Më shumë se 80.000 turistë janë bllokuar në qytetin Sanja të Kinës, pasi autoritetet vendosen ta izolojnë qytetin për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Autoritetet kineze kanë anuluar të gjitha fluturimet dhe udhëtimet me tren nga Sanja.

Ky qytet njihet si “Havai i Kinës”, për shkak të natyrës së bukur dhe turistëve të shumtë, dhe kufizimet po vijnë në pikun e sezonit turistik.

Shërbimet thelbësore si dyqanet ushqimore dhe farmacitë mbeten të hapura, mirëpo qendrat e argëtimit janë mbyllur prej javës së kaluar, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.

Në këtë qytet u konfirmuan 263 raste pozitive, të shtunën.

Të gjithë udhëtarët duhet të kenë pesë teste negative të COVID-19, të kryera në shtatë ditët e fundit, ashtu që t’iu mundësohet dalja nga qyteti.

Kina është ndër shtetet e pakta në botë që ende zbaton politikën e “zero rasteve me COVID”.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ky shtet ka regjistruar më pak se 15.000 vdekje me koronavirus prej shpërthimit të pandemisë.