tarragona, reshjet e rrëmbyeshme dhe përmbytjet lanë të plagosur 11 persona dhe shkaktuan probleme në qarkullimin rrugor dhe hekurudhor, pasi në disa zona ranë mbi 145 milimetra shi.
Në të njëjtën kohë, zjarrfikësit vazhdojnë luftën me flakët në rajonin e Valencias. Zjarri, i shkaktuar nga një goditje rrufeje pranë qytetit Segorbe, detyroi evakuimin e më shumë se 1.000 banorëve të Gatovës. Me ndihmën e njësive të emergjencës dhe mjeteve ajrore, autoritetet kanë arritur ta stabilizojnë zjarrin, i cili ka përfshirë rreth 630 hektarë.
Edhe Polonia është goditur nga stuhi të forta. Që prej së premtes, zjarrfikësit kanë ndërhyrë në më shumë se 6.500 raste emergjente. Përmbytjet dhe ndërprerjet e energjisë elektrike detyruan evakuimin paraprak të 12 kampeve të skautëve. Sipas Shërbimit Shtetëror të Zjarrfikësve, deri tani nuk raportohen të lënduar.
Megjithatë, autoritetet polake thonë se situata është përmirësuar ndjeshëm. Të dielën paralajmërimet për mot të keq mbeten në fuqi vetëm për disa zona në veri të vendit, ku priten reshje të dendura, erë me shpejtësi deri në 70 kilometra në orë dhe mundësi për breshër.







Komente
Komento